Home / Intervista / Mirela Kumbaro: Trashëgimia dhe institucionet e artit, sfidat e një mandati

Mirela Kumbaro: Trashëgimia dhe institucionet e artit, sfidat e një mandati

kumbaroMinistrja e Kulturës thotë se reforma në institucionet e artit po ecën normalisht. Ajo shprehet se duhet angazhim për të shmangur keqmenaxhimin e territorit e të peizazhit kulturor. “Në nëntë muaj shembëm skemën korruptive dhe okulte të ndarjes së parave për projektet artistike”

Prej thuajse dhjetë muajsh keni marrë në dorë dosjen e komplikuar të kulturës. Cilat janë tre problemet më madhore që keni identifikuar deri tani?

Ndryshe nga muajt e parë ku lista e problemeve ishte shumë e gjatë dhe kaotike, tani që kemi zgjidhur situatat më urgjente, kemi kaluar fazën e ristrukturimit të ministrisë dhe kemi qartësuar piketat kryesore për të realizuar programin e qeverisë në kulturë dhe të politikave tona kulturore. Nëntë muaj janë të mjaftueshëm për të kuptuar se ka disa probleme që janë themelore dhe jo vetëm kërkojnë zgjidhje afatgjata por një reformë të thellë në sistem dhe në mentalitet. Ju më kërkoni tre prej tyre dhe unë mund t’jua rendis:

– Mungesa e një sistemi të qendrueshëm në administrimin e trashëgimisë kulturore.

– Mungesa e kapaciteteve njerëzore në menaxhimin e sektorit të kulturës

– Mbijetesa e modelit të vjetër etatist në institucionet e artit dhe kulturës që pengon konkurrencën e lirë në arte.

Qeveria po përpiqet të aplikojë një reformë në Teatrin e Operas dhe Baletit. Ku konsiston ajo dhe cili është shkaku i reagimeve që ka pasur në komunitetin e artistëve?

– Nuk është thjesht reformë në TOB, por reformë në institucionet e artit në përgjithësi, e paralajmëruar qartësisht.

E filluam me hapjen e debatit publik mbi situatën e artit skenik, duke përfshirë gjithë artistët jashtë e brenda institucioneve. Ndërtuam skema të reja të organigramave artistike duke parashikuar sistemin e audicioneve, të vlerësimit dhe të konkurrencës. Një tjetër element për nxitjen e konkurrencës dhe të motivimit të artistëve është edhe ai i kontratave individuale dhe me afat të përcaktuar. Jemi të gjithë dëshmitarë se si ka rënë cilësia e prodhimtarisë dhe e disiplinës artistike. Këtë nuk e shpika unë, por e gjeta si një ankesë dhe kërkesë të fortë për ndryshim të vetë artistëve të cilët nuk ishin të motivuar, nuk çanin dot dyert e teatrove edhe kur ishin të talentuar, sepse këtyre të fundit nuk u jepej mundësia të konkurronin. Kjo gjendje stagnacioni që i shpie teatrot drejt vetëvrasjes është e patolerueshme sepse nuk mund të abuzohet pa fund me paratë e taksapaguesve shqiptarë, nuk mund të mbyten talentet e reja dhe të pengohet qarkullimi i vlerave në art.

Por edhe sepse modelet më të mira sot në botë, dëshmitarë të të cilëve janë artistët tanë më të mirë jashtë vendit , kanë në thelb të strukturave të tyre të punësimit kontratën dhe në thelb të zhvillimit dhe përmirësimit të cilësisë artistike dhe rritjes së audiencave – konkurrencn. Nuk duhet të bëhet pengesë për këtë as rehatia e përhershme që të ofron një kontratë pa afat apo një vend pune pa kontratë siç rezulton për pjesën më të madhe të tyre dhe as mungesa e motivit për t’u përmirësuar e shkëlqyer por dhe përballur me më të mirët .

Kemi arritur ta kryejmë këtë fazë të parë në Teatrin Kombëtar ku sot e gjithë trupa është me kontrata individuale me afat të përcaktuar, po ashtu në Teatrin e kukullave, në Cirk, në Galerinë e Arteve.

Tani jemi duke e realizuar ne TOB, ku ka disa veçori për shkak të strukturave masive të trupave. Janë bërë negociata të gjata me sindikatat e tyre, dhe përfaqsues të artistëve. Janë parashikuar kategori të diferencuara për nivele të ndryshme, kontrata të pershtatura me këto kategori, nga dy vjet deri 5 vjet, të rinovueshme. Për kategorinë e artistëve që ka më shumë se 30 vjet punë ne TOB, kemi parashikuar një paketë kontraktuale me natyrë sociale, pra të përhershme. Kjo tipologji shkon paralel me një strategji e cila parashikon audicione të rregullta që kanë filluar tashmë, futjen e figurës së artistit në reformën e pensioneve. Po përgatisim aktet nënligjore për cilësinë artistike dhe për vetëmenaxhimin e të ardhurave nga institucionet e artit si një tjetër mekanizëm nxitës. Dhe më e rëndësishmja është se jo vetëm nuk shkurtohet asnjë vend pune, por janë parashikuar edhe disa vende të reja brenda TOB, që do të hapen për kandidatët vetëm me konkurs. Ato pak reagime që vijnë tashmë janë pa argumente. Jam e bindur se është fazë kalimtare dhe droja njerëzore që shkakton ndryshimi sidomos kur ndryshim s’ka pasur asnjëherë.

Është e rëndësishme të kuptohet se kjo reformë që do t’i japë efektet e veta në vitet në vijim, është pa kthim dhe e domosdoshme për vitalitetin e skenës shqiptare. Ky do të jetë modeli që duhet të ndiqet edhe nga teatrot e rretheve. Nuk ka asgjë më shumë se sa modelet që funksionojnë në vendet e tjera europiane.

Pjesë e reformës është edhe nxitja e tregut të lirë të artit dhe e mbështetjes së iniciativave artistike që vijnë nga subjekte jo publike, përmes mekanizmit të hapur e transparent të thirrjes për projekte, që ka filluar këtë vit dhe që shënon një përmbysje të madhe të situatës së molepsur që gjetëm në ministri.

Debati për gërmimet në ish-lulishten 1 maji në Durrës, ngre problemin delikat të ruajtjes së thesareve të kulturës tonë, nga vala e ndërtimeve që ka përfshirë vendin prej më shumë se dy dekadash. Çfarë duhet ndrequr sipas jush, në mekanizmin e kontrollit të këtij procesi, sa i përket institucioneve të varësisë tuaj?

– Ka dy anë ky debat. Njëra është kjo që thoni ju, keqmenaxhim, abuzim, i territorit dhe i pejzazhit jo vetëm kulturor por edhe ekologjik dhe natyror. Kjo ka ardhur ca nga padija, ca nga mungesa e politikave të zhvillimit të qendrueshëm e afatgjatë por edhe nga etja e shfrenuar për fitime të padrejta e të egra. Qeveria e re e ka treguar që në fillim se është e vendosur t’i japë fund kësaj gjendjeje me moratoriumet për ndërtime në Krujë, Berat, Gjirokastër; me vënien në kontroll të rreptë të lejeve zhvillimore në zonat e trashgimisë; me nisjen e punës për planifikimin e përgjithshëm të territorit, punë që duhej të kishte filluar që në vitin 2009, dhe që sot është më i domosdoshëm se kurrë për të siguruar një zhvillim të integruar.

Një qytet si Durrësi që për shume vite është zhvilluar pa strategji urbanistike të integruar me pjesën tjetër të vendit, kërkon një qasje të veçantë për të kombinuar nevojat për zhvillim me ruajtjen e trashëgimisë. Kjo kërkon dije, largpamësi dhe ndërgjegje profesionale, por edhe burime financiare te fuqishme. Nga ana tjetër duhet të ruhemi edhe nga manipulimi i opinionit publik me gjysma faktesh e populizëm mediatik. Kjo është arsyeja pse MK po i sheh me shumë kujdes e përgjegjësi dosjet e kaluara për të nxjerrë mësime aty ku janë bërë gabime apo ndjekur praktika të gabuara ose për të ndryshuar aty ku është e mundur, siç ishte rasti i kalasë së Lezhës, për të shpëtuar vlerat që mund të shpëtohen, dhe sidomos për të futur në mbrojtje pasurinë kulturore, jo si një mall të vdekur në magazinë, por edhe si një burim zhvillimi.

Ne kemi forcuar rolin e Këshillave Kombëtarë të Arkeologjisë dhe të Restaurimit, që janë organet vendimmarrëse për gërmimet, restaurimet, ndërtimet në zonat historike, dhe kemi vendosur një komunikim organik midis drejtorive rajonale dhe institucioneve qendrore të trashëgimisë si dhe po ndërtojmë marrëdhënie të qendrueshme midis pushtetit lokal dhe komunitetit, për të patur një kontroll sa më të mirë të territorit, dhe për të zbatuar politika të harmonizuara.

Nocioni i kulturës shpesh ngatërrohet me atë që është e dukshme; monumente të restauruara, industri filmi konkuruese, politika botimesh cilësore, arte pamore me nivel të lartë etj. Si pajtohet kjo listë aktivitetesh, natyrisht shumë të rëndësishme, me nocionin më të përgjithshëm të kulturës së kombi, e cila është diçka më e thellë dhe më e gjerë?

– E gjithë lista që ju përmendni është pjesë fushave në të cilat punon një ministri kulture, por kultura si e tillë nuk kufizohet kurresesi në aq sektorë sa ndërhyn minstria. Lumturisht kultura e një vendi është shumë më e gjerë dhe e thellë se sa lëmitë e një ministrie, përndryshe do të ishim një vend me kulturë shumë të varfër. Kulturën e një vendi nuk e bën ministria e kulturës. Në çdo shoqëri kultura nuk ndërton doktrinë, nuk prodhon as jurispurdencë e as rregullore. Nga ana tjetër, nëse ajo përbëhet nga referenca, korniza, instrumente interpretimi për të vepruar mbi botën dhe shoqërinë, ky katalog nuk është asnjëherë i fundëm, nuk arrin të formalizohet dhe as të shpjegohet në mënyrë shterruese. Kështu që nëse këtë koncept e vendosim në kontekstin shqiptar do të na duhet të përfshijmë aty të gjithë ata elementë të historisë së kombit shqiptar që kanë lënë gjurmë në mënyrën e jetesës, në marrëdhëniet njerëzore por edhe në ato institucionale, në organizimin e shoqërisë pavarësisht kufijve administrative në prodhimet artistike dhe estetike, të çfarëdo gjinie a sektori qoftë, në botën emocionale dhe etike të shqiptarëve dhe jo vetëm.

Roli i ministrisë nuk është dhe nuk mund të jetë ndryshim i cilësisë së vetë produktit artistik apo kulturor, por i identifikimit të potencialeve më të mira për t’i mbështetur ato, i krijimit të mundësive për energji të reja, i përhapjes së tyre brenda dhe jashtë vendit, i orentimit të politikave kulturore në favor të zhvillimit të vendit. Politika e re e “Edukimit përmes kulturës” është një motor tillë i fortë zhvillimi në të cilin qeveria e ka vënë theksin fort sepse kemi një popullsi shumë të re, sepse po humbasim publikun e së nesërmes dhe na duhet ta krijojmë sot, sepse edukimi kulturor është instrument per kohezionin social, është zhvillim i qytetit.

Dy nga objektet më përfaqësuese të arkitekturës së Tiranës, hotel Dajti dhe ish-Piramida, ndodhen sot në gjendje të mjeruar. Çfarë mund të thoni për të ardhmen e ish-Piramidës, duke qenë se Dajti ndodhet nën “kompetencën” e Bankës së Shqipërisë?

Po, ish-hotel Dajti, është pjesë e punimeve restauruese që po zhvillon Banka e Shqipërisë edhe në godinën kryesore të saj. Shumë mirë që do të restaurohet, por nuk mund të mos shpreh dy keqardhje të mëdha: e para që në gjithë këta vite Hotel Dajti nuk u shfrytëzua, nuk iu ofrua publikut, por dëshmoi paaftësinë e shtetit për të mospërdorur pasuritë e veta publike; e dyta, më vjen shumë keq që edhe pas kësaj humbjeje disavjeçare ajo ndërtesë mitike kthehet në zyra financiare duke humbur sharmin e vet kulturor, ndërkohë që do duhej të ishte një qendër kulturore, historike dhe artistike në të njëjtën kohë, qoftë edhe duke u ruajtur si hotel do të ishte një monument historik i së shkuarës dhe vend kulturor i së tashmes.

Ndërsa Piramida, është shembulli klasik i masakrimit shtetëror të monumenteve, i arbitraritetit të politikës së ditës që shpesh ka bërë dëme në historinë e dëshmive arkitekturore të Shqipërisë duke shfrytëzuar mediokritetin dhe brishtësinë e emocioneve. Sot jemi në pikën ku duhet të themi “shyqyr që shpëtoi nga asgjësimi”, por nuk shpëtoi nga dëmtimi shumë i rëndë. Është ende herët të themi se cila do të jetë forma funksionale që do të marrë Piramida, por nuk do të preket destinacioni i saj kulturor. Jemi në konsultime për një koncept bashkëkohor dhe projekt të qendrueshëm, e cila duhet shoqëruar edhe me një instrument financiar të fuqishëm.

Ndërkohë e kemi vënë Piramidën në dispozicion të subjekteve të lira artistike, të shoqatave rinore për organizimin e aktiviteteve të ndryshme.

Hapja e ndërtesave publike të mbyllura, përfshi këtu edhe godina të shërbimit qeveritar, siç është Vila e ish-diktatorit, tunelet e kohës së diktaturës për njerëzit e artit, është pjesë e lëvizjeve kulturore për rijetëzimin e këtyre godinave.

Po arritjet e Ministrisë që ju drejtoni në këta muaj qeverisje?

Nuk janë pak për 9 muaj. Kemi shembur njëherë e mirë skemën korruptive dhe okulte të ndarjes së parave për projektet artistike dhe e kemi zëvendësuar me mekanizmin transparent të thirrjeve publike të hapura.

Kam kënaqësinë të ndaj me ju faktin se reforma administrative në trashëgimi po ecën shumë mirë. Kemi nisur një rrjet restaurimesh në bashkëpunim me partnerë, donatorë, shoqërinë civile, institucione fetare që po jep rezultatet e para, siç është restaurimi i Kishës së Valshit që u bë objekt i vandalizmit dy vite më pare. Pas negociatave me pronarët, kemi aprovuar projektin për rindërtimin e Shtëpisë së Flamurit në Korçe siç ishte. Ka filluar puna për muzeun e ri të Fototekës Marubi në Shkodër. Kemi ndërtuar rrjetin Miqtë e Monumentit që përfshin shkollat në kujdesin për monumentet.

Në fushën e artit po krijojmë sinergji të reja mes produksioneve të përbashkëta mes artistëve që performojnë këtu dhe artistëve tanë të suksesshëm që kanë pushtuar skenat botërore siç ishte baleti Zhizel, opera Madame Butterfly me Ermonela Jahon, spektakli i Angjelin Preljocajt. Një sukses i merituar është Bienalja e Arkitekturës në Venecia, ku Shqipëria po tërheq bukur vëmendjen duke treguar potencialin e saj europian. Dhe shumë kantiere kemi në ndërtim, por kjo do të kërkonte një intervistë të dytë.

Intervistoi Skënder Minxhozi, Revista JAVA