Home / Arte / Ekspozita / Princ Vidi 6 muaj që ende nuk janë rrëfyer

Princ Vidi 6 muaj që ende nuk janë rrëfyer

Armand Plaka sjell sot një ekspozitë me imazhe të “Princ Vidit dhe Shqipërisë në shtypin austriak të kohës” në 101-vjetorin e mbërritjes së tij në Shqipëri

vidiNë Pallatin e Dimrit në Shën Petërburg, teksa fliste me Kont Totleben, një nga djutantët e Carit, Vilhem Vid, e ndjeu se kurora si princ i ri i shqiptarëve, nuk do t’i sillte vetëm ditë të mira. Teksa princesha Sofi, po u jepte fund përgatitjeve të valixheve me teshat që tashmë duhet të ishin të kuruara mirë, Vidi dhe stafi që kishte zgjedhur për ta marrë me vete për në Shqipëri nisën të ndienin ankthin e parë të së ardhmes. Sekretari i tij, Heaton Armstrong, e përshkruan me detaje udhëtimin që zgjati disa ditë përmes Europës për të mbërritur në Durrës. Me pasionin e një sekretari besnik që hedh në letër çdo detaj të jetës së shefit të tij, Armstrong la me shënimet e tij ndoshta një nga pasqyrat më të mira, ku historia do t’u referohet për të shkruar historinë e mbretërimit të shkurtër të princit gjerman në vend. Përmes tyre shihen arsyet e një komploti të heshtur që u zgjerua çdo ditë e më shumë, e që e çoi drejt fundit mbretërimin e Vidit. Shqipëria e vitit 1914, nga 7 marsi, kohë në të cilën ai mbërriti e deri më 3 shtator kur iu desh të largohej përgjithmonë, ka qenë më shumë se asnjëherë në vëzhgimin ndërkombëtar. Janë të shumtë gazetarët e huaj që mbërritën në vend, për të parë se çfarë po i jepte ky mbretërim i ri këtij vendi që s’kishte gjetur paqe në drejtim. Shtypi austriak ka qenë më i ndjeshëm ndaj këtij mbretërimi. Gazetari i gazetës “Shqip” Armand Plaka, i tërhequr ndaj historisë, ka koleksionuar çdo detaj të gjetur në shtypin austriak të asaj periudhe. Artikuj, imazhe fotografike që të çojnë në Shqipërinë e 1914-s, të cilat sjellin një këndvështrim të mënyrës sesi është trajtuar kjo pjesë e politikës sonë. Sot, në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, Plaka do të hapë një ekspozitë të quajtur “Princ Vidi dhe Shqipëria në shtypin austriak të kohës”. Ekspozita vjen pak ditë pas 101-vjetorit të mbërritjes së Princ Vidit në vendin tonë, dhe përbëhet nga një përzgjedhje grafikash, karikaturash e artikujsh të ilustruar. Pjesa më e madhe e materialeve janë nxjerrë nga arkiva e revistave satirike e atyre të ilustruara, por edhe gazetave të kohës, veprim të cilin Plaka thotë se e ka bërë qëllimisht, duke iu nënshtruar një përzgjedhjeje sa logjike, aq edhe tematike e kronologjike. Viti 2014 shënjoi 100- vjetorin e mbretërimit të Vidit, që u shoqërua me një sërë aktivitetesh, por dhe me një rikthim të debatit mbi atë çfarë sollën këta 6 muaj në historinë e Shqipërisë. Por, sipas Plakës, sërish shumëçka ende ka mbetur e pashfaqur në publik dhe e padokumentuar edhe për vetë studiuesit e fushës. “Më shumë se 80% e materialeve të ekspozuara, mua më rezultojnë të panjohura për publikun shqiptar. Ato reflektojnë vendin që zinte misioni i Princ Vidit në median e vendit më të interesuar të kohës për Shqipërinë e shqiptarët. Ato paraqesin më së miri intrigat e kohës, makinacionet, rivalitetet, zhgënjimet, frikën dhe zhgënjimet të shprehura më së shumti me një sarkazëm therëse e humor të hollë”, thotë Plaka. Sipas tij, 41 materialet grafike që do të ekspozohen sot, paraqesin në mënyrë domethënëse të gjitha etapat e asaj që mund të quhet “aventura shqiptare e një princi evropian”, duke datuar që nga tetori i vitit 1913, deri në shtator 1914, koha kur ai u largua përfundimisht dhe fizikisht nga Shqipëria (pasi zyrtarisht ai nuk abdikoi kurrë). “Mes tyre, si pika kulmore të sjella në mënyrë eksplicite për publikun shqiptar, veçohen sidomos përgatitjet për pritjen e Princit, mbërritja e tij në Durrës, përplasjet me Esad Pashën dhe dinamika e konfrontimit me të ashtuquajturit ‘kryengritësit muhamedanë’, që ndodhën në muajin maj e vijojnë gjatë verës së 1914-s, deri në largimin e tij nga Shqipëria”, thotë Plaka. Një nga momentet që nuk haset në ekspozitë është vrasja e kolonelit holandez, Thomson nga kryengritësit në qershor 1914, por edhe vetë largimi i Princ Vidit. Sipas Plakës, mungesa e këtyre dy momenteve ka një arsye. “Këto dy pika të rëndësishme në historinë e Princ Vidit në Shqipëri, rezultojnë jo fort të mbuluara grafikisht, në hetimin që unë i kam bërë shtypit austriak të kohës, sikurse janë fazat e tjera të periudhës 6-mujore të Vidit në Shqipëri. Sigurisht se ka plot artikuj me tekste e histori të plota e të detajuara edhe mbi këto dy momente historike në shtypin austriak të kohës, e madje më shumë se në shtypin e vendeve të tjera, por paraqitja vetëm e teksteve në këtë lloj ekspozite, sipas meje, nuk do të ishte një zgjidhje e mençur, pasi vendi i tyre besoj se janë faqet e medias së shkruar shqiptare, apo të botimeve të specializuara, në të cilat unë prej vitesh kam kontribuar modestish edhe vetë me artikuj të përkthyer e të komentuar, të cilat do të vijojnë edhe më tej t’i bëhen të njohura publikut shqiptar”, thotë Plaka. Pjesa më e madhe e imazheve që do të përmbajë ekspozita e sotme, është pothuajse e panjohur nga publiku shqiptar. Përmes tyre mund të kuptohet më mirë gjendja që ka shoqëruar muajt në Shqipëri të Princ Vidit, kabinetit të tij qeveritar, mënyra sesi perceptohej në popull udhëheqja nga një i huaj, duke dhënë një vështrim rreth mentalitetit të kohës. Karikaturat janë një element interesant dhe domethënës i kësaj ekspozite. Plaka veçon disa nga karikaturat, ku bie në sy roli apo vënia në lojë e rolit të Esad Pashës, rivalitetet mes liderëve shqiptarë, ku vend i lihet edhe Isa Boletinit apo Preng Dod Bibës, prapambetja kulturore ndër shqiptarë, e cila, në ndonjë rast, shkon deri në ofendim, por edhe dobësia e Princit gjerman për të vënë rregull në mbretërinë që i ishte besuar. “Po ashtu, vihet në lojë në mënyrë thumbuese, loja që luanin Fuqitë e Mëdha të kohës dhe lënia në baltë e Princit të shqiptarëve, në një kohë kur ishte mbushur me premtime të fryra për mbështetje jo vetëm financiare”, thotë ai. Imazhet gjithnjë janë grishëse, aq më tepër kur vijnë nga një kohë, e cila ende ka pikëpyetje në të tashmen tonë. Ekspozita e Plakës duket sikur i jep përgjigje disa prej këtyre pikëpyetjeve përmes mënyrës sesi reporterët apo karikaturistët e huaj kanë vëzhguar dhe thumbuar realitetin shqiptar të 1914-s.

  1. Mbërritja e Princ Vidit në Shqipëri, më 7 mars 1914
  1. Karikatura të shtypit austriak të kohës – pjesë e ekspozitës së çelur sot nga gazetari dhe studiuesi Armand Plaka – që ilustrojnë intrigat, rivalitetet dhe problemet që hasi në mbretërimin e tij të shkurtër në Shqipëri, Princi Vihelm Vid.

One comment

  1. S’KA SHQIPERI, ME DREJTESI TE VARUR NGA POLITIKA.
    ^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^^
    Me bindje pas 102 vite “shtet”, duhet te unifikohemi qe, vecan drejtesine e atdheut duhet ta drejtojne tre juriste nga BE-pian,per 15 vite.Me tej keta zevendesohen, me juriste shqiptare,te diplomuar ne Universitetet nderkombetare.
    Ndryshe gangreanat e atdheut ricikolohen pa mbarim,ndaj edhe ngelem varfanjake ne c’do fushe te jetes,ngaqe themelin Nr1 te shtetit,drejtesine e ka drejtuar politika 45+ 23 =68 vite.Jemi shtet qe Magna Karten, shqiptaret ne pergjithesi nuk e njohin,ndersa qeveritaret koka, e kane vene poshte kepuceve te tyre.
    3/19/2015-te SHBA.

Leave a Reply to Ligor Luarasi Cancel reply

Your email address will not be published.