Opinion

Dekriminalizimi i Kuvendit, një tjetër farsë e politikës?

ANDREA STEFANI

Andrea StefaniËshtë e vështirë të mos dallosh një thelb irracional në gjithë këto që po thuhen, që po ndodhin, por edhe që nuk po ndodhin, lidhur me dekriminalizimin e Parlamentit, por edhe të politikës në tërësi. Disa politikanë sikur janë zgjuar nga një letargji që ka zgjatur mbi dy dekada dhe befas po kërkojnë sot dekriminalizimin e radhëve të tyre! Përse vallë? Shembull tipik u bë ditët e fundit edhe vetë Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, që nxiti të gjithë klasën politike “…të largojë pa ekuivok, individët e përfshirë në veprimtari kriminale dhe korruptive në gjirin e tyre, të vendosin një barrierë të pakapërcyeshme në çdo vend që këto elementë përpiqen të gjejnë në jetën publike, politike dhe administratën shtetërore…”. Fjalë të paqortueshme në pamje të parë. Por sapo thellohesh pak, nisin pikëpyetjet: Politika t’i largojë kriminelët nga politika pa ekuivok?! Po para se të bësh një gjë të tillë duhet t’i gjesh se kush janë kriminelët në radhët e politikës! Dhe kjo as nuk është gjë e lehtë dhe as nuk mund të kryhet vetëm nga politika pa ndërmjetësimin e drejtësisë. Një politikë që “vetëpastrohet” është një nonsens që nxjerr jashtë loje shtetin ligjor dhe nevojën e një pushteti të pavarur drejtësie. Njëherazi ajo ndjell edhe praktika që të kujtojnë të kaluarën diktatoriale të Shqipërisë dhe që mund të kthehen në precedentë të rrezikshëm për mënyrën si duhet të funksionojë një shtet ligjor.

***

E meta më e madhe e dekriminalizimit të politikës qëndron në shmangien sa të jetë e mundur më shumë të ndërhyrjes së drejtësisë. Po flitet për spastrim të politikës nga vetë politika pa vënë fare theksin te drejtësia. Po kush e cakton se kush është krimineli apo i kriminalizuari? Akuzat që prej 25 vjetësh politikanët i hedhin pa fund njëri-tjetrit në formë thashethemnajash? Apo mbështetja që marrin këto llafe kazani nga fanatikët e secilës parti apo lider? Nëse do të jetë politika ajo që cakton kush janë kriminelët që duhen flakur nga radhët e saj, a nuk do të ishte kjo një si rikthim në praktikat e komunizmit kur ishte partia ajo që vendoste se kush ishin armiqtë dhe kriminelët dhe vetëm pastaj hetuesia apo gjykata, bënin formalizmin hetimor dhe juridik për ndëshkimin e tyre? Po si i bëhet në ato raste kur vetë ata që duhet të seleksionojnë kush është apo jo i kriminalizuar, p.sh. politikanë si Berisha apo Basha, kanë vetë llogari të paqëruara me drejtësinë? Është fjala për korrupsione dhe krime si ato lidhur me rrugën Durrës-Kukës, tragjedinë e Gërdecit, masakrën e 21 janarit apo edhe faljen e një pjese të detit Greqisë. Në raste të tilla dekriminalizimi do të shërbente si truk për të pastruar të kriminalizuarit e politikës dhe jo për t’i spastruar ata. Më falni, por është groteske që një politikan si Basha, ministër i Brendshëm në 21 janar, ditën e krimit më makabër të tranzicionit, të dalë me flamurin e dekriminalizmit! E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Berishën. Madje më shumë.

***

Politika të tregojë vullnet se është në favor të dekriminalizimit! – ngrihet sot thirrja. Edhe nga disa ndërkombëtarë. Madje dikush shton se listat për kandidatët bashkiakë do jenë një tjetër provë e këtij vullneti antikrim të politikës. Po kujt i hyn në qese vullneti i klasës politike kur bëhet fjalë për shtetin ligjor? Sepse në këtë të fundit, vullneti politik nuk luan ndonjë rol kushedi se çfarë kur bëhet fjalë për luftën kundër krimit edhe në vetë radhët e politikës. Shteti ligjor për çështje të tilla ka organe të posaçme që udhëhiqen nga fryma e ligjit dhe nuk duan t’ia dinë shumë për vullnetin e politikës. Të paktën në parim.

***

Le të kuptohemi drejt. Do të qe shumë mirë sikur politika, liderët e partive, të mos fusnin në listat për kryetarë bashkish apo deputetë, njerëz jo vetëm me rekorde, por edhe thjesht me famë kriminale. Por edhe nëse një gjë e tillë ndodh, sikundër edhe ka ndodhur, nuk do të qe një tragjedi për shtetin ligjor. Për sa kohë që ai do qe vërtet i tillë. Dhe shteti mund të jetë ligjor kur krahas vullnetit politik të qeverisë apo opozitës, ekzistojnë edhe vullnete të tjera institucionale që i kanë rrënjët te ligji dhe që e zhvillojnë pa prerë luftën kundër krimit e nuk duan t’ia dinë nëse politika ka vullnet për një gjë të tillë ose jo. Kanceri i pandëshkueshmërisë nuk është mungesa e vullnetit politik, por mungesa e vullnetit nga institucionet e pushtetit të drejtësisë. Prandaj edhe shërimi nuk duhet kërkuar në radhët e politikës, sikundër po ndodh, por në ato të drejtësisë.

***

Në fakt, të tilla institucione (prokurori, gjykata) nuk kanë ekzistuar deri më sot dhe kjo është arsyeja kryesore se përse politika shfaqet e kriminalizuar. Prandaj edhe zgjidhja nuk mund të vijë me anë të “ndërgjegjësimit” magjik të liderëve politikë për nevojën e luftës kundër krimit dhe korrupsionit, por duke bërë të gjitha përpjekjet që të krijohen pikërisht këto institucione që e luftojnë inkriminimin e botës politike pavarësisht nga predispozitat e botës politike. Që thjesht do të thotë të krijosh organe të zbatimit të ligjit të pavarura nga politika dhe nga krimi i lidhur me politikën.

***

Përgjithësisht nuk mund të shpresosh që demokracia, zgjedhjet, korrupsioni të mos përdoren nga bota e krimit për të ngjitur shkallët e politikës dhe për të kapur shtetin. Turmat e votuesve, për njëmijë shkaqe, nevoja, zhgënjime apo kënaqësi mund të votojnë edhe një Al Kapone apo një Eskobar për deputet apo për kryetar bashkie. Një lider politik mund të mbyllë edhe sytë përpara rekordeve kriminale të një të forti zone, nisur nga nevoja për vota që mund t’i sigurojë nga ndikimi i të fortit në atë zonë elektorale. Por të gjitha këto kanë pak shanse të ndodhin, dhe aq më pak të avancojnë të pashqetësuara, në prani të një sistemi institucionesh që e luftojnë krimin jo se u thotë politika, partia, lideri, por sepse ua thotë Kushtetuta, ligji dhe misioni se përse janë themeluar dhe mbahen në këmbë nga taksat e qytetarëve. Edhe nëse një element kriminal do arrinte të ngjitej në majat e politikës, do të ishte sistemi i drejtësisë që do ta ndëshkonte për krimet e tij, duke spastruar edhe politikën. Por kjo nuk ka ndodhur as edhe një herë deri më sot. Prandaj, e gjithë puna është të krijosh sistemin e institucioneve antikrim, gjë që politika e gjithë këtyre viteve e ka sabotuar. Dhe përse duhet besuar se ajo do të veprojë ndryshe këtej e tutje? Mos vallë djajtë u bënë engjëj? Prandaj dekriminalizimi, me shumë gjasa, do përfundojë në një blof, sepse po fokusohet shumë te vullneti politik dhe jo te vullnetet e pushtetit të drejtësisë të ndrydhura nga politika dhe krimi i lidhur me politikën!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button