Home / Politika / Basha: Pasiguria në nivelet më ekstreme, shqiptarëve u nevojiten zgjidhje të reja

Basha: Pasiguria në nivelet më ekstreme, shqiptarëve u nevojiten zgjidhje të reja

luliKryetari i Partisë Demoraktike, Lulzim Basha, i cili ndodhet në Tepelenë, ku mori pjesë në Kuvendin Zgjedhor të Partisë Demokratike, shprehu shqetësimin e kësaj të fundit për përkeqësimin e madh të cilësisë së jetës, nivelit ekonomik, dhe shenjave të pasigurisë për jetën që ndihet në të gjithë vendin, duke marrë shkas nga ngjarja tronditëse që ndodhi sot në Tiranë.

“Pasiguri në nivelet më ekstreme. Sot ka ndodhur një ngjarje tronditëse. Në mes të Tiranës është ekzekutuar publikisht, me një stil mafioz, një pronar dhe drejtues banke. Përkeqësim evident në gjithë bazamentin dhe shtyllat e demokracisë, me goditjet e pandalshme ndaj institucioneve të pavarura duke dashur t’i marrin nën kontrollin e tyre me intensifikimin e eksperimentit famëkeq të shitblerjes së votave dhe shkatërrimit të zgjedhjeve të lira, me shkelmimin e konsensusit dhe arritjeve të përbashkëta, duke dashur të imponojnë vullnetin e tyre antikushtetues dhe antiligjor në sa e sa e raste të provuara edhe nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese, me rekorde arbitrariteti dhe paligjshmërisë, me rikthimin në kohërat më të këqija të konfliktualitetit në vend”, u shpreh Basha.

Sipas Bashës, ky realitet i hidhur që ka mbërthyer vendin ka bërë që qytetarët të rikthejnë sytë drejt PD-së, pasi është detyra e saj që t’u ofrojë shqiptarëve zgjidhje të reja.

“Përballë këtij realiteti të hidhur, është detyrë e PD-së që t’u japim shqiptarëve një ekip të ri, një ofertë të re, zgjidhje të reja, një rrugë tjetër për Shqipërinë, duke bërë të mundur përmes platformës sonë, realizimin e shpresave dhe aspiratave tona për mirëqenie, për të ardhme të sigurt, për integrim evropian, për demokraci”, deklaroi Basha.

%d bloggers like this: