Teater

Robert Ndrenika rikthehet në vjeshtë në teatër

Aktori ndodhet në Gjermani pas disa problemeve që ka pasur me shëndetin. Regjisori Erion Kame shpreson ta ketë Ndrenikën në rolin e Tartufit në sezonin e ri të teatrit

robert_ndrenikaOrogoni, personazhi i njohur i Molierit, pritet të rikthejë në vjeshtë në teatër Robert Ndrenikën. Pas disa problemeve me shëndetin që çuan dhe në shtyrjen e komedisë “Tartufi”, e cila ishte parashikuar të ishte premiera që do të hapte këtë sezon në Teatrin Kombëtar, duket që aktori po e rimerr veten, për t’u ngjitur sërish në skenë. Këto kohë Ndrenika ndodhet në Gjermani, por nuk i ka thënë “jo” ende këtij roli. Regjisori Erion Kame shpreson ta ketë Ndrenikën pjesë të “Tartufit” në sezonin e ri të teatrit gjatë vjeshtës. Ndrenika ka qenë pjesë aktive e provave që regjisori bëri për këtë komedi, e cila pritej të ngjitej premierë në skenën e teatrit më 16 janar të këtij viti. Sëmundja e tij e papritur, bëri që shfaqja të shtyhej vetëm disa ditë para premierës, duke ia lënë radhën veprës “Liri në Brehmen” me regji të Sesilia Plasarit. Regjisori Kame nuk pranoi të merrte një aktor tjetër në vend të Ndrenikës, duke parapëlqyer të shtynte në kohë vënien në skenë, i bindur se ky ishte një rol që dhe aktori e donte. Pavarësisht dëshirës së Kames, për ta ngjitur “Tartufin” në skenën e teatrit pas një mungese prej dy dekadash, Ndrenika nuk do të jetë Orogoni i premierës që pritet të jetë më 30 maj-31 maj. Pushimi që aktori duhet të bëjë pas ndërhyrjes që pati në zemër, bëri që në vend të tij në rolin e Orogonit, Kame të zgjedhë një aktor tjetër. Ai është Ligoraq Rizaj, aktor i trupës së Teatrit të Korçës, dhe do të zëvendësojë Ndrenikën vetëm në dy vëniet që pjesa do të ketë në maj, me shpresën që në vjeshtë Orogoni i vërtetë do të jetë Robert Ndrenika. Por “Tartufi” duket se është një aventurë që nuk mbaron për Kamen. Nëse kishte menduar që dy personazhet kryesorë Orogoni dhe Tartufi do të ishin nën lëkurën e dy aktorëve të njohur të teatrit si Robert Ndrenika dhe Viktor Zhusti, duket se nuk do të ketë në premierë as këtë të fundit. Për shkak të disa angazhimeve të tjera, Zhusti mund të mos jetë Tartufi i menduar i Kames. Regjisori thotë se ende nuk e ka vendosur se cili aktor do të zëvendësojë Zhustin. “Tartufi” i Kames do t’i bënte sërish bashkë dy emrat e njohur të teatrit Zhustin dhe Ndrenikën, pas interpretimit që ata patën një vit më parë në komedinë “Djemtë gazmorë” nën regjinë e Sulejman Rushitit. Pas “Shi në plazh” komedisë të njohur dhe për shkak të ekranizimit që ka pasur, nën regjinë e Gëzim Kames, dy aktorët ktheheshin sërish në një interpretim që i bënte bashkë, duke lënë mbresa jo vetëm te publiku, por edhe te kritika. “Djemtë gazmorë” ishte një ndër shfaqjet më të suksesshme të teatrit të vitit që shkoi, ku Ndrenika u shfaq nën interpretimin e Uilli Klark, një aktori që pas një braktisje që i kishte bërë skenës, kthehet sërish në të. Një rol ku dukej kalibri i një aktori si Ndrenika. Nuk ishte e rastësishme zgjedhja që Kame kishte bërë për të për rolin e Orogonit. Ky ishte një rol i menduar prej regjisorit që kur vendosi të rikthente në skenën e teatrit veprën e njohur të Molierit. Në role të tjera në këtë vepër do të interpretojnë dhe aktorët Rajmonda Bulku, Vasjan Lami, Olta Daku, Lulzim Zeqja, Gent Deçka, Mehdi Malka, Vangjel Toçe, Justina Aliaj, Niada Saliasi, Dasara Xhangolli. Pavarësisht humorit që mbart kjo komedi, në qendër të saj është demaskimi i hipokrizisë që ka pushtuar shoqërinë e sotme. Roli i Orogonit nuk është roli i vetëm që aktori ka pasur nga Molieri. Ai ka interpretuar më parë në vepra si “I sëmuri për mend” apo “Kopraci”. Me një mori rolesh të spikatura në kinema, Robert Ndrenika është një ndër aktorët më të mirë të teatrit ndër vite. Vitet e fundit ai është angazhuar në pjesë të rëndësishme teatrale. Vetëm pak muaj më parë aktori mbushi 73 vjeç.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button