Home / Ekonomia / Cani takon fermerët e Dibrës: Do t’ju mbështesim përmes skemave të financimit

Cani takon fermerët e Dibrës: Do t’ju mbështesim përmes skemave të financimit

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ka zhvilluar sot, në qytetin e Peshkopisë, një takim të zgjeruar me fermerë të zonës së Dibrës, me të cilët ka diskutuar për politikat e qeverisë dhe problemet që fermerët kanë.

1426850845CANIinvestimetDuke folur për politikat buxhetore të ndërmarra nga qeveria shqiptare, ministri Cani tha se “këto politika synojnë zgjerimin dhe përmirësimin e efektivitetit të skemave të mbështetjes së fermerëve, përmirësimin e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, si edhe formalizimin e sektorit të peshkimit”.

“Rajonizimi i prodhimit bujqësor dhe blegtoral mbi bazën e potencialeve specifike sipas rajoneve, do të sjellë rritjen e efektivitetit të mbështetjes financiare. Do të mbështeten financiarisht afërsisht 10 mijë e 800 fermerë me skema financimi, që synojnë nxitjen e prodhimit bujqësor e blegtoral vendas, si dhe lehtësimin e daljes në treg”, tha Cani më tej, duke shtuar se kostoja totale për këtë mbështetje arrin në 1.9 miliardë lekë.

Ministri i Financave u ndal më pas në stimulimin e përdorimit të teknologjive të zhvilluara dhe inovacionit në sektor, në rritjen e konkurrueshmërisë të prodhimit dhe agro-përpunimit në vend. Ai shpjegoi se, heqja e barrierave tarifore për inputet bujqësore dhe lëndët e para të prodhimit bujqësor dhe industrial, rregullimi i TVSH-së për uljen e kostos së produkteve bujqësore, ulja e barrës financiare për importin e makinerive bujqësore dhe kafshëve për mbarështim etj, janë disa nga politikat që kanë filluar të japin rezultatet e parë në gjallërimin e veprimtarisë ekonomike të fermerëve edhe në Qarkun e Dibrës.

Ndërsa duke folur për politikat fiskale të ndërmarra nga Ministria e Financave, Cani theksoi se “bujqësia është trajtuar si sektor prioritar i qeverisë gjatë vitit 2014 dhe, për këtë arsye, ky sektor ka pasur një vëmendje të veçantë sa i përket uljes së kostove të fermerit, nëpërmjet përjashtimeve dhe uljes së taksave të ndryshme”.

Sipas ministrit, në ligjin e ri “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar” që hyri në fuqi në gusht 2014, u rikonceptua skema e kompensimit të fermerëve në masën 20 % nga 6 % që ishte më parë, “masë e rëndësishme kjo në uljen me 20% të kostove të fermerit për blerjet e lëndëve të para”.

Edhe për këtë vit, sipas z. Cani, ky sektor do të vazhdojë të jetë prioritar, bazuar në masat e përfshira në “Paketa Bujqësia”, e cila është një paketë e plotë masash për nxitjen dhe zhvillimin e sektorit të bujqësisë dhe agrobiznesit, për uljen e kostove dhe rritjen e rentabilitetit të këtyre sektorëve.

Ndër këto masa, ministri i Financave përmendi kalimin nga 2% në 0% të taksave për importin e produkteve që shërbejnë si lëndë të para për industrinë apo blegtorinë, si p.sh. gruri, ushqimi për kafshët, zogjtë një ditorë, derrat nën 30 kg., viçat nën 160 kg., apo edhe kalimi nga 10% në 0% i tarifës doganore të miellit dhe të materialit biologjik elitar.

“Këto reduktime të taksave doganore do të kenë një kosto në buxhetin 2015, e cila llogaritet rreth minus 232 milionë lekë bashkë me TVSH-në, e cila automatikisht do të ulë po në këtë shumë shpenzimet e biznesit. Kemi pritshmëri dhe për ulje të çmimeve të disa produkteve bazë ushqimore të tilla si: buka apo mishi”, nënvizoi ministri i Financave në takimin e zgjeruar me fermerë të Qarkut të Dibrës.

Më pas, ekspertët e Ministrisë së Financave u janë përgjigjur pyetjeve të shumta nga fermerët, ndërsa specialistë të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve kanë shpjeguar me hollësi zbatimin e skemës së kompensimit 20% për fermerët, si dhe barazimin e TVSH-së në blerjen dhe shitjen e produkteve bujqësore në vlerën 20%.

Leave a Reply

Your email address will not be published.