Opinion

Duizmi dhe depeaizmi

AVNI AVDIU 

pdsh_70_2PDSH (DPA) dhe BDI (DUI) të kujtojnë paradoksin e njohur të Blez Paskalit, me të cilin u mor Sigmund Frojdi: dy persona të ngjashëm – prej të cilëve asnjëri veçmas nuk të bën të qeshësh, por që kur janë së bashku, me ngjashmërinë e tyre, ta qesin gazin. Aq të ngjashme janë saqë një shkrirje ‘abdulhadiveseljane’ do t’u shkonte përshtat.

Të qash apo të qeshësh me to, është sikurse enigma hamletiane: të jesh apo të mos jesh. Të qash për faktin se në çfarë derexheje e sollën popullin, kurse të qeshësh sepse me vite janë shtirur duke luajtur rolin e kundërshtarëve politikë, gjersa njëherësh i janë vardisur një subjekti të njëjtë maqedonas.

Edhe më rrëqethëse është gjendja shpirtërore dhe emocionale e ‘adhuruesve’ të këtyre partive. Dorën në zemër, nuk përjashtoj mundësinë që pjesa dërrmuese e tyre të jenë njerëz të mirë, atdhetarë të denjë dhe të sinqertë, ashtu sikurse mendoj se të tillë mund të jenë edhe disa anëtarë dhe struktura përbërëse. Mirëpo kjo nuk mjafton që përmes të tillëve të prarohet partia e zemrës së tyre ose që për hir të tyre ato të mos demistifikohen e të mos dekonstruohen.

Mënyra se si koketojnë ose flirtojnë këto parti shqiptare me tandemin Gruevski-Mihajllkov, zbulon identitetin real që kanë. Edhe po të supozojmë se përgjimet janë të përpunuara, nga prej një vargu fjalësh janë shkëputur disa dhe janë montuar pastaj ndryshe të tjera fjalë, ajo që vret nuk është edhe aq përmbajtja, sepse përmes teknologjisë ajo edhe mund të ndryshohet, por është pikërisht mënyra, toni dhe volumi i komunikimit, në një anë me përgjërim me shefin Mihajllkov dhe në anën tjetër me prepotencë me anëtarët e partisë së tyre. Këtu zbulohet thelbi i pozicionit në mes padronëve dhe vartësve të tyre, pra në mes superiorëve dhe inferiorëve. Nga kjo analizë e thjeshtë që mund të bëhet fare lehtë edhe nga ata që kanë qoftë edhe dy gram tru në kokë, rrjedh e gjithë tragjikomedia e këtyre dy partive, PDSH-së dhe BDI-së, të cilat në bazë të kësaj që u tha, janë parti marionete që dirigjohen nga tandemi Gruevski-Mihajllkov dhe mu për këtë prijësi i njërës parti (BDI) nuk di kah t’ia mbajë e ku të shkojë nëse e prish ‘kurorën’ me ta, ndërsa tjetri (PDSH) i vardiset deri në pikën e fundit për t’u pranuar në qerthullin e tyre. Ironia e paradoksit shtohet kur simulojnë lojën pozitë-opozitë.

Përndryshe ngjashmëritë e këtyre partive janë qysh në zanafillë. PDSH lindi si krah radikal i PPD-së, duke ndezur pasionet patriotike me sloganin e njohur ‘shqip-shqip’, këngët atdhetare nëpër mitingjet partiake dhe patetizmin e diskursit politik në diskutime e debate të ndryshme. BDI përvetësoi vlerat e luftës dhe trumbetoi me pompozitet përfitimet e saj, kështu që me këtë eufori u shpërqendrua nga beteja politike që duhej bërë në tavolinë, duke rënë me ose pa dije në pozicionin “zero-sum game’, sepse atë që i premtoi popullit se është fituar me luftë, e humbi për interesa të ngushta në paqe.

Pa hyrë në detaje të stërholluara, të cilat i kam elaboruar më parë për ngjashmëritë e këtyre partive, dua përshkitazi të ndalem te njëra, më e dhimbshmja. Strategjia, taktika ose vizioni i vetëm praktik i të dyjave mbetet punësimi i adhuruesve dhe militantëve të tyre pa kurrfarë kriteri e meritokracie. Në sajë të kësaj, ato kanë arritur të mobilizojnë një armatë të tërë të rinjsh, të cilët ‘zori i ka çuar në dyert e tyre’. Duke luajtur me këtë nevojë bazike psikologjike (Abraham Masllov), pra me ‘kafshatën e bukës’, këto parti kanë prekur në palcën e dinjitetit dhe nderit të çdo shqiptari, duke e keqpërdorur gjendjen e mjerueshme sociale për votë dhe kapital politik. Kaq pamëshirshëm politikisht me shtresën më të mjerë të popullatës nuk kanë luajtur as fashizmi dhe as komunizmi.

Duke i shndërruar tubimet parazgjedhore në koncerte me figura të estradës, të cilëve u japin para të majme për të kënduar këngë patriotike, këto parti luajnë me ndjenjat kombëtare, duke i konvertuar emocionet e atdhedashurisë së masës në dashuri për partinë.

‘Lehtësia e padurueshme’ (Milan Kundera) e bërjes politikë, u jep dritë jeshile që të vazhdojnë me mashtrimin e popullit dhe përfundimin e luftës për pranim mes pronarit e skllavit në përqafimin e statusit të robit dhe epërsisë së zotërisë (Hegeli), duke u bërë instrumente të partive maqedonase. Kështu zinxhiri i të mashtruarve bëhet një rreth vicioz që ngulfat edhe mendjet e inteligjencisë oborrtare dhe klonet mediatike, që marrin ngjyrë kameleoni dhe shkojnë kah fryn era më fortë.

Duke pasur parasysh këtë doktrinë të këtyre partive, s’ke se si ta pagëzosh ‘filozofinë’ e tyre, përpos sipas gjuhës dhe atyre në shërbimin e të cilëve janë vënë më së shumti. Depeaizmi dhe duizmi janë dy sfera të interesit të së njëjtës medalje. Pra PDSH (DPA) dhe BDI (DUI) i shërbejnë një padroni, madje edhe kur tërmeti ia dridhë këmbët atij, ato mundohen me çdo kusht ta mbajnë të patundur, duke u shndërruar në patericë rezervë të tij. Përmes këtij padroni, ato e sigurojnë mbijetesën e tyre, sepse ai i mban për ‘dizgjina’ dhe i çon për ‘tagji’ kur të dojë e kah të dojë.’

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button