Kronika

Adoleshentja tenton të vrasë me thikë gjyqtaren shtatzënë

Ngjarja në sallë, polici i heq thikën nga dora

Tentativa ndodhi në një proces civil, ku një nënë akuzon për dhunë tre fëmijët dhe të shoqin

salla e gjyqitNjë gjyqtare shtatzënë në Gjykatën e Tiranës i ka shpëtuar paq një sulmi me thikë në sallën e gjyqit, pasi vajza e një çifti ka tentuar ta godasë pak para se të japë vendimin për një kërkesë për urdhër mbrojtjeje. Ndërhyrja e një polici i ka shpëtuar jetën gjyqtares civile të Gjykatës së Tiranës, Vjosa Zaimi, pasi efektivi ka neutralizuar agresoren 17-vjeçare, për të cilën psikologët thonë se nuk ka qëndrueshmëri emocionale. Ngjarja ka ndodhur dje paradite dhe ka lidhje me çështjen gjyqësore ndaj Rabije Brimanit, nëna e 17-vjeçares, e cila ka depozituar kërkesën për vazhdim të urdhrit të mbrojtjes ndaj saj, për t’i shpëtuar dhunës së ish-bashkëshortit dhe tre fëmijëve.

Urdhri i mbrojtjes

Historia e kësaj çështjeje të gjykuar nga Vjosa Zaimi zë fill që në dhjetor të vitit 2012, kur ajo ka vendosur për herë të parë që të lëshojë urdhër mbrojtje për Rabije Brimanin. Në atë kohë, ajo kishte kallëzuar ish-bashkëshortin e saj Qamil Çerpia, 41 vjeç, për dhunë fizike dhe psikologjike. Por, pas padisë së saj, i shoqi, bashkë me tre fëmijët e çiftit, Miranda, Shpend dhe David Çerpia, përkatësisht 17, 15 dhe 11 vjeç, të cilët jetonin me të atin, pasi kështu ishte vendosur nga gjykata pas divorcit, kishin bërë kundërpadi ndaj Rabijes 38-vjeçare, të cilën e kanë akuzuar për dhunë fizike. Gjatë gjykimit u administrua vlerësimi psiko-social i 38-vjeçares, lëshuar nga Qendra Kombëtare e Trajtimit të Viktimave të Dhunës në Familje, ku ajo strehohet prej kohësh. Në raport thuhet se ajo shkon mirë dhe vendos kontakte me banorët e qendrës, ndërkohë që psikologja ka aluduar për paqëndrueshmëri emocionale të saj. Por, historia ka marrë zhvillime të reja gjatë seancave gjyqësore, pasi fëmijët pohuan se e kishin nxjerrë nënën jashtë, duke mos e lejuar të futej në shtëpi. Madje, në një seancë të datës 13 mars 2013, fëmijët dhunuan nënën e tyre në sallën e gjyqit, në prani të gjyqtares dhe punonjësve të policisë. Nisur nga këto zhvillime, gjykata kishte vendosur urdhër mbrojtje në datën 16 prill 2013, me efekt deri më 16 prill të këtij viti.

Sulmi ndaj gjyqtares

Pas përfundimit të afatit të urdhrit të mbrojtjes, e dhunuara Rabije Brimani ka kërkuar sërish që të lëshohet një tjetër urdhër mbrojtjeje, kështu që çështja është gjykuar nga e njëjta gjyqtare. Dje, ka qenë seanca e katërt e kësaj kërkese. Në këtë seancë, një nga fëmijët e Rabijes, Miranda 17-vjeçare, ka kërkuar të bëjë kundërpadi ndaj nënës, duke pretenduar se ajo ishte dhunuar prej saj. Gjyqtarja nuk ishte shprehur ende për vendimin e marrë për kundërpadinë, pasi priste të merrte vendimin në fund të seancës. Por, gjatë zhvillimit të seancës, Miranda ka nxjerrë thikën nga çanta personale, duke ia drejtuar gjyqtares Zaimi, e cila është shtatzënë. Menjëherë ka ndërhyrë polici i qendrës së grave të dhunuara në Kamzë, i cili ndiqte procesin, pasi ka shoqëruar Rabijen, duke ndaluar vajzën 17-vjeçare, e cila është shoqëruar menjëherë për në polici. Situata e krijuar ka tmerruar gjyqtaren shtatzënë, e cila ka ndërprerë seancën. Pas këtij incidenti, Gjykata e Tiranës deklaroi për mediat se do t’i kërkojë sërish Komisariatit nr. 2 të kryeqytetit, i cili mbulon zonën ku ndodhet gjykata civile, si dhe Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Tiranës, që të rrisin nivelin e sigurisë dhe efikasitetin e kontrolleve të qytetarëve në ambientet e gjykatës. “Kjo, me qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurinë fizike të qytetarëve, gjyqtarëve dhe të gjithë punonjësve të administratës gjyqësore”, thuhet në një komunikatë për shtyp.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button