Kryeartikull

Exodus : ata dhe të rinjtë

Monika SHOSHORI STAFA

“Letting people know what you saw brings them understanding and, through understanding, an urge for change. It may seem like a small thing, but it’s is your donation to making this a better world. And that’s a good thing”. John L. Withers

Monika Shoshori StafaThuhet se politikanët, më së shumti aktivitetin e tyre e bazojnë në kurthet që u ngrenë njerëzve sesa ç’mund të kujdesen për ta. Shpesh ata i kemi dëgjuar të shquhen më shumë për shkathtësi djalluke sesa për urtësi pleqësie. Nisur nga përvoja e tyre, ata e dinë se për aq kohë sa do të ketë njerëz të varfër, do të ketë dhe vese. Dhe kështu, duke u përpjekur që t’i japin jetë kësaj kauze, mundohen t’i zhveshin njeriut, kujtdo klase ai i përket, lëvoren e ligësisë me mjete dhe të tjera forma, që drejtohen më së shumti nga frika sesa nga arsyeja sepse për ta, pushtetet sovrane duhet t’i trajtojnë çështjet publike sipas këndeve, që ata i rrotullojnë sipas qejfit. Me fjalë të tjera, sovrani/mileti, është një top i madh mishi, që mashtrohet sa herë ata duan. Kjo është çfarë del gjatë këtyre javëve të tëra mynxyre e pështirosje në ekranet e TV, por dhe faqet online të çfarëdo lloj shtypi në Shqipëri.

Miku i shqiptarëve, gjithmonë i papërtuar për të mësuar shumëçka për miqtë e tij në Shqipëri, ambasadori amerikan John L. Withers, herë pas here, nëpërmjet letrave të tij, më rikthen ndjesinë e përkundërt nga ajo çfarë përpiqemi ta luftojmë në përditshmërinë tonë, prej helmit kudogjendshëm dhe shëmtisë që na ka mbuluar fund e krye nga fëlliqësitë e krimit që është pak, të themi nuk është pranë, jo aspak, por na qeveris ne të shumëve, këtu poshtë. Sepse me sa duket është e vërtetë shprehja e Lordit britanik “shqiptarët prodhojnë më shumë histori sesa mund të konsumojnë”. Duke e kthyer vëmendjen te politika, nuk dua të demonstroj një gjë të re dhe të padëgjuar më parë, por dua që përmes arsyesh të sigurta dhe të padiskutueshme, të përcaktoja atë që përkon më mirë me praktikën. Udhëtimi im i para pak javëve në disa fshatra të largëta në zonën juglindore të vendit më risolli në kujtesë varfërinë e tejskajshme të qindra familjeve shqiptare harruar në këto vise. U mundova shumë të përjashtoja vitet e paskomunizmit për të mos gjetur menjëherë fajtorin në këtë mjerim që e gjen të zakonshme edhe në këndet e Tiranës, por rehatia më ishte shuar ndaj mikut tim për pyetjet që i ngrija, i shkruaja në fund se ç’do të thotë të përfshihesh në politikë kur ai ma pat propozuar disa vite më parë? Mos ndoshta këto vuajtje varfërie do të merrnin fund? Por ai, si atëherë kur shërbente në Shqipëri, më solli në kujtesë një thënie të Oscar Wilde, i cili shkruante kështu “…. asgjë më të mrekullueshme nuk ka në botë se vuajtja dhe varfëria”. Dhe për fat të keq, Oscar sot ende ka të drejtë. Ai vazhdon më tej “Letting people know what you saw brings them understanding and, through understanding, an urge for change. It may seem like a small thing, but it’s is your donation to making this a better world. And that’s a good thing”.

Unë kisha parë dhe do të vazhdoja ta kryeja këtë mision, do të çuditesha apo jo nëse ishte kjo që gjëja ishte një varfëri mesjetare, kjo nuk kish rëndësi. Rëndësi kish që unë duhet ta sillja këtë histori dhe ta bëja të njohur. Ky ishte misioni im. Kjo ishte detyra ime.

Luftova shumë me veten të mos i përfshija në bisedat me banorët e varfër politikanët shqiptarë, madje të gjithë ata, të majtë, të djathtë e dreqër me radhë, të kësaj kohe dhe tjetrës dhe të kërkoja te ta përpjekjen e tyre të vetën për mirëqenie. Synova pra, që përfundimet t’i nxjerr nga vetë gjendja e natyrës njerëzore, ashtu si ajo është. U përpoqa aq shumë të mos tallem me veprimet e errësuara të tyre prej pushtetit dhe parasë, të mos i qortoj dhe aq më pak t’i urrej, por vetëm t’i kuptoj ata, “mendjendriturit” e Shqipërisë së kohës së sotme. Ndaj i konsiderova përjetimet njerëzore të tyre si dashuri, urrejtje, tërbim, zili, lavdi, dhembshuri dhe të tjera prekje shpirtërore si këto, jo si vese tanimë të natyrës njerëzore, por si tipare që asaj i përkasin njësoj si i nxehti dhe i ftohti, stuhia, rrebeshi dhe të tjera dukuri të këtij lloji.

Ndonëse nuk ka dyshim se ata që të gjithë janë të bindur se e mira është të bëjnë të kundërtën e asaj çfarë japin në aulat publike dhe atje ku ata janë votuar të rrisin mirëqenien drejt një mesatareje të artë, dhe që secili ta dojë të afërmin si veten e tij d.m.th. që të drejtën e tjetrit ta mbrojë si të vetën, ata vazhdimisht provojnë se kjo bindje ka fare pak pushtet mbi afektet. Duke qenë se njerëzit drejtohen më shumë nga afektet se nga arsyeja del si rrjedhim se shumësia bie natyrshëm në një mendje dhe do që të drejtohet nga një mendje e vetme, (bajraktarizmi shqiptar) jo nën drejtimin e arsyes por nën drejtimin e një afekti të përbashkët; si shpresë e përbashkët apo padurim për t’u hakmarrë për ndonjë dëm që kanë pësuar bashkërisht nga sistemet apo drejtimet e ndryshme politike. Kjo është dhe një nga arsyet që sjell atë gjindje tejet të varfër e të paplotësuar në familjet e varfra ku hyra të jetoj disa ditë. Unë nuk e di se çfarë mund të bëjmë me plagët prej të cilave njerëzimi vuan, shkruan ambasadori amerikan, por ajo çfarë unë di që duhet të bëjmë është të mos dorëzohemi. Por të jesh optimist në Shqipëri është kaq shumë e vështirë. Por nuk është e pamundur dhe nuk është as moralizuese. Qindra e mijëra të rinj që nuk duan të shkollohen këtu e jo vetëm, ata nuk e duan më këtë vend për t’u kthyer. Nuk e duan më sepse ajo nuk ka ç’t’i ofrojë më. As arsim të mirë, as libra të mirë, as filma të bukur dhe as ëndrra të bukura. Shqipërinë e vet po e zbojnë nga zemra dhe kujtesa. Dëshirën për të krijuar jetën e tyre nuk e kanë aspak të lidhur me vendin që i rriti. Dhjetëra familje që mbartin çantat mbi shpinë e nisin pas afro tri dekadash rrugën e emigracionit pak më civil kësaj radhe, për një jetë më të mirë e më të sigurt. Qindra të tjera gatiten t’u shkojnë pas të afërmve në Europë e Amerikë si atëherë kur Korçën e lanin me lot, atje te lëndina e lotëve. Çfarë politikanësh janë këta? Çfarë duan më nga ky vend kjo racë e mallkuar? Bjerrje apo djerrje? Kush do t’i ushqejë këto male? Kush do t’i ujisë këto toka? Kush do t’i ruajë pyjet e këtij vendi? Lumenjtë, detet kush do t’i qeverisë? Kjo e ardhme kujt do t’i mbetet? Prapë me kanune dhe oligarki familjesh do të qeveriset Shqipëria jonë e vogël? Kush do të shkruajë për historinë e Shqipërisë? Të huajt gjithmonë? Ky vend po plaket, por ja kjo është Shqipëria e sotme, i dashur ambasador. Një Shqipëri ku i vetmi pushtet që del me votë të drejtpërdrejtë nga populli është Parlamenti. Dhe ku për fat të keq edhe Parlamenti është thjesht një çështje sasie, çështje numrash; jocilësore. Të gjitha pushtetet e tjerë dalin me votë indirekte: qeveria doemos, presidenti prej ndryshimeve të fundme kushtetuese, krerët e agjencive kryesore kombëtare, diplomacia. Për të mos thënë se edhe pushteti gjyqësor sot kontrollohet prej një vote të dyshimtë.

Kështu të besosh se mund ta drejtosh shumësinë apo njerëzit që merren me çështjet publike, që të jetojnë vetëm sipas udhëzimit të arsyes, do të thotë të ëndërrosh për kohën e artë të poetëve apo për botën e përrallave. Thënia e Oscar Wilde që miku i shqiptarëve, ambasadori John Withers më rikujtoi më sipër, vjen nga një tregim për fëmijë me titullin “Princi i Lumtur”. Është një alegori e bukur dhe e trishtuar mbi të bërit mirë në jetën tonë. Një nga mesazhet e saj është të bëjmë ç’të mundemi për të tjerët. Një shtet, mbarëvajtja e punëve dhe mirëqenia e të cilit varet nga besnikëria e këtij apo e atij, nuk do të ketë asnjëherë asnjë lloj qëndrueshmërie. Përkundrazi, që ai të mund të mbahet më këmbë, çështjet publike dhe ato të varfërisë, duhen rregulluar në atë mënyrë që ata që administrojnë punët e shtetit, qofshin të drejtuar nga arsyeja apo nga afektet, të mos munden të veprojnë pabesisht apo kundër interesit të përgjithshëm, pasi për sigurinë e shtetit pak rëndësi ka, se ç’i shtyn njerëzit t’i administrojnë si duhet çështjet publike, mjaft që ato të administrohen si duhet. Në fakt, liria mendore apo forca shpirtërore është një virtyt personal, ndërkohë që virtyti i shtetit është siguria dhe mirëqenia që duhet t’u sigurohet atyre. Ndaj kumti im vjen sot si një thirrje për një të ardhme që po zbythet nga vendlindja dhe sado të përpiqemi të mbjellim lule erëmira në kopshtet e pakta të Tiranës, Bible apo Kurani qofshin, është një mallkim i pandalshëm për një vend ku rinia në kaq shumë shekuj histori, kërkon të ikë si në një eksod biblik në një vrap të pandalshëm.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button