Home / Ekonomia / Bankieri: “Guximtari” që drejtonte bankën 100% shqiptare

Bankieri: “Guximtari” që drejtonte bankën 100% shqiptare

Ngritja e Artan Santos, nga specialist në themelues dhe drejtues banke

Artan Santo (2)Dje u vra bankieri. Artan Santo ishte një afarist i guximshëm, që u shqua për marrëveshjet e mëdha ekonomike mes kapitalistëve të rinj shqiptarë dhe për ndërmjetësime të vështira financiare. Bankieri Santo shfaqej vetëm kur e kishte suksesin të hipotekuar, pasi kishte siguruar kompromisin e të gjithëve. Ai do të bëhej protagonist i shumë lëvizjeve që do të vendosnin gurët e themelit të sistemit të bankar privat. Vepra kryesore e tij është “Credins Bank”, e themeluar si banka e parë private me kapital tërësisht shqiptar. Vrasja e tij pikërisht para selisë qendrore të kësaj banke duhet të ketë një domethënie për ata që e urdhëruan vrasjen.

Karriera

Artan Santo e arrinte gjithçka  hap pas hapi dhe shënonte rezultate. Ai ishte aksioner te “Credins Bank”, “Focus Group” dhe RTV SCAN. Por më parë ai kishte dhënë prova si bankier i zoti.  Mund të thuhet se Santo e shpëtoi ish-Bankën e Kursimeve nga falimentimi. Në korrik të ‘97-s emërohet drejtor i përgjithshëm i kësaj banke, e cila ishte me një humbje prej 6.6 miliardë lekësh në bilancin e saj financiar.  Pas tre vjetëve, para largimit të Santos, rezultati financiar i bankës ishte 6 miliardë lekë fitim. Eksperienca e tij e parë si drejtues ka qenë në moshën 23-vjeçare. Me përfundimin e Fakultetit Ekonomik, në vitet 1976-1979  pas diplomimit si ekonomist kontabël, Santo emërohet kryerevizor në ndërmarrjen tregtare industriale. Në vitin 1984 punon në Institutin e Studimeve Ekonomike, në sektorin e ekonomisë botërore, në rolin e bashkëpunëtorit tekniko-shkencor dhe qëndron në atë pozicion për rreth 5 vjet. Në vitin 1990, Santo do të hynte në Bankën e Shqipërisë ku do të drejtonte sektorin e jashtëm dhe më pas atë të kambizmit. Në vitin 1991 kalon në ish-Bankën e Kursimeve, në gjigantin financiar shqiptar, siç i pëlqente ta quante kur fliste për këtë përvojë. Në këtë bankë Santo do të punonte gjatë dhe do të linte gjurmë.  Në mes të vitit 1992, do të emërohej zëvendësdrejtor i përgjithshëm i kreditit në këtë bankë dhe më pas drejtor i këtij sektori. Në vitin 1993 bëhet zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Bankës së Kursimeve dhe drejtor i degës së Tiranës. I palodhuri Santo, për tre vjet më pas, do të punonte si drejtues i sektorit të huave me probleme. Këtë post e mban deri në vitin 1997, kur emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Bankës së Kursimeve.

“Credins Bank”

Pas largimit nga Banka e Kursimeve, Artan Santo është një nga themeluesit e Institutit Financiar Credins, në vitin 2001, i cili i parapriu krijimit të bankës, në vitin 2003, të cilën e drejtoi në vazhdim, deri ditën e vrasjes.  Kështu, më 31 janar 2003 themelohet “Credins Bank”. Ajo përfaqësoi të parën bankë private me kapital 100% shqiptar. Por progresi i shpejtë i saj në treg rriti edhe interesin e investitorëve të huaj. Më 12 janar 2008, “Credins Bank” njoftoi pjesëmarrjen e dy aksionerëve të rinj. Këta dy aksionerë janë: “Balkan Financial Sector Equity Holding B.V.” (BFSE Holding B.V), Holandë, i cili do të përfaqësohej nëpërmjet “Development Financial Equity Partners” (DFE) si dhe aksioneri tjetër “State Secretariat for Economic Affairs” (SECO), i cili do të përfaqësohej nëpërmjet “Swiss Investment Fund for Emerging Markets” (SIFEM AG). Në vitet e fundit kur sistemi bankar pësoi goditje nga kriza globale, Santo, me mprehtësinë e një bankieri me përvojë,  e bëri “Credins Bank” kredituesin më të madh të biznesit vendas. Sipas të dhënave të BSH-së, në fund të tremujorit të parë të vitit 2014, “Credins Bank” ishte banka e katërt më e madhe në vend në bazë të aktiveve, me një total prej 116 miliardë lekësh. Në raport me bankat e tjera, “Credins Bank” zë  8.4% të tregut bankar. Për sa i përket kreditimit, “Credins Bank” renditet e treta, pas BKT-së dhe “Raiffeisen Bank”, me stok total prej 71 miliardë lekësh, duke qenë banka me rritjen më të madhe për sa i përket kreditimit në tremujorin e parë të këtij viti. Pas gjithë këtyre arritjeve në jetë, për Santon nuk pritej ky epilog me plumba. Shoku dhe kolegu i tij i vjetër, ministri Shkëlqim Cani, i tronditur,  do të thoshte: “Artan Santo u largua nga ne në mënyrë të pamerituar. Miku dhe shoku kombinatas, shumë vite së bashku. Kujtimet e mira nuk mund t’i fshijë ky akt mafioz. Ndihem keq. Humba një shok, një mik”. Santo u rrit në lagjen e Kombinatit, në familjen e një prej drejtuesve të Kombinatit të Tekstileve dhe të një mësueseje. Ishte i shquar qysh fëmijë. Në fakt,  qysh në atë kohë e përjetësoi veten në një film artistik duke lënë pas një personazh të paharruar. E kush nuk e mban mend  “Qullacin” te filmi “Guximtarët”. Jeta e tij, siç do të shprehej Santo më vonë,  i ngjan rritjes së këtij djali në film.

CV

Kush ishte Artan Santo

Artan Santo lindi në Tiranë, në shtator të vitit 1956.

1976-1979 – Fakulteti i Ekonomisë, diplomohet ekonomist kontabël.

1981-1987 – Fakulteti i Shkencave Politike–Juridike, diplomohet jurist.

Eksperienca e punës

Bashkëpronari i medias “Focus Group” dhe i “TV SCAN”

2003-2004 e në vazhdim: Drejtor ekzekutiv i “Credins Bank”.

2001-2002 Instituti Financiar Credins, drejtor i kreditit.

1997-2001 Banka e Kursimeve, Drejtor i Përgjithshëm.

1994-1997 Banka e Kursimeve, drejtor i Drejtorisë së Huave me Probleme.

1993-1994 Banka e Kursimeve, zv.drejtor i përgjithshëm, drejtor i Degës së Tiranës.

1992-1994 Banka e Kursimeve, zv.drejtor i përgjithshëm – drejtor i Kreditit.

1991-1992 Banka e Kursimeve, specialist krediti.

1989-1990 Banka e Shtetit Shqiptar, shef i sektorit studimor në Drejtorinë e Kambizmit.

1990-1991 Banka e Shtetit Shqiptar, zv.drejtor i Drejtorisë së Jashtme.

1984-1991 Instituti i Studimeve Ekonomike, Sektori i Studimit të Ekonomisë Botërore, bashkëpunëtor tekniko–shkencor.

1981-1984 Ndërmarrja Tregtare Industriale Tiranë, kryerevizor.

 Zamir Alushi

Leave a Reply

%d bloggers like this: