Opinion

Put-in apo Put-out?

AHMET DURSUN

Ahmet DursunDe-kriminalizimi i Parlamentit quhet komedia e fundit…ashtu si propozimi “Kanuni i Lek Hashashit” disa javë më parë, këmbëngulja e radhës për t’u bërë gazi i botës!

***

Revolucionarë profesionistë, ç’t’i thuash! Injoranca, zanat i çuditshëm…

Kësaj here magjia është e fshehur në rrokjen –de-. Afishimi i kriminelëve e më pas filmi i Parlamentit tëde-kriminalizuar dhe kinemaja plot!

Dhe mendo, e gjitha kjo veçse me fuqinë e zezë të rrokjes –de-!

Deformim – formim, i degraduar – i graduar;degjenerim – gjenerim; devijim- vijim!

***

Çdo të thotë krim për ju të dashur parlamentarë?! Si e përkufizoni dhe bëmat e krimit si dallohen nga terrori? Vjedhja, dhuna, vrasjet, trafiqet, prostitucioni, gjenocidi, mashtrimi, korrupsioni, poshtërimi, manipulimi, abuzimi…? Si renditen dhe kush do ti vërë mbi peshore në përfundim?! Gjyqtarët? Ata që i zgjodhët vetë Ju me kartonë “jeshilë”?!

Ashtu si keni nisur përpjekjen për t’i gjetur e dënuar kriminelët e komunizmit të 70 viteve më parë, pse të mos keni të njëjtin vullnet për t’i zbuluar edhe këta të pluralizmit?! A ka ku të rri kjo? A është e ndershme?

Përkufizoni ju lutem kuptimin e krimit!

Për djalin tim, gjella me presh në kopsht është një akt kriminal p.sh.

Betonizimi i parkut të liqenit për harabelat është një krim vrastar… po për ju?

P.sh. kur eci me gruan në rrugën e Fortuzit më duket vetja sikur jam një prej balerinëve në Koncertin e Vjenës dhe e dini pse? Sepse kriminelët kanë mbjellë pemë në mes të një trotuari një metër të gjerë dhe çdo 20 metra ia lëshojmë dorën njëri-tjetrit sa të kalojmë trungjet me radhë! Ja një krim sa qesharak, aq edhe i rrënjosur.

Dhe…

A është kryekëput një sistem kriminal ky, i cili të lejon të zgjedhësh dhe ta ndalon të zgjidhesh?!

Mirë, ta zëmë se deri këtu e kisha unë gabim, ma përkufizoni atëherë se ç’nënkuptoni me demokracinë. Si e përkufizoni? Është gjë që hahet, pihet, apo është një lloj mbulese që pengon t’ju duken pjesët e turpshme të mendësisë, shpirtit e trupit tuaj?!

Uluni veç e veç dhe shkruani çdo të thotë demokraci për ju… madje edhe kopjoni po të doni.

Nuk e bëni dot, sepse keni frikë mos ju del në pah mendësia e njëjtë me Presidentin Putin….instalimi i autokracisë, diktatit, plutokracisë nga kryeplaku deri te Presidenti.

Me një dallim thelbësor, Ai -Putini- të paktën nuk fshihet pas termave si demokraci, liri, shtet i së drejtës, integrim, anëtarësim, liberalizim etj…dhe ndjek ndershmërisht rrugën e tij të gabuar.

Pra…

Një sistem i cili të lejon të zgjedhësh dhe të pengon të zgjidhesh quhet veçse mokraci të dashur parlamentarë… dhe derisa t’i vihet rrokja de përpara mokracisë suaj, çdo përpjekje do kthehet në një komedi banale!

Demokracia mbetet, mbi këdo dhe mbi gjithçka, forca e dijes që i jep drejtim çdo kthese dhe gris çdo perde të shfaqjeve të turpshme!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button