Home / Arte / Ekspozita / Gratë, skllave të dëshirave

Gratë, skllave të dëshirave

Gjashtë artiste femra nga Kosova në Muzeun Historik Kombëtar

kater grate“Ajo është shënjestër, truri ynë duhet të jetë i programuar t’i ndihmojë”. Zake Prelvukaj e shoqëron me këtë thënie ciklin e pikturave të saj që qëndrojnë në hapësirën e Muzeut Historik Kombëtar. Imazhe të deformuara të trupit femëror vijnë përmes një zone që artistja e sheh si të nxehtë dhe e quan “sexhibition”. Janë gjashtë artiste nga Kosova, Zake Prelvukaj, Buqe Berisha, Eliza Hoxha, Miellma Goranci Firzi, Blerta Surroi, Arlinda Hajrullahu, që kanë hapur një ekspozitë të përbashkët të quajtur “Unë jam” në Muzeun Historik Kombëtar. Interesante janë dhe tablotë e Surroit. Duke e quajtur ciklin e pikturave “Paqe, Art, Dashuri”, ajo shpalos tablo që sjellin “Lutjen në kala”, “Mëngjesin në Gjirokastër”, apo “Fejesën”. Kjo e fundit vjen përmes motiveve të gdhendura me delikatesën e një femre, që mund t’i imagjinojë në rrethin e një unaze. Arlinda Hajrullahu në ciklin “pa këmbë”, kërkon të nxjerrë në pah rëndësinë e gruas për njerëzimin. “Në asnjë moment mos harro se ti je trungu, grua dinjitoze! Në asnjë moment mos lejo të bëhesh degë, se pashmangshmërisht do thyhesh”, shkruan ajo në parathënien e punëve të saj. Eliza Hoxha mendon se “abstraksionet bëjnë jetën”. “Copëza realiteti, copëza arkitekture dhe copëza jete kornizohen të abstraktizuara si interpretim vetanak nga stimulimet e përditshme fizike, sociale dhe mediatike, duke u dematerializuar apo shkëputur, për t’u ristrukturuar në një interpretim të ri”, shkruan ajo. Për Buqe Berishën “femra është mbretëresha e botës, por skllave e dëshirave”. “Vetëm gruaja mund të qajë dhe të qeshë për të njëjtën arsye… Ne jemi ato…”, shkruan ajo. Në pikturat e Mjellma Goranci Firzi ka shumë ngjyra. Hapësira ku një femër duhet të endet sipas saj është e kuqe. “Femra dhe lule” e quan ajo ciklin e pikturave të saj në këtë ekspozitë, duke e shndërruar çdo trup femëror në një lule të madhe dëshirash. Ajo çfarë i bashkon këto vepra është mesazhi kundër skllavërisë bashkëkohore. Gjashtë artistet kërkojnë që imazhi i femrës së Kosovës të shihet ndryshe jashtë saj. Vetë titulli i ekspozitës “Unë jam” flet për nevojën e femrave për t’u identifikuar, për ta vënë në dukje prezencën e tyre, edhe aty ku është e vështirë të shihet. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 25 mars.

Leave a Reply

%d bloggers like this: