Amerika

Protesta kundër dhunës policore; viktima e radhës një 57-vjeçar me ngjyrë

Një turmë protestuesish në Miçigan të Shteteve të Bashkuara kanë kërkuar shkarkimin nga detyra të dy agjentëve të policisë, pasi një video i tregonte ata teksa rrihnin brutalisht një të dyshuar me ngjyrë.

shba-policia-druFloyd Dent, 57 vjeç, u arrestua gjatë një kontrolli të trafikut në janar, ndërsa videoja e publikuar së fundmi tregon një oficer që e godet disa herë atë me grushte në kokë teksa mbahet i shtrirë në tokë.

“Jam me fat që jam gjallë. Mendoj se ata donin të më vrisnin, sidomos kur tentuan të më mbysnin”, tregoi 57-vjeçari Dent për një televizion lokal, që transmetoi pamjet ditën e martë.

“Kisha mbetur pa frymë, u thosha oficerëve ‘ju lutem, nuk marr dot frymë’, por ata vazhdonin”, vijoi ai rrëfimin e tij.

Dent tha gjithashtu se kishte kaluar dy ditë në spital për të mjekuar plagët e marra në fytyrë dhe në kokë.

Policia fillimisht e akuzoi atë për agresion, rezistencë ndaj arrestimit dhe zotërim narkotikësh, duke deklaruar se kishte gjetur kokainë në sediljen e pasagjerit të makinës së tij.

Por 57-vjeçari thotë se ishin policët ata që e vendosën drogën atje. Akuzat për agresion ndaj agjentëve dhe rezistencë ndaj arrestimit u rrëzuan më vonë.

Së fundmi në Shtetet e Bashkuara janë rritur ndjeshëm rastet e dhunimit të personave me ngjyrë nga policia.

Rastet e vrasjes së disa të rinjve nga agjentët në Ferguson dhe Nju Jork kanë bërë që të ngrihen shumë debate mbi të drejtat e komunitetit afro-amerikan.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button