Opinion

Nga dekomunistizimi te dekriminalizimi

Kiço Blushi
Kiço Blushi

Ecuria e vështirë e me shumë pengesa e shoqërisë tonë në këtë çerek shekulli, politikisht është emërtuar tranzicion. Dihet që ky i ashtuquajtur tranzicion i tejzgjatur pat nisur me procesin e bujshëm të dekomunistizimit me shpresë për të mbërritur shpejt në demokraci (qoftë edhe të brishtë), si na thuhej e si kujtuam atëbotë. Por ja që sot, në fillim të vitit 2015, po del që paskemi hyrë në një tjetër hulli, të re e më të vështirë: Në atë të dekriminalizimit.

Po a u mbyll procesi i dekomunistizimit? A përfundoi me sukses “ky plan mbi njëzet vjeçar”? A jemi çliruar përfundimisht nga mendësia komuniste që e pengonte integrimin, demokratizimin dhe bashkimin me Evropën? Dhe pyetja tjetër, së cilës askush nuk i jep dum: Përse pas dekomunistizimit ne ramë nga shiu në breshër, në nevojën e ngutshme për t’u dekriminalizuar?

E për të vazhduar ca më tej me kësi mëdyshjesh të pa përgjigje, mbetur në udhëkryq: Kush është përgjegjës për këtë rropamë e zezonë politiko-morale, pasi dihet që, një shoqëri që mëkohet e drejtohet nga krimi, që detyrohet të bjerë e të jetojë në anarki është më e rrezikshme e më fatkeqsjellëse se një tjetër nën diktaturë. Kush e kriminalizoi Kuvendin dhe politikën, Doshi e Frroku, apo politika i thirri ata në skenë? Në listat e kryetarëve ata u futën me dhunë e me maska, si futen hajdutët nëpër banka, apo u ftuan? Po përse?

As që bëhet fjalë të përgjigjet kush, edhe pse quhemi vend kandidat për në BE, edhe pse po hyjmë sërish në zgjedhje. Të gjithë janë të ndotur e të gjithë krerët partiakë deklarojnë se kanë qenë dhe kanë mbetur gati-gati si ndozot apostuj të Nënë Terezës. Paçka se punët nuk na kanë shkuar mbroth. Kriminelët dhe keqbërësit tanë të politikës nuk ikin në drejtim të paditur, si ordinerët, si hajdutët me maska; përkundrazi, ata bëjnë ligje, mbajnë fjalime, akuzojnë kundërshtarët, vetëkarfosen ekraneve e podiumeve, shtojnë trafikun e influencës, rrisin fitimet e përfitimet, madje na shesin edhe moral. Demagogjia e tranzicionit nuk e vret hiç mendjen për kësi arsyetimesh moraliteti. Aq më pak nuk e vret ndërgjegjen (të cilën nuk e ka!) për të zbuluar e kërkuar shkaqet e vërteta si dhe për t’i dhënë opinionit publik një përgjigje kaq të thjeshtë se përse, pa u mbyllur dekomunistizimi sot na lipset një tjetër betejë e dështuar që në nisje: Dekriminalizimi. Ose: Kush beson se mbas sodit, meqë Prokuroria e Përgjithshme burgosi Doshin dhe Frrokun, madje sikur nesër t’u hiqen mandatet edhe 19 deputetëve të dyshuar për lidhje me krimin, ne, më në fund, do të gjejmë karar e do të biem në paqe?

Edhe më naivët nuk i hanë më këto gjepura. Sepse kur një shoqërie i hyn krimbi në majë, procesi i dezinfektimit është më i vështirë se kur krimbi i hyn një kornize të vjetër pikture…

***

Duket sikur dekomunistizimi nuk ka lidhje me dekriminalizimin, përveç nyjës kohore që njëri proces vjen në radhë pas tjetrit.

Nuk është e re dhe as e panjohur po të thuhet se dekomunistizimi dhe dekriminalizimi janë dy anë të së njëjtës medalje, të medaljes që qëndron varur në thiletë e xhaketave të të njëjtëve krerë. Nj’ashtu si pas përmbysjes së diktaturës dekomunistizimin e përqafuan, përvetësuan, e ideuan dhe e drejtuan ish-komunistët fanatikë, të tjetërsuar asokohe në antikomunistë po aq fanatikë, edhe dekriminalizimin e kanë shpikur dhe po e tërheqin për hunde pikërisht ata që e mbollën farën e krimit, të korrupsionit dhe të mashtrimit të popullit në popull, për popullin. Qëllimi duket i njëjtë. Mjerisht edhe fjalori, edhe synimi, edhe mjetet, edhe fytyrat, edhe taktikat. Andaj zor se beson kush që tek ne do të mund të kryhet dekriminalizimi. Si mund të kryhet dekriminalizimi kur autorët e vrasjeve të 2 prillit, autorët e pragluftës civile të ‘97-ës, ata të grushtit të shtetit të ‘98-ës, ata që i shitën detin Greqisë, ata që i shitën kompaninë energjetike çekëve, ata të vjedhjes masive të naftës, ata të Gërdecit e të 21 Janarit janë në krye të vendit e po molloisin për dekriminalizimin si të ishin engjëllorë?!

Afërmendsh, e gjithë kjo propagandë intensive, politike e mediatike, nuk bëhet për të zbuluar, larguar e izoluar nga pushteti deputetët e identifikuar apo të dyshuar si kriminelë të Kuvendit; as rishtarët me biografi të njollosur të qeverisë apo të administratës publike, por për të mashtruar e gënjyer sërish opinion publik se: Derisa ne po luftojmë me kaq vendosmëri e pathos për dekriminalizimin, ju votues mos pandehni se ne jemi të tillë vetë! Përkundrazi, të inkriminuar, kriminelë dhe mbrojtës të tyre janë kundërshtarët tanë!

Është e njëjta mendësi e metodë që përdorën ish-komunistët fanatikë të cilët përgjatë 20 vjetëve me antikomunizmin e tyre dhe me gjasme “luftën e pakompromis” për dekomunistizimin e shoqërisë e justifikuan bukurfort qëndrimin e tyre të gjatë në pushtet, duke u shtirur si të djathtë të thekur e të përbetuar. Absurdi është që po ata krerë partish e qeverish që me shembullin, me veprimet e mosveprimet e tyre e kriminalizuan shoqërinë deri në këtë farë feje, aq sa të miratohen rezoluta nën diktatin e ndërkombëtarëve…Prej një muaji Shqipëria ka mbetur e mbërthyer vetëm në një hall: Te “çështja Doshi”. Po a u zgjidh drama?

Ashtu sikundër ligji dhe propaganda për hapje-mos-hapjen e dosjeve, bashkë me ligjin e dështuar për lustracionin i cili në fund të viteve ‘90-të dështoi, pasi u provua edhe nga ndërkombëtarët që nuk synonte dekomunistizimin, por eliminimin e kundërshtarëve politikë, ashtu edhe “platforma” për dekriminalizimin nuk ka për qëllim të çlirojë përfundimisht politikën dhe shoqërinë nga sundimi i krimit, por të krijojë iluzionin optik se krerët e sotëm nuk kanë lidhje me botën e krimit.

E gjithë kjo farsë është sikur një i sëmurë me kancer të synojë të shërojë e kurojë jo vetëm mjekun, por gjithë spitalin. Në një spital ku të gjithë janë të çmendur e të gjithë deklarojnë në publik se atyre u dalin analizat në rregull. Ç’farë cinizmi!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button