Home / Kryeartikull / Delegjitimimi i kundërshtarit, miopi politike

Delegjitimimi i kundërshtarit, miopi politike

1427705595Skender-Minxhozi-e1357845728822

Skënder Minxhozi

“Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë ta mbajmë gojën mbyllur, kur s’kemi gjë për të thënë”. Këto fjalë të mençura shqiptoheshin nga Faik Konica më shumë se një shekull më parë.

Ka pasur parasysh shqiptarët e fillimshekullit të njëzetë, por fare mirë mund ta kishte përdorur këtë lutje edhe për tre a katër brezat që pasuan më vonë.

Të dish të heshtësh është disa herë më e vështirë se të dish të flasësh dhe ne shqiptarët, më së pari ata që na kanë drejtuar, jo gjithmonë kemi qenë të aftë të mendojmë, para se ta hapim gojën. Dy dekadat e gjysmë tranzicion, kanë prodhuar, veç shumë e shumë të mirave e të këqijave të të gjitha përmasave, edhe një mal të lartë sa Everesti, me fjalë të të gjitha formave e peshave, me mendime e ide të vlefshme, por edhe me llafe e me llogje pazari.

Duket se po jetojmë një moment kur ka një mbiprodhim fjalësh në mejdanin shqiptar. Ngjarjet e fundit kanë provokuar retorikë të skajshme, kërcënime dhe akuza pafund. Opozita i ka hipur kalit të dekriminalizimit, duke llogaritur që të mbushë përmes kësaj beteje, hendekun e votave që e ndan nga shumica pas zgjedhjeve të fundit. Bashkë me konsumin e qeverisjes thuajse dyvjeçare të Ramës, kjo është një pistë tjetër preferenciale për Bashën dhe Berishën. Por në këtë ngritje të dukshme tonesh të krerëve demokratë, ka një hije që vjen nga e shkuara e afërt, kur Berisha nuk e quante Ilir Metën “vrasës” e kur ky i fundit mbante në dorë çelësat e asaj mazhorance.

Nëse shohim pas, kujtojmë se Lulzim Basha i shpëtoi një hetimi zyrtar të Prokurorisë së Përgjithshme, duke mos vajtur në gjykatë e duke bërë kësisoj, që të digjen afatet e gjykimit. Ai ka shpëtuar pra me procedurë, e jo me marrje pafajësie, nga një akuzë që i kalon 200 milionë eurot. E që nuk është bërë në kafen e lagjes nga tre pleq të ngeshëm që luajnë domino gjithë ditën, por nga institucioni zyrtar që formulon dhe që mbron akuzën në këtë shtet! E njëjta gjë mund të thuhet edhe për marrëveshjen detare me Greqinë, ku ai sërish ishte protagonist.

Një sjellje e ngjashme është vërejtur edhe për të tjerë ministra e zyrtarë të lartë, të cilët kurrë nuk u gjykuan drejt për atë që bënë ose nuk bënë, nga pozitat që mbanin. Kujtohet ende sot një ish-drejtor tatimesh, i cili, megjithëse u mbajt në arrest shtëpie nga drejtësia shqiptare, nuk u hoq nga detyra nga Kryeministri i kohës, Sali Berisha, aq sa ja dërgonin edhe shkresat e punës në shtëpi për firmë! Për të mos folur më pas për faktin më flagrant të imagjinueshëm, atë të mosdorëzimit të një grushti gardistësh nga ana e qeverisë, pas 21 janarit, me pretekstin humoristik të “sabotimit të zinxhirit drejtues të Gardës”! Kur kujton këtë episod të fundit dhe kur dëgjon fjalët e Lulzim Bashës në Kukës, i cili deklaronte dje se “do të nxjerrim banditët nga zyra, me hir a me pahir”, nuk mund të mos nënqeshësh hidhur.

Qeverisja e shkuar nuk e ka treguar thuajse në asnjë hap të saj, përgjegjshmërinë që pretendon sot nga qeverisësit e rinj. Ka kontestuar, sharë e fyer çdo kryetar shteti, kryeprokuror e zyrtar tjetër që ka guxuar të kundërshtojë, në dekadën e fundit. Ka hedhur hapa identikë, madje më të rëndë, se ata të shumicës së sotme, të cilat i konsideron si skandaloze, të papranueshme e kriminale. Ndërkohë, ajo që po ndodh është se PD po sheh veten e saj në pasqyrë, teksa sulmon PS dhe qeverinë e saj të koalicionit.

Në vitin 2009, kur e djathta mundi të marrë vetëm 67 mandate, ndërsa i duheshin 71 të tilla për të krijuar qeverinë, Berisha nuk u mendua dy herë, për t’i shtrirë dorën Metës. Asokohe bashkimi i “Sali Gërdecit” me “Ilir floririn”, siç e quanin njëri-tjetrin Berisha me Metën, nuk qe një “aleancë qelbësirash”, por një qeveri e “integrimit europian”, siç e quanin rëndom. Kurse sot, kur Rama me Metën bëjnë të njëjtën gjë, pra bashkojnë votat, qenka medoemos një qeverisje kriminelësh e qelbësirash! Mos i bëj tjetrit atë që s’do të doje të ta bënin ty, thotë një proverb i njohur.

Opozita e ka futur në mënyrë abuzive epitetin e mësipërm, në fjalorin e saj të përditshëm. Duke marrë një figurë letrare të përdorur në një shkrim, nga një koleg që sot kritikon jo pak edhe Ramën, edhe qeverinë e tij. Në pazarin e rrëmujshëm të politikës shqiptare, përdorimi i togfjalëshit “aleancë qelbësirash” shënon një rënie të panevojshme klasi, nga ana e opozitarëve. Të delegjitimosh është e lehtë, por nuk është kjo zotësia e një force politike të përgjegjshme. Edi Rama e delegjitimoi gjatë shumicën e shkuar kur ishte në opozitë, duke i kërkuar të hapte kutitë, por erdhi në pushtet vetëm kur iu kthye institucioneve dhe kur e njohu kundërshtarin si të tillë, me të drejta të plota dhe pa epitete si ky i mësipërmi. Sa më shpejt që Basha të dalë nga tuneli i baltës dhe i sharjeve, aq më afër do ta gjejë rrugën e rikthimit në pushtet. Radikalizimi i gjuhës kënaq turmat, por nuk rrit kreditet politike. Këtë mësim të pashkruar na e ka mësuar në mënyrë të përsëritur tranzicioni i gjatë dhe i mbushur me urrejtje.

Opozita po përplaset sot ngado që të kthejë kokën, me standardin e shtrembër që ka vendosur ndër vite, për tema që sot i konteston. Standardin e mosdorëheqjes, të mosdënimit e të mospërfshirjes në institucione. Në një pjesë jo të vogël, ajo ka të drejtë në kontestimet e saj. Por teksa kërkon që shumica të mbajë përgjegjësi, ajo s’mund të mos llogarisë efektin negativ që ka mbi aksionin e saj politik, mënyra si është sjellë, kur ishte në qeveri. Sepse të mbroje Ilir Metën dje, ishte shumë e vështirë sesa ta mbrosh nga akuzat e mjegullta që i bëhen sot. Dhe PD e mbrojti pa mëdyshje aleatin e saj dje. Ashtu siç po kërkon ta ndëshkojë me çdo kusht sot. Dhe ky është problemi që lind nga përballja e dy qëndrimeve.

Leave a Reply

%d bloggers like this: