Politika

PS- Gjylameti: Basha nuk ka qenë asnjë ditë kryebashkiak i Tiranës

Partia Sociaiste ka reaguar sot ndaj deklaratave të kreut të Partisë Demokratike se, nuk do të rikandidojë për Bashkinë e Tiranës.

25-tetor-blerina-gjylametiDeputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti, u shpreh se kjo gjë nuk përbën lajm, pasi sipas saj, vendimin për të mos rikandiduar Lulzim Basha e ka marrë në fakt që në momentin që u emërua në atë post me votat e shpikura nga Arben Ristani, sepse ai nuk bëri asgjë për Tiranën në 4 vjet.

“Lulzim Basha nuk ka qenë asnjë ditë kryebashkiak i Tiranës, por thjesht një individ që mbajti për 4 vjet karrigen e kryetarit të bashkisë dhe do të lërë gjurmë në kryeqytet si njeriu që s’bëri asgjë. Thjesht asgjë! Zgjedhjen për të mos kandiduar për Tiranën, Lulzim Basha nuk po e bën tani, e ka bërë në katër vjet duke mos u marrë me qytetarët dhe problemet e kryeqytetit. Lulzim Basha po i kursen vetes ndëshkimin e merituar me votë nga qytetarët e kryeqytetit që në këto 4 vite kanë parë sesi ka degraduar nga dita në ditë hapësira e përbashkët ku ata kanë zgjedhur të jetojnë e të punojnë”, tha Gjylameti.

Sipas deputetes socialiste, Lulzim Basha mund të shpikë çfarë arsye të dojë për të justifikuar faktin që sot s’ka guxim t’u dalë përballë banorëve të Kryeqytetit, por tha ajo, “arsyet e vërteta janë krejt tjetër”.

Premtoi se do të pajiste të gjitha shkollat e kryeqytetit me sistem ngrohje, por sot situata është më keq se ç’e gjeti me 50% të shkollave pa asnjë lloj sistemi dhe me pjesën tjetër me sisteme tërësisht të amortizuara. Premtoi gjelbërim, parqe, kënde lojërash për fëmijët, por s’ka bërë asgjë. Ndërkohë që Plani Urbanistik i Tiranës i Bashës i mori kryeqytetit 16 zona të gjelbra dhe i shndërroi në sheshe ndërtimi. Duke filluar me Lulishten përballë Bibliotekës Kombëtare, atë pas Pallatit të Kulturës, Parkun e Namasgjasë, ku në një rast unik në botë tentoi t’i bashkëngjisë xhamisë një qendër tregtare. Ndër zonat e tjera të gjelbra që do shndërroheshin sipas Bashës në sheshe ndërtimi me planin e tij janë; zona e SHQUP-it, Parku i Fushës së Aviacionit, Qyteti Studenti, Fusha e Sportit prapa Stadiumit “Qemal Stafa”, ish-Shkolla “Kosova”, Zona e Fushave te “Ali Demi”, Ekspozita “Shqipëria Sot”, Zona e Lodrave tek “7 Xhuxhat”, Zona e Lulishteve te Vëllezërit Frashëri, Ndërtime mbi Digë, Zonën e Shkollës së Bashkuar, Zonën e Tregut dhe Zonën e Kinostudios. Premtoi hapësira sportive, por ka lënë të degradojnë edhe ato hapësira që trashëgoi se për ndërtimin e hapësirave të reja as që bëhet fjalë. Premtoi sistemimin e rrugëve e trotuareve, por e ftojmë të bëjë një xhiro me makinë nga treni tek Sheshi Nënë Tereza dhe të numërojë gropat për të parë në ç’gjendje janë sot rrugët”, theksoi Gjylameti.

“Qytetarët e Tiranës do të jetojnë në një prej qyteteve më të pastra në Europë me sistem të diferencuar mbetjesh, premtoi Luli në 2011. E ftojmë sot të dalë e të na thotë qoftë edhe një gjë të vetme që ka bërë në këtë drejtim. Brenda vitit të parë të mandatit do të çajmë tokën për të nisur punimet për Bibliotekën Universitare Bashkiake të Tiranës, thoshte Luli në 2011. Do të rehabilitohen rrugët pa ndriçim, në shumë zona të qytetit, thoshte Luli në 2011. Do të ndërtohet Parku tjetër i Madh i Tiranës. Do të ndërtohet në çdo Njësi Bashkiake të paktën një qendër rekreative-sportive publike për të gjitha. Do të lehtësohet dhe zgjidhet kaosi i trafikut dhe lëvizje e lehtë, e shpejtë dhe e sigurt e këmbësorëve dhe automjeteve në të gjithë qytetin dhe do të ndërhyhet në nyjen tek Dogana. Ujërat e zeza nuk do të derdhen më në Lumin e Tiranës, por do të përpunohen. Do të ndërtohet një Kampus i ri Universitar për UT në hapësirën mes Fakultetit Ekonomik-Filologjik Do të ndërtohet Korridori Rekreativ i Lumit të Tiranës. Do të çlirohen trotuaret nga zëniet abuzive. Do të eliminohet mësimi me dy turne. Do të ndërtohen të paktën dy nënkalime për të lidhur dy zonat e banimit përgjatë segmentit rrugor nga Zogu i Zi tek Dogana. Do të investohet për ngritjen e qendrave diagnostikuese mobile. Do të ndërtohen mbikalime, nënkalime, si dhe parkime nëntokësore. I ftojmë të gjithë qytetarët të shkojnë të parkojnë automjetet e tyre në parkimin nëntokësor tek stadiumi Qemal Stafa. Duke filluar nga vera 2012, Bashkia do të financojë shkolla dhe kopshte verore për të gjithë fëmijët, nënat e të cilëve janë në marrëdhënie pune.
Do i jepet përparësi trotuareve, korsive për transportit urban dhe biçikletave dhe do të bëhen përshtatjet për nevojat e individëve me aftësi të kufizuara. Për të kaluar pastaj tek dy premtimet madhore të Lulit Karta Studentore Bashkiake, me të cilën do të ofrohej transport falas dhe tarifa të reduktuara për shërbimet dhe Tramvaji i famshëm, që e ka kthyer Lulin tanimë në një personazh për barsoleta’, tha Gjylameti.

Natyrisht, shtoi deputetja socialiste, “të gjithë ne do të donim ta dëgjonim Lulin që krahas vendimit për mos rikandidim të bënte edhe një bilanc të punës së tij. Por bilancin ia kanë bërë tashmë qytetarët. Pas 21 qershorit bashkia e Tiranës do të ketë një kryetar të ri dhe ky makth i quajtur Lulzim Basha do të mbarojë, duke i hapur rrugë mirëqeverisjes, zhvillimit, por edhe normalitetit që kaq shumë ka munguar në këto 4 vjet.

Reagon Bashkia e Tiranës: Lulzim Bashën nuk e lidh asgjë me standardin e Edi Ramës

Bashkia-Tiranes1-466x35013 (1)Në një reagim të saj bashkia e Tiranës thekson se, “Lulzim Bashën nuk e lidh asgjë me standardin e Edi Ramës, si kryebashkiaku që betonizoi Tiranën dhe kryeministri që kriminalizoi shtetin, thelloi varfërinë, papunësinë dhe pasigurinë për çdo familje shqiptare”.

“Sot, kur gjithë opinioni publik është dëshmitar i kriminalizimit deri në majë të këtij pushteti, kryeministri me i paaftë dhe gënjeshtar në historinë e Shqipërisë ripërtyp gënjeshtrat dhe sulmet e tij bajate ndaj Bashkisë. Ky që betonizoi Tiranën për 11 vite është sot kryeministri që ka krimininalizuar pushtetin, ka rritur papunësinë, thelluar varfërinë dhe pasigurinë. I verbuar nga xhelozia prej dështaku serial, Edi Rama bllokoi ndërtimin e bulevardit të ri, projektit më të madh urban në historinë e kryeqytetit, bllokoi qindra investime publike që hapnin mijëra vende pune dhe përmirësonin cilësinë e jetës së qytetarëve”, thuhet në reagimin e Bashkisë.

“Në 2 vjet, Bashkia Tiranë përfundoi planin urbanistik, realizoi më shumë punë publike se Edi Rama në 8 vjet, ndërtoi rrugë atje ku s’ka pasur investime për 20 vjet, mbylli plagë që dergjeshin prej dekadash pak metra larg zyrës së Edi Ramës; ndërtoi dhe rindërtoi shkolla, kopshte dhe çerdhe që rrezikonin të shembeshin, sepse kryetari i partisë nuk e kishte mendjen tek qytetarët”, nënvizon bashkia.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button