Home / Opinion / Forca e shembullit të Artan Didit

Forca e shembullit të Artan Didit

MIMOZA KOÇIU

MIMOZA KOÇIU

Dorëheqja e drejtorit të Policisë së Shtetit është një lajm që bën efekt edhe në kushte normale. Por dorëheqja e Artan Didit, befasonpër kushtet në të cilat po ndodh, e rrethanat që e prodhuan atë. Muaji mars nisi, po mbyllet, e me sa duket do vazhdojë edhe në muajt e tjerë me tronditjen e fortë publike për shkak të skandaleve të njëpasnjëshme, që po vetëprodhon kjo mazhorancë. Si për ironi, gjithçka nisi me një frazë prej “të forti”, e lëshuar shkujdesshëm nga deputeti verior Tom Doshi, se kur të fillonte të fliste, do i tundeshin themelet kësaj mazhorance e kësaj qeverie, dhe ashtu po ndodh. Në 18 muaj qeverisje, si kurrë ndonjëherë më parë, një mazhorancë nuk është sprovuar e konsumuar kaq fort nga aksionet, por edhe njerëzit e vet, duke na dhënë ditë pas dite imazhin e qatë të një shumice, që nuk është ngjizur aspak për interesa të qytetarëve. E kurrë si këto javët e fundit, askush nuk do e kishte imagjinuar se themelet e qeverisë do shkundeshin fort, pikërisht nga elementët e lartë brenda saj, e jo nga opozita, siç është detyra e kësaj të fundit. Artan Didi nuk pati kurajën, apo nuk iu dha mundësia, që të shpallte publikisht dorëheqjen e vet. Përgjegjësinë morale, siç u deklarua, për shkak se dy vartës të tij të Interpol Tiranës, paskan mbajtur të fshehtë kërkesën e Interpolit belg për arrestimin e deputetit Mark Frroku, Didi e mori me një komunikim shkresor. Publiku nuk pati mundësinë ta mësonte nga vetë oficeri i karrierës arsyen se përse ndodhi diçka kaq e rëndë. Por sqarimet i dha eprori i tij me pushtet politik,ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Ministri lavdëroi gjestin e Didit si forca e shembullit të punonjësit të policisë që merr gjithë përgjegjësinë, deri në vetësakrifikim të karrierës. Eksperienca e gjatë e Artan Didit në Policinë e Shtetit, dikur komandant i spikatur i RENEA-s, e deri tek aksionet antikanabis në Lazarat e Dukagjin, në fakt e bëjnë krejt të pakuptimtë këtë mënyrë të sakrifikimit profesional. Më shumë ngjason me një sakrificë politike, që lidhet me kontributin e z.Didi në zgjedhjet e 2013-ës për Partinë Socialiste, çka i solli si benefit emërimin në krye të Policisë së Shtetit. Me sa duket, eksperienca e pasur profesionale nuk mjaftonte pa një kontribut politik. Dorëheqja e Didit, në fakt vërtet duhet të bëhet shembull, një shembull për çdo njeri me uniformë e funksion publik, që nëse dëshiron të ushtrojë profesionin, thjesht duhet t’i rrijë sa më larg politikës, e cila për benefitet që të jep, çmimin e ka shumë të lartë, kur vjen puna te mëkatet e saj. E kjo shumicë po na e ilustron përditë se nuk po qeveris, por thjesht po ushtron pushtet. Një pushtet me të cilin po abuzohet aq keq, sa edhe Prokuroria nuk po di nga ta zërë, për të nisur shprishjen e lëmshit të interesave që kanë bashkuar këtë mazhorancë. Interesa aspak politike, e akoma më pak thjesht korruptive, por dukshëm interesa me tipare të veprave penale. Janë këto interesa që e kanë ngërthyer keq, e nuk po e lënë të marrë frymë, teksa është investuar 24 orë në 24 jo të mirëqeverisë, por të përdorë maksimalisht energjitë e mundësitë që të jep pushteti për të latuar, deformuar e mbyllur çdo akt që e nxjerr zbuluar, falë edhe teknologjisë së shpejtë të komunikimit. Edhe lartësimi i dorëheqjes se Didit është një shembull i tillë, kur Policia e Shtetit përdoret për të dhënë modelin e shembullit, që nuk e dha kurrë politika në këta 18 muaj. E njëjta politikë shumice, që pa pikë dëshire, po futet në drejtimin e detyrueshëm që i kanë dhënë ndërkombëtarët, luftën me krimin, brenda radhëve të saj. E në këtë betejë, duket se nuk kanë rëndësi ushtarët që humben rrugës, por shërbimi i tyre, e drejtori i policisë ishte ilustrimi i kësaj sakrifice, në emër të “forcës së shembullit”. E politika mund të vazhdojë të mburret pa gajle, se ky është një model i mënyrës së saj të reagimit, edhe pse duke u fshehur pas policisë, asaj që na fton ta duam pa kushte të gjithë. Vetësakrifikimi i Didit thjesht nxjerr zbuluar mënyrën se si ushtrohet pushteti në këtë vend. Çështja e Belgjikës e Mark Frrokut nuk është aspak e panjohur. Është artikuluar publikisht në Parlament nga ish-kryetarja e Kuvendit Topalli, 14 muaj më parë, si një rast që kishte tronditur edhe vetë mediat belge që e publikuan, e më pas edhe mediat shqiptare që iu referuan. Dukshëm kjo çështje ka qarkulluar më herët në korridoret e mazhorancës në veçanti, ashtu si edhe në qarkun që e ka nxjerrë z.Frroku deputet, e kjo shpjegon edhe indiferencën publike pas denoncimit të znj.Topalli. Gjithaq në dijeni ka qenë kjo mazhorancë qeverisëse edhe për akuzat që i adresoheshin vëllait të Mark Frrokut, pasi i kanë artikuluar vetë në shkurtin e vitit 2013, kur u vra komisar Lamaj. E megjithatë kjo nuk e pengoi kryeministrin që ta fuste e mbante në gjirin e vet qeverisës, aty ku numrat marrin më shumë peshë sesa parimet me të cilat fushatoi. Prandaj dorëheqja e Artan Didit nuk është e as nuk mund të shitet si forca e shembullit, të një modeli të ri që duhet të frymëzojë, politikën të parën. Ajo dorëheqje është shembulli i forcës së vetë politikës, për të fituar betejën e ditës. Fshehja e së vërtetave, po bëhet një modus vivendi për këtë qeverisje, e sa më fort që ajo bërtet për të na i shitur skandalet si standarde, duke na rikujtuar mëkatet e paraardhësve, aq më i pashpresë bëhet opinioni publik, që ende është në pritje, të paktën të një rasti të vetëm, të forcës së shembullit të marrjes së përgjegjësisë nga kjo politikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.