Opinion

Dreqi fle mbi … licencat

FADIL LEPAJA

Fadil LepajaE pse pikërisht te licencat, do të pyesni ju, edhe pse kot! Unë nuk do t’ju tregoj. Nuk do e lë as për në fund, se ju do e ktheni gazetën mbrapsht ose do e lëvizni “miushin” nga fundi. Kështu jemi, ne. Nuk kemi durim. Do e lë nga mesi diku, në mes metaforave. Politika jonë, krejt e qëndisur me metafora! As edhe një shprehje shkencore apo profesionale, nuk e përmbledh dot kuptimin e saj.

Edhe pse qysh po duket koha e metaforave po ikën. Duhet me u përshtatë, me teknokratët, të cilët po shpresojnë t’i shtyjnë tutje oligarkët! Po luajnë lojën e fëmijëve: “Shtyju edhe pak, edhe pak, edhe paaak”! Po shpresojnë të bien vetë. Nëse u mbijetojnë detajeve, natyrisht. Se oligarkia, mbahet me detaje … ups, në licenca.

Po e “ristartoj” shkrimin, e po e nis me një pyetje të madhe: “Ku fle, dreqi”? Ngadalë more burrë, do të thoshte një miku im, sa herë që ia filloj kështu, me vrull! Pse po e nis ditën ters: me dreq e me gjumë? Po ku punon shteti, do të thotë pa një pa dy ai? Mos kanë zënë vend nëpër ministri për të punuar?! Për ashtu, gjysma e shtetit do e punonte tokën, edhe hambarët do të ishin plot. Por, te ne gjërat shkojnë ndryshe: gjinkalla bëhet ministër i Bujqësisë, e milingonat … zyrtarë për gjithçka. Nuk punojnë as milingonat. As nuk këndojnë. Kjo është situata. Populli punon për shtetin. Parakalon nëpër shesh. Sikur ajo seria. “Zyra për gjithçka.” Nejse, si e pate hallin? E ku fle … shteti?

Fle, fle, qysh nuk fle! Por, ti prit, pak, e na thuaj njëherë se kush është dreqi në këtë tregim, e pastaj të tregojmë ne se ku fle “Ai/ajo”! Se, që ta dini ju, dreqi mund të ketë edhe gjini, por duke marrë parasysh “censusin”, “drequa” te ne mund të jetë vetëm 30% femër. Pra, “Ai”! Ku fle?

E pra, ti si gjithnjë, drejt e në temë po më thoshte ky miku! Ku fle, me kë fle, si fle? Të dukemi gjë “paparacë” ne të merremi me këto gjëra?! Pastaj, ata që flenë s’janë edhe aq … dreqër! Interesant desha të them, por e lashë.

Fillimisht duhet përmendur thënia e famshme, mbase edhe shkencërisht të vërtetuar, se dreqi nuk fle! Do të thoni se disa këtë shprehje e përdorin kot, më shumë për armikun apo hasmin, thënë ndryshe. Por a nuk do të duhej të kishin të njëjtin kuptim këto? E keni parasysh thënien: “Uji fle e hasmi nuk fle”?! Kjo ka kuptim, sikurse kur themi “ne jemi të mirët e ata të këqijtë”. Kjo punë dihet. E armiqtë i kemi armiq, sepse, ne jemi të mirët e ata janë të këqijtë. Ec e rrëzoje këtë logjikë të çeliktë! “Ah dreq, dreqi”, të do thotë ëmbël e dashura, gruaja, prindi apo kushdo tjetër që të do, kur t’i bënë ndonjë të pabërë, të cilën ta falin aty për aty. E kur je me ata, ti je qoftëlargu. Edhe po të jesh i bardhë si gëlqere, do të thonë “dreqi i zi”.

Nejse, kështu thuhet në popull, se populli lexon edhe përshtat. Po licencat? Licencat i merr i “yni” … por, çfarë hyjnë këtu licencat, ne po flisnim për dreqin?! Të mirët, pra tonët, i licencon, e “atyre” u gjen behanen. Kështu, ti je peng i shtetit! Punon për shtetin! Shteti bëhet “shpi”!

Nuk është se kjo është lojë e zbuluar nga pushteti ynë meritor. Edhe librat e shenjtë kanë qasje të tillë, pra sipas llojit të dreqit. Në rend të parë është shumë me rëndësi se i kujt është dreqi. I yni apo i atyre? Por, mos e neglizhoni rëndësinë e pyetjes nga titulli: E ku fle pra ky dreqi?

Dreqi fle në detaje, do të thoshin juristët. Por çka të bësh në një shtet ku juristët janë dekor, se ligjin e bëjnë ata? Kush, ata?

Por të ndalemi edhe pak te metafora për dreqin dhe (sh)përdorimin e saj politik! Dikur një njeri i kapur në grackë nga shteti, pat thënë: “Këtu një dreq i madh është”, sepse i ngrati nuk e kuptonte se kah vinte fuqia e tyre. Ai shikonte ligjet, Kushtetutën, por jo! Nuk i përfillte kush. Çdoherë një “babë” është në kushtetuese, edhe një “nënë” në prokurori. Kështu e kanë shtetet, që u “grahin” shërbëtorëve të tyre, pra qytetarëve. Duke pasur parasysh luftën që po zhvillohet për kryeprokurorin, do të mund të ishte edhe e kundërta.

Por sot nuk po flasim për dreqin e tij. Ai ka ikur. Jo se edhe ai nuk e dinte se “bash një dreq i madh ishte aty, në detajet e ligjeve … por atë vetë e hëngri dreqi.

Dreqi për të cilin do të flasim sot, fle. Madje nuk fle mbi detaje. Ky fle mbi licenca. Është dreq modern, sepse fle mbi ligjet më moderne në botë. Kurrqysh nuk e kupton qysh i merr vendimet. E sheh atë të bardhin, me licencë? Atë të ziun me licencë? Ia kanë bërë hyzmetin, shtetit. Gara më tej është brenda familjes. Licenca është veç biletë me hipë në autobus. Aty fillon gara për … gjithçka. Shteti të bën shpi, e shteti të fik!

Përndryshe, ministrat janë engjëj. Më të mirët i zgjedh partia. Si nuset, në ditë të grave. E zëvendësministrat janë shumë. Ata nuk mund të jenë të gjithë të mirë. Ata edhe mund të jenë të përzier, kështu që përfaqësojnë kompromisin.

E kush përbën fuqinë? Kush fle mbi licencat? Askush nuk e di. Dihet se … jo bre, asgjë nuk dihet! Janë të lidhur si zorrët në bark. Mos i shih nga ngjyra! Nuk dihet. Dihet vetëm kush i nënshkruan.

I madh, po se po, dreqi! Askush se kap dot. As të huaj, as vendorë. Në këtë shtet, ku nuk të lejohet të punosh, të gjithë jetojnë nga licencat. Por, si të kapet filli? Ndoshta, derisa të kuptohet se kush fle aty, mbi licencat, fillimisht do të duhej që dikush të merret me nënshkrimet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button