Arte

Pullat, dritaret magjike të jetës së Zamir Matit( Piktor i Merituar )

pullatIntervistë mbi ekspozitën me vizatime origjinale të pullave shqiptare në vitet 70-80, realizuar nga Zamir Mati

Tiranë, 26 Qershor/ATSH-Flora Nikolla/.- Është konsideruar një gjetje, çelja këtë qershor në Paris,(Francë) e ekspozitës me vizatime origjinale të pullave shqiptare të botuara në vitet 70-80-të, realizuar në atë kohë nga Zamir Mati (Piktor i merituar). Ekspozita është hapur në Galerinë Espas 26, Place Denfert-Rochereau, Paris 14, një hapësirë e bukur e ALBinfos, në pjesën kryesore që rrethon sheshin e njohur ku në qëndër të tij ndodhet monumenti kushtuar mbrojtjes kombëtare me luanin e bronxtë, simbol të forcës. Janë kështu shumë seri pullash të krijuara nga piktori i njohur i cili prej më shumë se dy dekadash jeton në Paris. Ato janë vendosur së bashku në një kornizë dhe mbi një sfond të errët i cili lejon të dallohen qartë çdo seri e paraqitur. Temat e tyre janë të ndryshme, ashtu edhe formatet apo numri i pullave postare që përbën serinë. Mes tyre spikasin, “Monumentet e arkitekturës” kushtuar orëve të qyteteve mesjetare shqiptare, seri e përbërë nga gjashtë pulla. Janë dhe katër seri për sportin të përbëra prej katër pullash seicila. Por artisti i njohur tregon në këtë intervistë se, ndër pullat është edhe piktura “Shqipja” tabllo të cilën e ka realizuar i frymëzuar nga ngjarjet e pranverës së rinisë së Kosovës në vitin 1981. Ajo është e një formati të veçantë 8 cm x 7. 5 cm dhe përbën një vlerë filatelike jo vetëm prej formatit që quhet Bllok por edhe pse është e vendosur në mesin e serisë kushtuar veprave përfaqësuese të artit shqiptar. Mati, jep në këtë intervistë edhe disa nga rrugët dhe zgjidhjet për Filatelinë shqiptare si një vlerë kombëtare , artistike dhe historike.

zamir1Ai thote se, një nga zgjidhjet është ndërtimi i një koleksioni të plotë filatelik i postës shqiptare në faqen e saj të internetit ku pranë çdo pulle të vendoset emri i autorit, artistit,piktorit grafist. Po ashtu ai jep idenë e botimit të një katalogu me të gjithë koleksionin e pullave shqiptare ku pranë seicilës të vendoset emri i autorit piktor artist. “Duhet pa tjetër të respektohen të drejtat e autorëve jo vetëm ato morale duke vendosur emrat e tyre por edhe ato materiale duke i shpërblyer sipas ligjeve të të drejtave të autorëve”, nënvizon Mati duke shtuar se, po përgatitet që së bashku me grupin KITES. BLU. SKAY. në shtator të marrin pjesë në manifestimin e balonave të DIEPPE 2014,  ku nga viti 1988 , përmes pjesmarrjes së tyre, nuk kanë munguar ngjyrat e balonave shqiptare. Zamir Mati është duke përfunduar librin për fëmijë ¨LILOU dhe NIKA¨ e njëkohësisht po përfundon librin album ¨HIJET KONTURUAR ME LAPËS¨. Por ai ka mbaruar gjithashtu një libërth mbi miqësinë dhe mëritë midis artistëve të cilin e ka ndërthurur edhe me vizatime. Por dëshira e piktorit të njohur është të ekspozojë në Tiranë, sepse si thotë ai, i mungon prej vitesh takimi me dashamirësit e tij dhe kryeqytetin ku është rritur.

F. N : Zoti Zamir, ju së fundmi keni hapur në Paris një ekspozitë me vizatimet origjinale të pullave të postës shqiptare të botuara në vitet ’70-’80… Një gjetje shumë origjinale… Si ju lindi ideja e realizmit të kësaj ekspozite … ?

Z.M: Më tepër se gjetje origjinale është krejt një rastësi që tetë vizatime origjinale vetëm të dy serive të pullave postare të realizuara mga unë, ndër dhjetra të tilla dhe të botuara nga Posta Shqiptare në vitet ’70-’80 –të, pasurojnë me një vlerë të veçantë koleksionin e veprave të ruajtura në fondin familjar. Ato duke qënë të punuara me bojë kine mbi letër në formatin A4, letër dhe format që në atë kohë përdorej për makina shkrimi mekanike janë tepër delikate dhe unë i kam ruajtur me kujdes në korniza të mbrojtura nga xhama dhe në një kënd të tyre është vendosur pulla e postës e realizuar me të njëjtin vizatim. Njëkohësisht ato gjithmonë janë ekspozuar në vende ku drita direkte ose e reflektuar nuk i dëmton. Ishte idea e dashamirësit të artit Gjergji Themeli që më propozoi të ekspozoja diçka në Galerinë Espas 26, Place Denfert-Rochereau, Paris 14, një hapësirë e bukur e ALBinfos e cila ndodhet në pjesën kryesore që rrethon sheshin e njohur ku në qëndër të tij të gjelbëruar ndodhet monumenti kushtuar mbrojtjes kombëtare me luanin e bronxtë, simbol të forcës. Ky monument është një replikë e skulpturës “Luani i Belfor-it” realizuar në origjinal nga skulptori frances Frédèric-August Bartholdi ( 1870-1905 ) që kishte ateljenë e tij në lagjen e 14-të të Parisit në shënjë kujtese dhe nderimi për kolonelin Denfert-Rochereau i cili mbrojti Belfor-in kundra sulmeve të ushtrisë prusiane gjatë luftës së viteve 1870-1871. Po ky autor është realizuesi i skulpturës së famshme ” Monumenti i lirisë ” të Nju Jork-ut. Përpara këtij luani të bronxtë, monumenti simbol të forcës dhe mbrojtjes, hynë fitimtarë si forcë e rëndësishme ushtarake e aleancës anglo-ruse-amerikane të luftës së dytë botërore, në kryeqytetin e Francës, Paris, në muajin gusht të vitin 1944 kolona e tankeve francezë të udhëhequra nga gjenerali Philippe de Hautecloqui ( 1902-1947 ) i njohur me emrin Leclerc dhe i graduar mbas vdekjes Marëshall i Francës. I përmenda këto sepse këtu në Francë ashtu si në të gjitha vendet e Europës dhe botës, kujtohen dhe nderohen me një respekt të thellë ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore, siç ishte edhe pak ditë më parë përkujtimi me madhështi i operacionit të famshëm ushtarak i zbarkimit të forcave aleate në qershorin e vitit 1944 në Normandi.

Ndoshta u zgjata pak, por kjo ngjarje historike, Lufta e Dytë Botërore, është edhe në qëndër të tre serive të pullave të mia kushtuar Luftës Nacional-Çlirimtare të popullit shqiptar i cili u rrjeshtua në krah të aleancës anglo-ruse-amerikane dhe doli fitimtare duke çliruar vendin nga forcat nazi- fashiste. Populli ynë nën udhëheqjen e këshillit Nac-Çli dhe ushtrisë së formuar prej tij dha një kontribut tepër të çmuar edhe duke luftuar kundër forcave nazi-fashiste në teritore të tjera të Europës duke flijuar bijtë e bijat e tij. Në nderim të këtij flijimi është edhe seria e përbërë me tre pulla kushtuar 5 majit, ditës së dëshmorëve të luftës Nac- Çli. Janë kështu këto tre seri pullash të krijuara prej meje dhe kushtuar kësaj ngjarje historike të botuara në vitet 1979 dhe 1989. Për herë të parë është përdorur në këto pulla ngjyra e artë dhe kompozimi i tyre si një imazh i vetëm i përbërë nga katër ose pesë pulla poste së bashku. Në njërën prej këtyre serive, asaj të vitit 1979 është edhe figura e udhëheqësit të luftës Na-Çl Enver Hoxhës. Pullat postare kanë edhe vlera historike, ato për koleksionerët janë libra apo albume të mrekullueshme që rrjeshtojnë në mënyrë të sintetizuar historinë dhe ngjarjet por edhe që tregojnë artin e kohës kur janë realizuar prej piktorëve. Gjithashtu pullat kanë edhe vlerën monetare e cila shtohet në bazë të numrit të tyre të shtypur dhe kërkesave të tregut prej koleksionistëve. Ndër më të shtrejtat e pullave të postës shqiptare janë ato me figurën e E. Hoxhës dhe vlerat e tyre monetare shpallen në albumet e katalogët e ndryshëm të cilat paraqesin të gjitha shtetet. Pa tjetër që kjo ngjarje, lufta Nac- Çli, së bashku me ditën e çlirimit të vendit, 70 vjetorin e së cilës presim të festojmë në muajin nëntor, do të gjej edhe në të ardhmen vendin e saj në koleksionin shqiptarë.

 F. N:Cila është më konkretisht përmbajtja e ekspozitës tuaj ?

Z.M: Ashtu siç ju përmënda kam ekspozuar një koleksion të të gjitha pullave të postës të cilat kam realizuar në vitet 1970-1980 dhe ato janë vendosur së bashku në një kornizë dhe mbi një sfond të errët i cili lejon të dallohen qartë çdo seri e paraqitur. Temat e tyre janë të ndryshme, ashtu edhe formatet apo numri i pullave postare që përbën serinë. Mund të dalloni midis tyre “Monumentet e arkitekturës” kushtuar orëve të qyteteve mesjetare shqiptare, seri e përbërë nga gjashtë pulla. Janë katër seri për sportin të përbëra prej katër pullash sejcila. Për të realizuar serinë kushtuar lojës së basketbollit më ndihmonte jo vetëm pasioni i rinisë sime kur luaja me ekipin e të rinjve të “Partizanit” me trajner figurat e shquara të këtij sporti Mjeshtrat Njazi Lleshi e Muhamet Përmeti, Pata. Po ashtu njohja nga afër dhe loja me figurat e mrekullueshëm të basketbollit të ekipit ku unë luajta dhe u stërvita disa vite, Dadani, Ylli Kokushta, Astrit Hutka, Dheri, Tak Boshnjaku, Guxi, Ed Moja, etj. Për përfytyrimin e realizimin e tyre më ndihmoi admirimi dhe respekti i jashtëzakonshëm për emblemën e këtij sporti Mjeshtrin Agim Fagun dhe ndihma konkrete duke më dhënë fotografitë nga albumi i tij, miku im dhe dashamirësi i artit të pikturës Mjeshtri Vaso Shaka. Zgjedhja e kompozimeve ishte një bashkëpunim dhe konsulencë e vyer me këtë basketbollist legjendë të kampionatit ballkanik të vitit 1966 dhe të ekipit të basketbollit të 17 nëntorit të Tiranës. Tjetër seri përveç asaj që nëpërmjet pullave paraqet katër lloje sporti si gjimnastikën, futbollin, çiklizmin, atletikën është edhe seria e pullave për sportin e qitjes ku Shqipëria në atë kohë shënonte rezultate të larta olimpike e në kampionate Europiane. Pullat me temën sportive të lejonin që në ndërtimin e tyre të kishte ngjyra të bukura e gjetje kompozicionale. Ndërsa seria e katërt i është kushtuar lojrave olimpike të dimrit të zhvilluara në Albertville, Francë. Unë ato vite shkoja së bashku me shokë piktorë në fshatin malor të Dardhës, ishte vëlla Iliri që shkonte çdo vit së bashku me shokët e tij Sul Podën, Tufin, Guçon, Ylli Meron, Xhak Hakanin, Fishen, Vasillaqin, etj të cilët ishin të apasionuar me rëshqitjen e skive dhe si të thuash ndoshta të vetmit që gjatë dy muajve të gjallëronin fshatin malor në muajt e dimrit, po ashtu dhe dëshira e Ilirit bëri që edhe unë të dashuroja Dardhën e kështu për tre vite rrjesht shkova e punova pejsazhe të cilat i ruaj në koleksionin familjarë. Atje, në rrugicat e fshatit apo në këndet e tij të bukura kemi punuar së bashku me piktorët Muhamet Deliun, Remzi Kuçi, Myrteza Fushekati, Kujtim Buza, Gjergji Marko, Niko Progri, Nexhat Majollari, Besnik Biduli. Vizatimet me bojë kine të Dardhës dhe kujtimet e bukura kur Jona dhe Genti shkonin në shkollën e vockël të fshatit ku jepte mësim mësuese Shadija, u bënë subjekt edhe i tregimit me dy pjesë të botuar nga shkrimtarja për fëmijë Shpresa Vreto dhe që u botua në revistën e asaj kohe “Fatosi”. Së bashku me fëmijtë e pakët të fshatit ata rrëshqisnin me slitat e Arianit të Batellit.

Pikërisht këto histori e kujtime mendoja edhe kur duhej të skicoja projektet e pullave për lojrat olimpike, e duke parë me vërejtje koleksionin shqiptar të të gjitha pullave për lojrat olimpike të realizura në vite vura re fallsitetin e tyre sikur ekipet shqiptare ishin kampionët olimpikë, ata hidheshin nga trampolina apo patinonin në pista të akullta, a tregoheshin si starë të patininazhit artistik… ! Por në Shqipëri këto nuk ekzistonin, përveç pasionit të një grupi shokësh me në krye të apasionuarin Sul Podën që shkonin me vështirësi çdo dimër në “fshatin e tyre olimpik, Dardhë”. Ata ishin banorët e përvitshëm dimërorë falë pasionit të tyre por edhe të mikëpritjes së dardharëve. Atëherë e vetmja zgjidhje dhe mesazh më mbetej  të vizatoja dëshirën, kënaqësinë e lodrave të dëborës nëpërmjet një ëndrre a përralle për fëmijë me shpresë se një ditë këto lodra do të gjejnë mbështetje dhe zhvillim edhe tek ne. Po kështu duke imagjinuar e ditur kërkesën e madhe të filatelistëve nëpër botë për këto tema mendoja se ato kështu do të ishin më origjinale e tërheqëse. Komisioni edhe pse konsultohej me të gjithë seritë e botuara më parë për këtë temë e pranoi idenë duke i miratuar për botim vizatimet për fëmijë. Nuk e di por ndoshta nga zëmërgjërësia e piktorit Harrilla Dhimo i cili punonte në postë, ishte edhe autor pullash, të katër vizatimet origjinale të pullave m’i ktheu duke më thënë ” ruaji, janë të bukura” duke thyer kështu edhe rregullat e rrepta të kohës, ashtu si edhe për vizatimet e serisë për fëmijtë të cilat i zgjodhëm së bashku me Harillën nga libri “Një ditë në cirk” i botuar së fundi në dy gjuhë, shqip dhe frëngjisht nga shtëpia botuese e librit shkollor e re, SHBLSHeRE.Vizatimet origjinale të lojrave olipmike ja kam dhuruar Drinit, djalit tim që është i apasionuar me skitë dhe që së bashku me Ilirin, Gentin, Besën, Laurën, Lilou, Nika skiojnë në pistat e Malit të Zi, Kosovës dhe Chamonix, ku ndodhet Mali i Bardhë ndoshta edhe pse në Shqipëri akoma nuk po ndërtohen pistat dhe qëndrat e skive me strukturat e domosdoshme për të rinjtë e apasionuar. Ndërsa të gjitha vizatimet e librit “Një ditë në cirk” ku janë edhe katër origjinalet e pullave janë në koleksionin privat të vajzës sime Jona. Një nga seritë kushtuar historisë është ajo e kyengritjes së vitit 1910 në Kosovë, ku unë zgjodha të vendos dy grafika nga cikli prej 12 punimesh të paraqitura në ekspozitën kushtuar 100 vjetorit të Lidhjes Shqipëtare së Prizrenit. Pulla e parë është grafika për figurën e Isa Buletinit dhe tjetra për betejën e Kaçanikut. Ato janë të ndërtuara me ngjyrat kuq e zi, ngjyrat simbol të flamurit tonë kombëtarë. Po ashtu nga cikli grafik kushtuar poetit Migjeni, i krijuar e punuar enkas mbas kërkesës të piktorit Gjergji Marko për ekspozitën e konceptuar figurativisht prej tij dhe e organiziuar nga Muzeu Historik Kombëtarë, ky cikël është botuar më vonë në një nga numrat e revistës letrare artistike “Nëntori” që kishte si kryeredaktor shkrimtarin Kiço Blushi. Unë zgjodha e propozova për të realizuar pullën kushtuar përvjetorit të poetit vetëm portretin e tij. Kjo seri ka vetëm një pullë. Por çdo seri e punuar ka një histori. Kështu seria kushtuar edukimit, ku përcaktuesit e tematikiva të zgjedhura e caktuara për çdo vit caktonin edhe numrin e pullave që përbënin serinë. Asaj i kishin caktuar të përbëhej prej tre pullave ku në sejcilën të kishte një nga përbërësit e slloganit Mësim, Punë, Mbrojtje ose siç thuhej trekëndëshi revolucionar.

F.N :Përpos se ju njiheni si një piktor për veprat tuaja te arrira, shumë kush nga brezi i viteve 70-80 të në Shqipëri ju njeh  për pasionin tuaj për balonat … një histori që lidhet me këtë pasion tuajin … por në  raport me pullën …

 Z.M : Duke qënë i apasionuar për balonat mendova se ishte një rast i mirë të propozoja një pullë poste ku të kishte balonat dhe në komisionin miratues ku përveç drejtuesve të postës merrnin pjesë edhe autorët e projekteve të paraqitura të cilët prezantonin dhe i mbronin ato. Edhe unë ekspozova jo tre por katër projekt pullat e krijuara për këtë seri. Ishte edhe mundësia për një mesazh që mund të jepja. Komisioni menjëherë reagoi dhe kundërshtoi pullën e katërt jo vetëm se ajo nuk ishte planifikuar e në të njëjtën kohë ishte shpallur numri i serive, tema dhe numri përbërës i çdo serie për vitin e ardhshëm, por edhe pse numri tre i pullave përkonte me numrin tre të përbërësve të slloganit për edukimin. Komisioni e kundërshtoi dhe nuk miratonte askush pullën time të katërt duke më dhënë edhe mua formalisht fjalën në se kam diçka për të shtuar dhe sigurisht që kërkonte edhe miratimin tim. E mora fjalën dhe menjëherë pyeta duke u përgjigjur po unë se pse e propozoja. -Kam propozuar pullën e katërt sepse pjesë përbërëse e edukimit të fëmijëve është edhe loja dhe shtova: ju nuk jeni dakord se loja është e rëndësishme? Kryetari i komisionit të miratimit të pullave postare me llullën e tij nuk dinte çfarë të thoshte, ndërsa nëndrejtori i postës ishte i vetmi që më mbështeti dhe pas tij edhe të tjetrët… Kështu që në pullat e postës shqiptare ekziston edhe e vetmja pullë me balonë të cilën e kanë botuar shumë nga revistat e balonave në botë dhe që krahas pikturave, akuareleve, vizatimeve gjen gjithmonë një vend në ekspozitat e hapura në manifestimet e balonave ku unë marr pjesë. Ndër pullat është edhe piktura “Shqipja” tabllo të cilën e kam realizuar i frymëzuar nga ngjarjet e pranverës së rinisë së Kosovës në vitin 1981. Ajo është e një formati të veçantë 8 cm x 7. 5 cm. E kështu përbën një vlerë filatelike jo vetëm prej formatit që quhet Bllok por edhe pse është e vendosur në mesin e serisë kushtuar veprave përfaqësuese të artit shqiptar.

zamiri2F.N: Me sa po kuptoj, jeta juaj dhe e famijes tuaj,  duket sikur tregohet edhe përmes historikut të pullës shqiptare …

Z.M : Po, siç e vë re e nderuara Flora, brënda kësaj bisede për disa nga pullat e koleksionit shqiptarë 101 vjeçar, një numër shumë të vockël prej tyre e të realizuara vetëm nga një autor ne po flasim kaq gjërë, ndërsa edhe vetëm dy seri prej tyre d. m. th. tetë vizatime origjinale më shërbyen të hap një ekspozitë… dhe kështu të reflektoj duke nxjerrë forcën e madhe të tyre për transmetimin e mesazheve të tematikës, mesazheve të gjetura me gjuhë artistike prej autorëve, mundësinë e botimit të albumeve, idetë e guximshme që autori mund të gjente në këto dritare të vockla që kapërxenin edhe muret ideologjikë… etj, etj. Të vendosura në albumet e koleksionistëve të filatelisë ato janë ekspozita të pafund temash, ngjarjesh, figurash historike, ato janë në një farë mënyre historia e një vendi. Por ato janë edhe një vlerë monetare. Vlera të vërteta që na mësonin qysh fëmijë se si të ruanim “sovranitetin e shteteve” në faqet e albumeve, si të mësonim çdo të thoshte shtet me pasuri të vogël apo të madhe… si do të mësonim spekullimin si element në botimin e tyre nga shtete shumë të vegjël që mbushnin të gjithë albumet tona, por edhe si do të kishim “marrëdhënie diplomatike” me shtete si CCCP dhe USA, Izraeli, Anglia me të cilat shteti ynë i vërtetë atëherë nuk kishte dhe nuk lejonte asnjë marrëdhënie. Në albumet tona të fëmijërisë do të gjenim figura të shquara të shkencës dhe kulturës dhe do të udhëtonim në vende që askush përveç pullave të huaja nuk na i ofronte. Ashtu si ishte edhe “kopështi zoologjik” i formuar me pullat që kishin si imazh të gjitha kafshët e botës. Kozmonautët sovjetikë e amerikanë do të respektoheshin duke u vendosur në të njëjtat fletë por edhe pullat e ndryshme me piktura nga artistët më të shquar qofshin këta klasikë apo modernë do të formonin galerinë koleksion të veprave të artit e në këtë kolekeksion nga të gjitha shtetet do të vendosja edhe pikturat e veprat më të shquara të artiteve shqiptare. Kështu kjo ishte e vetmja galeri apo muze që zëvendësonte apo plotësonte mungesën e librave të artit. Pullat e fëmijërisë na mësonin të respektonim edhe mbretër e mbretëresha jo vetëm ata që mbretëronin në të njëjtën kohë me ne, por edhe me mbretër të rrëzuar a të përzënë nga republikanët. Askund, në asnjë libër, film nuk shihje mbretër ata ishin ose në burgje të dënuar ose të ekzekutuar a të vdekur përveç se në librat e koleksionit të pullave tona ku ruanin njësoj e të qetë pushtetin e tyre me veshjet e dekoratat e arta pa i ngarë askush e përbuzur a përzënë nga koleksioni. Kjo është magjia e pullës postare ku kam patur fatin të realizoj si autor dhjetra prej tyre.

zamir7F.N :Si do ti përcaktonit pullën shqiptare si art dhe si e shihni perspektivën e saj …?

Z.M: Pa tjetër që është një art, por më tepër është arti dhe funksionimi i shtetit që i krijon ato. Pulla e parë shqiptare është emëtuar në vitin 1913 nga shteti i parë shqiptar i pavarur që tani mbush 102 vjet. Gjyshi im Zihni Abas Kanina është një nga 40 firmëtarët e aktit të pavarësisë të shtetit modern shqiptarë. Ai ka kryer funksionin e sekretarit të Ministrisë së Jashtëme kur postin e ministrit e kishte Ismail Qemali. Po kështu ka patur edhe postin e sekretarit për gjuhën frëngjisht në ministrinë e brëndëshme, Ai në perandorinë otomane kishte patur postin e konsullit në Maltë, Baku, Korfuz të Greqisë) po ashtu ka kryer edhe postin e sekretarit të Postës Shqiptare në këtë qeveri të parë. Ne në shtëpitë tona ruajmë me kujdes pjesë nga koleksioni i tij filatelik me emetimet e para të pullave shqipëtare dhe mjaft elementë filatelik, si kartolina me pullën edhe vulën postare të ditës së emetuar. Për këto kam shkrojtur në librin “Gjyshi”. Ndoshta është kjo traditë familjare që pullat postare i kam parë e dashuruar si dritare magjike për kohët historike. Ndërsa kur ndjek atë që pasqyrohet në media vë re se gjithëherët vetia e magjishme e pullave lë pa zgjidhur e nxjerr në pah problemet që ajo ka dhe duhet patjetër të rregullojë. Gjithmonë vlerësohet puna e postës e cila ska dyshim se ka meritën e botimit të tyre, por ajo është edhe funksioni i saj. Përmenden me emër koleksionerët dhe meritat e tyre, unë respektoj pasionin e miqve të mi Thimi Nika e Niko Xharra, përmendet shoqata filatelike, etj, por autorët, piktorët që kanë krijuar pullat jo. Le të shohim pullat, albumet ose katalogët, emrat e artistëve nuk i shohim ata pothuaj janë anonim. Po kështu edhe në sitin e internetit. Çdo herë mungesa e emrave të autorëve justifikohet me sistemin e mëparshëm politik.

zamir6F.N : Atëherë duhet vazhduar që autorët të mos njihen… ? Mos kjo ka të bëjë me mospagimin e të drejtës së autorit ..? Si mund të zgjidhet..?

Z.M : Një nga zgjidhjet është ndërtimi i një koleksioni të plotë filatelik i postës shqiptare në faqen e saj të internetit dhe pranë çdo pulle të vendoset emri i autorit, artistit piktor grafist. Po ashtu botimi i një katalogu me të gjithë koleksionin e pullave shqiptare ku pranë seicilës të vendoset emri i autorit piktor artist. Duhet pa tjetër të respektohen të drejtat e autorëve jo vetëm ato morale duke vendosur emrat e tyre por edhe ato materiale duke i shpërblyer sipas ligjeve të të drejtave të autorëve. Ju kujtoj se në shumë vite ne krijuesit e pullave shpërbleheshim vetëm për konkursin e fituar për sejcilën seri dhe jo për vlerën e vërtetë të punës krijuese. Pullat tona botohen në qindra katalogë, albume, revista, libra, etj dhe askush prej nesh nuk shpërblehet si e drejtë e autorit të tyre. Dhe botohen gjithashtu pa emrat tanë. Kjo nuk është veçse shkelje flagrante e të drejtave të autorëve. Nuk e kuptojmë me ç’të drejta dhe me çfarë marrëveshjesh të nënshkruara nga Posta Shqiptare shkelen të drejtat e autorëve të pullave postare kur askush në botë nuk mund të botojë pa respektuar këto të drejta që janë morale dhe materiale. Mendoj se organizimi i autorëve duke u mbështetur në ligje do ta zgjidhte këtë problem ashtu si dhe vetë Posta Shqiptare kur është fare normale që botimet e pullave tona jashtë nuk bëhen pa dijeninë, njohjen, lejen dhe miratimin e saj.

F.N :Si u prit në kryeqytetin e artit kjo ekspozitë… a mund të tregoni disa nga mbresat tuaja si autor i kësaj ekspozite

Z.M : Magjia e pullave e në këtë rast, paraqitja e koleksionit me të gjitha seritë e krijuara nga unë në një kornizë dhe e vendosur në vitrinën e Galerisë Espas tërhiqte kalimtarët që me vëmëndje shikonin koleksionin e vockël të pullave. Bisedat dhe pyetjet e shumta por edhe shpjegimet për to e gjallëron takimin me artëdashësin e në këto raste ekspozita e veçanërisht vernisazhi i saj ishte një rast i mirë jo vetëm i një ballafaqimi me miqtë e artëdashësit por edhe një privilegj që Shqipëria të ishte në bisedat tona këtu në Paris.

zamir3F.N :Si e shihni komunitetin shqiptar sot në Francë … një opinion juaji si një artist i njohur dhe që keni arritur sukses do të ishte me vlerë…

Z.M: Janë aktivitetet artistike, ekspozitat, bisedat, prezantimet, takimet, etj të cilat na bashkojnë. Ato mund të jenë për Shqipërinë, Kosovën por edhe të përbashkëta. Shoqata Albanie e drejtuar nga zonja Teodorushi dhe arkitekti i ri Loran Biçoku, koncertet e ndryshme te Rezart Jasa Events, ku ai i klavioloçelistit, mjeshtrit magjik të muzikës baroke, Jusuf Beshiri në sallën monument historik të Institutit të Kulturës Italiane, kanë qënë një program i pasur aktivitetesh ashtu si dhe aktivitetet e ndryshme nga qëndra e re Galeria Espas 26, place Denfert-Rocherau, Paris 14 e përkrahur nga dashamirësi i artit Gjergj Themeli, drejtues i ALBinfos njëkohësisht botues , bashkëpunëtor në mjaft botime për Shqipërinë siç është së fundi edhe guida e pasur dhe e botuar në tre gjuhë italisht, greqisht, shqip si dhe libri për Luftën e Parë Botërore i Valter Gjonit, përvjetorin e së cilës kemi filluar ta përkujtojmë. Gjergji ka ndihmuar autorë të veçantë në sponsorizimin e librave të tyre si disa libra të shkrimtarit Luan Rama, fotografit Roland Tasho, historianin Paskal Milo, etj. Duke vlerësuar librin ai ka krijuar një bibliotekë të vogël me albume dhe librat më të reja e më interesante të botuara në Atdhe dhe me zemërgjërësi na i sugjeron ti shohim e lexojmë duke shtuar me humor që duhet të kthehet përsëri për ti lexuar edhe të tjerët.

zamjaF.N :Cilat janë planet më të afërta që ju keni me artin tuaj … ?

Z.M : Tani hapet një epokë tjetër, Shqipëria tashmë është në rrugën e sigurtë Europiane dhe të gjithë sidomos kultura e arti janë avangarda e mendimit të përparuar i cili paraprin drejtë progresit. Për këtë duhet edhe një ndërgjegjësim më i madh për punë akoma më të mira të një niveli që të pasurojë me origjinalitet kulturën europiane. Uroj që në këto përpjekje të kemi mbarësi. Po përgatitem së bashku me grupin tonë KITES. BLU. SKAY. që në shtator të marrim pjesë në manifestimin e balonave të DIEPPE 2014 ku që nga viti 1988 nuk kanë munguar ngjyrat e balonave shqipëtare. Jam duke përfunduar librin për fëmijë ¨LILOU dhe NIKA¨ e njëkohësisht po përfundoj librin album ¨HIJET KONTURUAR ME LAPËS¨. Kam përfunduar gjithashtu një libërth mbi miqësinë dhe mëritë midis artistëve të cilin e kam ndërthurur edhe me vizatime. Por dëshira ime është të fluturoja balonat e mija persëri në Shqipëri dhe të ekspozoja në Tiranë, më mungon prej vitesh takimi me dashamirësit e mi dhe kryeqytetin.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button