Home / Arte / Vlorë: “TextU’re”, ekspozita personale e piktorit vlonjat Roland Runaj

Vlorë: “TextU’re”, ekspozita personale e piktorit vlonjat Roland Runaj

vloreDuhet të planifikosh një kohë të mjaftueshme për të hyrë e vizituar ekspozitën personale të piktorit vlonjat, Roland Runaj, të titulluar me atë emërtim kumptimplotë “TextU’re”. Kjo, jo për numrin e punimeve të ekspozuara, por për atë ndjesi që të krijon këto ditë salla e Galerisë së Arteve të qytetit të Vlorës, e vendosur në Pallatin e Kulturës “Labëria”. Vizitori ndihet ndryshe, teksa hyn në këtë sallë me përmasa modeste, por me dimensione artistike që po pasurohen çdo ditë, javë e muaj.
Në këtë hapësirë artistike, të kuruar tashmë me mjaft kujdes, finesë e mendim artistik nga piktori i talentuar vlonjat, vizitori ndihet ndryshe. Duket sikur hyn në një botë impresionesh që prekin më shumë se një periudhë. Aty gjen të shkuarën, të tashmen dhe pse jo edhe të ardhmen. Të gjitha të ngërthyera tek njera tjetra, secila me shëmbëlltyrën e vet, me imazhin dhe perceptimin artistik të ndërtuara me një origjinalitet të spikatur. Sepse, Runaj është vetvetja, është artisti që është vazhdimisht në kërkim të asaj që ai ka dhe përfaqëson. “Një artist, një piktor, është i pangjashëm me askënd tjetër në botë, sepse ai është dhe duhet të jetë vetvetja”, thotë piktori 36 vjeçar. Dhe këtë sentencë të jetës së tij artistike e shoqërore, e gjen, e prek, e percepton tek kolori, tek imazhet e ndërthurura, shpesh edhe pa ngjyrë, ose më saktë me ngjyrat e kohës nga e cila vijnë.
Ekspozita është konceptuar si një e tërë, pavarësisht periudhës relativisht të gjatë që përfaqësojnë punimet, më saktësisht idetë, emocionet. Sepse është perceptimi artistik që i bashkon ato në një të tërë. Prandaj dhe vizitori ndalet në secilën prej tyre, përpiqet të ndërtojë në imagjinatën e tij atë çka sheh, atë çka dashur të thotë autori, ose atë çka do të mendojë ai teksa ngulmon me vështrimin e vet në atë përzierje në dukje të rastësishme të imazheve, por në të vërtetë, me një vendosje perfekte. “Sepse imagjinata nuk ka limite, në të kundërt, gjithçka do të ishte e pakuptimtë”, shprehet Runaj, teksa diskutojmë këto elemente, këto detaje të ekspozitës dhe të punëve të saj. Kjo përputhet në fakt edhe me atë që ai e perifrazon si mision të artit dhe që, sipas tij, “artit është të të emocionojë, të të bëjë të mendosh, të reflektosh, pse jo, përpara çdo pune, përpara kësaj hapësire artistike”. Prandaj dhe të duhet të qëndrosh gjatë përpara çdo pune, sepse të duhet të fundosesh e të rrokullisesh me imagjinatën tënde përpara çdo detaji të saj, të përpiqesh të lidhësh, të bashkosh, të formulosh ide e perceptime, të prishësh e të tjetërsosh shëmbëlltyra e përfytyrime, nga ato që të kanë ngërthyer prej vitesh, në fëmijërinë tënde e më pas, që të kanë ndjekur e vazhdojnë të të ndjekin. Sepse Runaj, ka dalë jashtë moshës me moshën dhe pjekurinë e vet artistike, duke depërtuar në thellësinë e dekadave, ka eksploruar në to, ka kërkuar e gjetur detajet artistike, të cilat i kanë shërbyer e i shërbejnë për t’ua shfaqur bashkëkohësve të vet dhe atyre që do të vijnë, me figurat e ndërtuara në bazë të këndvështrimit të vet. Tek punimet e Runajt, gjen së bashku të bukurën e të shëmtuarën, idealen dhe të kundërtën e saj, ndesh individin e lirë në shoqëri dhe atë që rezulton i prangosur nga vetvetja në rradhë të parë, nga muret e ngritura brenda gjithësecilit, ndesh psikologjinë e turmës së heshtur, monumentet dhe idolet. Por, tek ato gjithësecili gjen dhe ndesh edhe optimizmin edhe mënyrën sesi duhet të çlirohet, si duhet të ecë dhe çfarë duhet të zgjedhë. Tek të gjitha ato shfaqet ngjyra, si një element që veçon dhe bashkon njëkohësisht, nga perceptimet e fëmijërisë, tek ato të një periudhe të mëvonshme e deri në ditët e sotme. Gërshëra e prerjes së shiritave është e njëjtë në të gjitha kohërat, në të gjitha periudhat, nuk ka rëndësi se kush e mban në duar dhe e përdor atë, sepse edhe figura personazh është e sfumuar. Themelorja qëndron tek fakti se ajo “gërshërë” vazhdon të presë edhe sot shirita, me të njëjtin mentalitet e psikologji, njëlloj sikundër edhe shumë dekada më parë. Nuk kanë rëndësi se çfarë përfaqësojnë shtatoret e monumentet. Ato janë të mbuluara e të tjetërsuara nga tisi dhe pelerina e kohës. Por, dukshmëria e tyre, ndërtohet në mendjet dhe imagjinatën tonë. Sepse vetë ne, bëhemi shpesh herë bartës të atyre monumenteve pa formë, që i nxisim e stimulojmë me imagjinatën dhe mendjen tonë, duke i shndërruar në pengesa të rrugëtimit të lirë të shoqërisë së një vendi.
Vlore- Galeria e Arteve, me një ekspozitë të piktorëve vlonjatë Foto Harilla Koçi 1Piktori vlonjat, në ekspozitën e tij kalon nga njera temë në tjetrën, nga perceptimet krejtësisht personale në ato me temë sociale. I pajisur me një bazë të fortë të asaj që ai e cilëson “akademizmi lindor në pikturë”, por mjaft të nevojshëm për formimin artistik, Runaj, ka ditur që të ndërtojë personalitetin e vet si piktor.
“Shkolla shqiptare dhe shkolla e Vlorës kanë një bazë të shkollës lindore. Pra, ka shumë akademizëm brenda saj dhe kjo është një gjë pozitive, sepse për të ndërtuar një imazh, një artist duhet të ketë një këndvështrim teknik ndaj ngjyrës, ndaj vizatimit”, shprehet Runaj, sipas të cilit, të gjitha këto janë mjete që të shërbejnë për të ndërtuar një figurë tënden personale. Duke e shtjelluar më tej këtë ide, ai shprehet se, “klasikja, baza, është. Unë personalisht, nuk dua të heq dorë nga figura, pra, nga imazhi. Unë nisem nga figura, pra jam figurativ dhe përmes saj të bëj një ndërtim krejtësisht timin, të imazhit, të telajos”. Por, në këndvështrimin e tij është edhe ana tjetër, që është koncepti. Sepse sido që të jetë, ka një koncept, ka një ide, ka një spunto për të ndërtuar një punë. Mund të jetë ky një impresion, mund të jetë një shqetësim, mund të jetë një gjë e bukur që të ka ngacmuar dhe do ta hedhësh, mund të jetë një emocion i bukur, ose edhe emocion negativ të cilin e shtjellon përmes ngjyrës e elementëve të tjerë artistike.
Personaliteti dhe profili artistik i Roland Runajt, të shprehur dukshmërisht në këtë ekspozitë, e para personale e tij në Shqipëri, vlerësohen nga piktori Artan Shabani, drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve. “Nëse tema dhe subjektet e Roland Runaj janë përmbajtja e pikturës së tij, nese personazhet janë ndjesitë tona dhe të tij mbi të shkuarën dhe të tashmen, piktura apo produkti i tij artistik është kërkimi i përditshëm rreth teksturës apo pasurisë së detajeve mbi realen, apo të ekranit të madh ku është edhe e vërteta”, shprehet ai. Sipas Shabanit, “Roland Runaj është një prej artistëve të rinj, i cili shquhet për një proces aktiv në pikturën e zhvilluar në hyrje të shekullit 21. Ajo është e përbërë nga shumë imazhe, në dukje të shkëputura nga njëra-tjera. Por tërësia e tyre imagjinative, i bëhet e qartë publikut, pasi përmes elementeve të pikturës shpalos ngacmimet ekpresive, të cilat artisti i merr prej fakteve dhe subjekteve të shoqerise sonë si në të kaluarën, ashtu edhe në të tashmen. Runaj nuk është indiferent ndaj saj, madje duket se kërkon ta risjellë e ta bëjë të pranishme për shumë arsye, të cilat lidhen me individin që tenton të rritet edhe më i ndërgjegjësuar. Tenton të sjellë personazhe të cilat qëndrojnë aty, herë të qartë e herë të sfumuar, të cilat turbullojnë memorien tonë historike”.
Ndërkohë, piktori Ilmi Bani, kryetar i Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Vlorës, shprehet se “Roland Runaj është padyshim një artist realist, figurativ por jo tradicionalist. Ai shpesh kërkon , eksperimenton, ndërthur e mpleks teknikat e ndryshme me shume guxim pa e shpërfillur opinionin. Synon me ambicie te fortë të dalë diku dhe kjo i mjafton që të verë të gjitha mjetet dhe lëndët në lëvizje. Ka guximin, iniciativën dhe mprehtësinë për t’ia dalë mbarë e me sukses çdo lloj situate artistike, sado e papritur e e vështirë të jetë ajo. Ky shpirt kërkues e bën pikturën e tij vazhdimisht të re,plot variacione tërheqëse e me një nivel të lartë. E tillë është ekspozita që Runaj ka përgatitur me shumë kujdes e profesionalizëm për artdashësit vlonjatë”.
Kjo është ekspozita e parë personale e piktorit vlonjat, Rolan Runaj, në Shqipëri, ndërkohë që ka një arkivë të pasur aktivitetesh artistike në Itali, ku ka studiuar dhe është formuar si artist, pranë Akademisë së Arteve të Bukura në Leçe. Por, ai ka qenë pjesëmarrës edhe në mjaft aktivitete të zhvilluara në Shqipëri, ku është përfaqësuar me mjaft punime. Ekspozita “TextU’re” është pritur me interes dhe po vizitohet nga qindra artdashës vlonjatë, por edhe nga qytete të tjera. 

Leave a Reply

%d bloggers like this: