Home / Kryeartikull / Pandëshkueshmëria dhe kriminalizimi i dekriminalizimit

Pandëshkueshmëria dhe kriminalizimi i dekriminalizimit

ANDREA STEFANI

Andrea StefaniObjektivi i dekriminalizimit është që t’i jepet fund edhe kancerit të pandëshkueshmërisë së krimit dhe korrupsionit në nivele të larta të politikës dhe të qeverisjeve. Sepse ka qenë shndërrimi i politikës në mburojë të krimit nga ligji dhe drejtësia, që e ka fuqizuar krimin deri në atë shkallë, sa i ka dhënë mundësi të kapë deri edhe majat e politikës. E nxitur nga epshi për t’u rikthyer sa më shpejt në pushtet, opozita e sotme e PD po përpiqet ta shfrytëzojë flamurin e dekriminalizimit thjesht për këtë qëllim dhe jo për pastrimin e politikës dhe të shtetit. Prandaj tenton ta mbajë axhendën e dekriminalizimit të fiksuar në çështjen “Frroku”, duke injoruar të gjithë rastet e krimit dhe korrupsionit që kanë ndodhur gjatë 8 vjetëve të qeverisjes së saj. Është një strategji që mbështetet në disa të pavërteta dhe që, nëse do të kishte sukses, nuk do të qe një sukses i drejtësisë dhe shtetit, por e krimit vetë.

***

Strategjia e PD-së bazohet mbi të gjitha në krijimin e iluzionit se krimi dhe korrupsioni janë dukuri që karakterizojnë sot vetëm të majtën në pushtet. Nuk janë bërë as dy vjet që është ndërruar pushteti dhe çdo njeri i lirë të përdorë logjikën nuk mund të mos pyesë: Po ku vajtën të korruptuarit dhe të kriminalizuarit e qeverisjes 8-vjeçare të PD? Mund të pretendohej se krimi dhe korrupsioni janë problem i së majtës në pushtet vetëm nëse do të kishte ndodhur një proces i ndëshkimit nga drejtësia të korrupsionit të djeshëm, nëse sot do kishim në burg kryeministrin apo disa nga ministrat e ish-qeverisjes së korruptuar të PD. Por kjo nuk ka ndodhur. Atëherë, si mund të pretendohet se dekriminalizimi është problem vetëm i një shumice që ka as dy vjet në qeveri dhe jo i një opozite që ka qenë 8 vjet në timon të një qeverisje të korruptuar?

***

Për t’i shpëtuar këtij kurthi që ngre logjika e thjeshtë, opozita e PD ka përgatitur tezën e dytë, po aq të palogjikshme sa e para. Kur një forcë politike kalon në opozitë, ajo pastrohet vetiu – thonë. Ashtu? Por kur qenka kështu, përse Kroacia u detyrua të plasë në burg një ish-kryeministër si Sanader? Si shpjegohet që Sanader nuk qe pastruar nga kalimi në opozitë? Përgjigjja është shumë e thjeshtë: Sepse kalimi në opozitë nuk të pastron nga krimi. Nga krimi të pastron vetëm ndëshkimi i ligjit! Që do të thotë se PD do të pastrohet nga krimi dhe korrupsioni i 8 vjetëve qeverisje të korruptuar (konfirmuar për vite me radhë jo vetëm nga Transparency International (TI) por edhe nga një numër megaskandalesh korruptive dhe kriminale), vetëm kur të ndëshkohen me drejtësi të gjithë ish-qeveritarët e saj të korruptuar dhe që vazhdojnë të mbajnë edhe drejtimin e PD-së.

***

Po kush janë këta? Në radhë të parë, Lulzim Basha, kryetari formal i PD-së. Lënë mënjanë të tjerat, ky politikan ka tre çështje të mëdha korruptive dhe kriminale që i rëndojnë mbi shpinë: 1 – Skandalin e rrugës Durrës-Kukës për të cilin është akuzuar nga prokuroria se ka shkaktuar shpërdorimin e rreth 200 milionë eurove të taksapaguesve shqiptarë. Basha iu shmang drejtësisë me proceduralizëm dhe sot nuk është në gjendje të provojë pafajësinë e tij para shqiptarëve. Rrjedhimisht Basha mbetet një i akuzuar për korrupsion! 2 – Mbi Bashën rëndon edhe marrëveshja për faljen e ujërave detare Greqisë, që është shumë më tepër se korrupsion sepse është cenuar antikushtetutshmërisht tërësia territoriale e Republikës së Shqipërisë në favor të një shteti tjetër. Në gjuhën popullore kjo quhet tradhti e Atdheut. -Vetëm një vendim i Gjykatës Kushtetuese e shpëtoi Atdheun (që Basha betohet se e do aq shumë!) nga humbja e një pjese të detit. Por Basha nuk është gjykuar akoma për këtë krim. 3 – Mbi Bashën, si ish-ministër i Brendshëm, rëndon edhe krimi më i rëndë që mund të bëjë një qeveri që e quan veten demokratike, vrasja e 4 protestuesve më 21 janar dhe plagosja e dhjetëra të tjerëve. Edhe për këtë krim, Basha nuk ka mundur t’i faktojë shqiptarëve pafajësinë e vet. Dhe vetëm një arrogancë ekstreme dhe mungesë ekstreme e moralit, besimi se fanatizmi i verbër do të dalë më i fortë se logjika qytetare, mund ta bëjë një politikan, kaq problematik në të kaluarën e vet të afërt, të marrë jo vetëm drejtimin e partisë më të madhe në opozitë, por edhe të rrëmbejë flamurin e dekriminalizimit dhe antikorrupsionit.

***

Në opozitë ka shumë politikanë të lartë, ish-ministra të akuzuar për korrupsione, dosjet e të cilëve janë mbyllur mistershëm nga prokuroria. Por është evidente se një nga politikanët më të korruptuar dhe më të kriminalizuar në opozitë është ish-kryeministri dhe kryetari real i PD-së, Sali Berisha. Për hir të së vërtetës, duhet thënë, se drejtimi autokratik i qeverisë nga Berisha, të jep të kuptosh se edhe në skandalet dhe krimet e sipërpërmendura, atribuuar kryesisht Bashës, ka qenë Berisha që ka pasur paketën kontrolluese të aksioneve. Por ndërkaq, Berisha ka edhe mjaft ekskluzivitete në korrupsione të përgjakshme si ai i Gërdecit, apo në krime si ai i grushtit të armatosur të shtetit më 14 shtator 1998. Por nuk është hetuar kurrë për këto krime dhe skandale dhe sot vazhdon të mbetet politikani më i fuqishëm në PD. Dhe të pretendosh se politikanë të tillë janë pastruar vetëm sepse vota popullore i flaku në opozitë, pikërisht se ishin shumë të korruptuar, do të thotë që të krijosh një stimul për korruptimin edhe të qeverisë së sotme. Se ku ka nxitje më të mirë që të pasurohesh nja 8 vjet me korrupsion e krim duke qenë i sigurt se pastaj do kalosh në opozitë, ku jo vetëm nuk ndëshkohesh por “pastrohesh” vetiu gjë që pastaj, të jep mundësinë të rrëmbesh flamurin e dekriminalizimit për t’u rikthyer në pushtet?! Madje pa pritur afatin e zgjedhjeve, por me revolucion “demokratik” kundër krimit dhe korrupsionit! Duket si tallje. Ashtu është. Por edhe më keq. Është, as më shumë dhe as më pak, por të kriminalizosh dekriminalizimin. Si dhe të ardhmen e shtetit.

Leave a Reply

%d bloggers like this: