Home / Arte / Ish-Kinostudio në një kopsht arti

Ish-Kinostudio në një kopsht arti

Ky nuk është një park

kopsht-arti-e1428141003665Hapësira përreth ish-Kinostudios ku ndodhet godina e Ministrisë së Kulturës, do të kthehet në një kopsht arti. Dje janë shpallur fituesit e konkursit për përshtatjen e këtij territori, në një ambient ku të dominojë shija estetike. Çmimi i parë shkoi për projektin “Ky nuk është një park” i Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës në UPT, realizuar nga studentët Anisa Pere, Arbër Habilaj, Erli Pinari, Genti Shtëmbari, Gladiola Balliu, Malvina Ferra dhe Orest Dhimitri. “Ky projekt trajton konceptin landscape dhe respekton strukturat ekzistuese. Duke bërë një ndarje funksionale krijon hapësira që mund të përshtaten në bazë të funksioneve të ndryshme (art, film, ekspozita). Në këtë mënyrë krijohet një fabrikë gjendjesh, ku aktorët kryesorë janë artistët dhe publiku”, thuhej në motivacionin e këtij çmimi. Me çmim të dytë u vlerësua projekti “Connective Layer” i Universitetit Polis, realizuar nga studentët Argita Përpunja, Bora Stafa, Megi Ylli dhe Sadmira Malaj. Ndërsa me çmim të tretë u vlerësua projekti “Dejal-vu” i Universitetit Epoka, realizuar nga studentët D. Duri, E. Ceka, E. Mërkuri, E. Selko, G. Kolukaj, I. Malltezi, M. Maloku, N. Cabrati, R. Tafa, R. Belba, R. Brecani, T. Maliqi. Qëllimi i projektkonkursit “Parku i Artit” është krijimi i një hapësire ekspozimi të përkohshme dhe të përhershme për veprat e artistëve të rinj e më gjerë. “Një nga platformat kulturore të MK-së, është kthimi i territoreve të brendshme në një park për art dhe medium, për të gjitha stinët, për aktivitete sociale, kulturore e ekspozita të hapura, për ngjarje rinore e jo vetëm, pa kufij gjinish dhe formash, madje edhe ato më të guximshmet”, do të shprehej ministrja e Kulturës pak kohë më parë. Projektet u vlerësuan nga një juri në përbërje të së cilës ishin ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, Arta Dollani, Adelina Greca, Artan Shabani dhe Joli Mitrojorgji.

Leave a Reply

%d bloggers like this: