Home / Intervista / I afërmi i Aleksandër Kurtit: “Babai i Frrokut e pranoi vrasjen, paguan 25 fshatarë që të bënin betimin”

I afërmi i Aleksandër Kurtit: “Babai i Frrokut e pranoi vrasjen, paguan 25 fshatarë që të bënin betimin”

Flet për herë të parë një i afërm i Aleksandër Kurtit, shqiptarit të vrarë në Belgjikë në vitin 1999, në një ngjarje për të cilën tashmë është arrestuar deputeti Mark Frroku.

Kushëriri i Aleksandër Kurtit, shtetasi Leonard Kurti, në një intervistë për “Panorama” i quan të pavërteta deklaratat që deputeti Frroku bëri në foltoren e Parlamentit ditën e enjte, pak para se të arrestohej.

Mark Frroku në Gjykatën e Lartë. Majtas, Leonard Kurti, i afërmi i viktimës

Sipas tij, ka qenë vetë babai i deputetit që i ka thënë familjes Kurti se Aleksandrin e ka vrarë Mark Frroku me shokët e tij. Madje, sipas tij, as betimi që Frroku pretendon t’i ketë bërë familjes Kurti, në prezencën e 24 burrave dhe 2 priftërinjve, nuk qëndron.

Kushëriri i Aleksandër Kurtit tregon për gazetën “Panorama” se Mark Frroku ka paguar me shuma të mëdha 25 persona, banorë të fshatit të tij, në mënyrë që ata të merrnin pjesë në betim. Por ai tregon se asnjë anëtar i familjes Kurti nuk ka marrë pjesë në atë betim, e aq më pak të ketë pranuar para.

Për këtë arsye, sipas tij, betimi që pretendon Frroku është i pavlefshëm. Lajmi për vrasjen e shtetasit shqiptar, Aleksandër Kurti, në Bruksel, ngjarje për të cilën akuzohej Mark Frroku, u bë fillimisht publike nga mediat belge, në janar në vitit 2014, duke u mohuar nga Frroku.

Çfarë lidhje farefisnore keni me familjen e Aleksandër Kurtit, personit që është vrarë në Bruksel në vitin 1999?
Jemi kushërinj të parë. Domethënë, Aleksandrin e kam kushëri, djalë xhaxhai.
Jetoni në Shqipëri?
Jo, jetoj jashtë.

I keni ndjekur zhvillimet e fundit në Shqipëri?
Po, i kam ndjekur. Dhe, t’ju them të drejtën, çdo ditë e më shumë po habitem nga gënjeshtrat dhe shpifjet që po dëgjojmë për ngjarjen e të afërmit tonë.

E njihni deputetin Mark Frroku?
Si emër e di se kush është. Dhe për këtë desha t’ju vë në dijeni për Frrokun, si i afërm i viktimës. Vetë i ati i tij (babai i Frrokut) e ka pranuar që Aleksandrin e ka vrarë Mark Frroku me shokët e tij.

Në fjalën e tij në Parlament, para arrestimit, deputeti Frroku u shpreh se ishte betuar para familjes suaj. Si është e vërteta?
Për sa i përket betimit që thotë Frroku, sikur na paska bërë be para një viti, kjo është një gjë që nuk ka ndodhur kurrë në historinë e malësorit.

Po deklarata e tij se është paraqitur te familja juaj me 24 burra dhe 2 priftërinj?
Po, ai ka bashkuar 25 bashkëfshatarët e mi, të cilët të gjithë i ka paguar në shuma mjaft të larta për të marrë pjesë aty. Por ne si familje nuk kemi pranuar asnjë lek dhe asnjë nga ne nuk ka marrë pjesë në atë betim që ata kanë bërë.

Pra, është bërë një betim?

Sipas traditave tona si malësorë, kur nuk e kemi parë atë betim, çdo gjë është e pavlefshme dhe nuk pi ujë.

Nga Etleva Delia

Leave a Reply

%d bloggers like this: