Libri

Një libër kundër fanatizmit fetar

Traktati i tolerancës/‘Charlie Hebdo’ ishte vetëm një nga ngjarjet të cilat në një farë mënyre Volteri i pati parashikuar më se dyqind vjet më parë nëpërmjet këtij pamfleti të fuqishëm kundër fanatizmit, dhunës, urrejtjes dhe paragjykimeve të çdo lloji.

Nga Fari Laçka 

vol_tol1Një personalitet si Volteri është një nga ato gurra të cilat nuk shterojnë kurrë, edhe kur zhvillimi i shoqërisë njerëzore futet në epoka të ‘shkreta’ nga pikëpamja shpirtërore. Edhe kur ato bëhen viktimë e fanatizmave që pasqyrohen në shumë ndodhi të kohëve të sotme: ‘Charlie Hebdo’ ishte vetëm një nga ngjarjet të cilat në një farë mënyre Volteri i pati parashikuar më se dyqind vjet më parë nëpërmjet këtij pamfleti të fuqishëm kundër fanatizmit, dhunës, urrejtjes dhe paragjykimeve të çdo lloji. A mund të harrohen përplasjet që shpërthyen vite më parë në Irlandë ndërmjet protestantëve dhe katolikëve, njësoj si në Francën e shekullit  XVI? Gjenocidi në Ballkan pas viteve ’90, ku popullsitë myslimane në Bosnjë-Hercegovinë apo në Kosovë u masakruan mizorisht? Apo krimet barbare të ekstremistëve të ISIS që presin koka njerëzish mbuluar nën maskën e dashurisë për Zotin?

Për fat të keq, shoqëria njerëzore ka pjellë gjithmonë fanatizma të çdo lloji. Dhe ja pse ky libër mbetet gjithnjë aktual.

Për mendimin tim, një libër apo pjesë e një libri të Volterit nuk duhet lexuar, por studiuar.

Kontaktet e mia të para me shkrimet e tij kanë qenë kur më ra në dorë fillimisht libri “Kandidi” dhe më pas “Zadigu”, ku përveç gjuhës së pasur të përkthimit më tërhoqi edhe tema e tyre. Edhe pse në moshë jo të pjekur sa duhet, arrita të kapja thelbin: të këqijat që sjell ekstremizmi, urrejtja, paragjykimi apo dukuri të tjera, që për fat të keq kanë qenë e janë pjesë e pashmangshme e natyrës së njeriut. Duke vënë në pikëpyetje shumë probleme, sidomos fatin e njeriut, në këto vepra Volteri vë në lojë fenë, teologët, qeveritë, ushtritë, filozofitë dhe vetë filozofët.

Nëpërmjet shpotisë therëse ai nxjerr në pah mënyrat e tmerrshme që kanë shkaktuar konfliktet në shoqërinë njerëzore.

Rrjedhimisht, në çastin kur m’u besua përkthimi i tij dhe lexova titullin e kuptova cili do të ishte strumbullari i veprës. Krijimtaria e Volterit është shumë komplekse, ndaj e dija se përkthimi nuk do të ishte i lehtë. Duke qenë se gjuha e tij është e pasur dhe informacioni i bollshëm, për të qenë sa i saktë në përkthimin dhe përshkrimin e ngjarjeve, m’u desh të shfletoja për një kohë shumë të shkurtër disa vepra ndër të cilat ‘Enciklopedinë Britanike’ dhe atë ‘Larousse’. Megjithatë, vështirësia e përkthimit eci paralelisht me kënaqësinë që ndieja. Shumëkush që i ka lexuar veprat, e di se autori ka një stil të veçantë ku ndërthuren njohuritë, përvoja dhe mprehtësia e një njeriu, ideali i të cilit ishte liria, drejtësia dhe e vërteta, të cilat për njeriun duhet të jenë udha drejt paqes.

Vetëm një njeri që ka guximin e tij, di të jetë anëtari më besnik e më dashamirës i një shoqërie, por njëkohësisht edhe kritiku më i ashpër. Tek ai filozofi nuk e pranonte kurrë kompromisin për hir të asgjëje. Avokati nuk e pranon padrejtësinë, por e bën themelin e gjithçkaje, duke sjellë shembuj të panumërt nga shoqëri të lashta duke u dhënë një mësim të mirë shumë prej shoqërive aspak tolerante të kohëve të sotme. Historiani sjell fakte kokëforta që janë gjithnjë në funksion të mbrojtjes që i bën lirisë dhe drejtësisë. Ndërsa shkrimtari i jep veprës magjinë dhe mundësinë që ajo të lexohet nga të gjithë me ëndje.

Pikënisja e kësaj eseje ishte një ngjarje e zakontë dhe e pazakontë njëherësh. E zakontë, sepse bëhej fjalë për një dënim me vdekje, që jo vetëm në Francë në shumë vende ishin një gjë fare e rëndomtë. Ishin kohëra kur jeta e njeriut nuk kishte fare vlerë. Kur mjaftonte një grup gjykatësish apo bindjesh të gabuara që një të pafajshmi t’i pritej koka, apo t’i thyheshin kockat mizorisht mbi rrotë, ashtu siç u dënua personazhi që u bë shkas për hartimin e kësaj vepre.

Ngjarja ku bazohet e gjithë eseja ka ndodhur në Francë, në Tuluzë, me protagonist një tregtar protestant i quajtur Zhan Kalas, i dënuar padrejtësisht me vdekje, nën akuzën se kishte vrarë të birin, meqë ky i fundit kishte dashur të kthehej në katolik. Ashtu siç do ta vërejnë edhe vetë lexuesit, Volteri ngjarjen e përdor si shtysë për të treguar se ajo është veçse maja e ajsbergut. Se shumë të tjera patën ndodhur edhe kohë më parë, por mund edhe të ndodhin sërish. Kjo është arsyeja pse ai e trajton vdekjen e tregtarit dhe njëkohësisht besimtarit protestant në kapitullin e parë, ku ai e quan dënimin e tij turpin më të madh të shoqërisë dhe sistemit të drejtësisë dhe kapitullin e 25 ku autori shprehet se, më në fund drejtësia nderon vetveten dhe njëzëri shpall protestantin Zhan Kalas të pafajshëm, në të njëjtën ditë dhe tre vjet pasi ishte dënuar me vdekje.

‘Traktat mbi tolerancën’, u shkrua në vitin 1763, por nëpër kapitujt e tjerë, si njohës i mirë i historisë, ai jep shembuj nga shumë komunitete shoqërore dhe veçanërisht ato fetare.

Si personalitet i lindur në një epokë ndryshimesh të mëdha, ai ishte njeri shumë mendjehapur duke kritikuar ashpër çdo dukuri negative dhe veçanërisht fenë dhe disa dogma të saj jotolerante.

Guximi i tij shkon derisa ai arrin të flasë hapur për skandalet që pati shkaktuar feja apo shumë përfaqësues të klerit (shih kapitullin e jashtëzakonshëm XVII, ku ironia arrin kulmin). Por, këtu penës së tij të mprehtë nuk arrin t’i shpëtojë as një figurë aq e rëndësishme jo vetëm për fenë, por për tërë botën katolike: Papën. (shih kapitullin III, mbi shkeljet që pati bërë Papa Aleksandri IV).

Dihet se Volteri nuk ishte i vetmi që kritikoi fenë. E si mund të harrohet “Tartufi” i Molierit? Por, nëse ky i fundit përdori dellin e tij satirik, Volteri përdori atë shpotitës e kritik duke trajtuar me vërtetësi të mirat dhe të këqijat që solli që feja dhe besimi i verbër, që shpesh shpien në fanatizëm, mungesë tolerance dhe kasaphana të tilla si ajo e ‘Natës së Bartolomeut’ ku në emër të fesë brenda një nate u vranë me mijëra qytetarë.

Nëpërmjet citimeve nga Bibla, nga librat e shenjtë të hebrenjve apo ata të historisë, shkrimtari hedh më shumë dritë edhe mbi ngjarje të njohura, edhe mbi të panjohura. Ai mundohet që të zbardhë sa më shumë mite, legjenda apo trillime, të cilat turbullonin mendjet dhe shpesh helmonin zemrat e njerëzve. Gjithsesi, autori nuk harron të përmendë se shumë klerikë patën merita, sepse arritën që pavarësisht kuadrit fetar, t’i jepnin shoqërisë njerëzore një pjesë të dijes dhe të arsimimit. Duke u bërë pishtar i lirisë dhe armik i përbetuar i paragjykimeve, fanatizmave dhe dogmave, eseja është kambanë, e cila bie vazhdimisht se fanatizmi nuk i ka sjellë njerëzimit asgjë të mirë: përkundrazi, veçse fatkeqësi. Në vepër Volteri nuk bëhet thjesht mbrojtës i një rasti të veçantë. Ai kërkon që ky rast t’u shërbejë të gjithëve për të qenë syçelë, e për të mos rënë në kurthin e fanatizmit dhe paragjykimit. Duke folur se si funksiononte drejtësia në shoqëritë e lashta si ajo e qytetërimit grek apo ajo e qytetërimit romak, që është baza ku është ngritur e gjithë ngrehina e drejtësisë në shoqërinë moderne, tërthorazi ai lë të kuptohet se ne nuk jemi kurrsesi më të mirë sesa paraardhësit tanë dhe se duhet të mësojmë shumë prej tyre. Një fakt domethënës është edhe kur ai flet për perandori të tilla si ajo osmane ku Volteri shkruan se “vetë myftiu emëron dhe i paraqet sulltanit emrin e patriarkut grek’, apo ‘vetë sulltani emëron peshkopët katolikë në disa ishuj të Greqisë’. Për perandorinë e Pjetrit të Madh, “i cili u ka dhënë përparësi të gjitha kulteve”, pa harruar këtu edhe mënyrën se si i përshkruan perandoritë e lindjes, atë kineze dhe japoneze dhe tolerancën që shfaqën ato karshi kulturave, apo feve të huaja, e sidomos atyre europiane. Volteri është një shkrimtar i talentuar, një historian i mirinformuar, një jurist i zoti dhe një besimtar i devotshëm. Me shpirtin e tij altruist, ai do që të gjitha këto cilësi t’i vejë në shërbim të një qëllimi: të mbrojë dinjitetin njerëzor, të luftojë derisa të japë shpirt çfarëdolloj tiranie e fanatizmi dhe të ngrejë në altarin më të lartë kultin e së vërtetës, të dashurisë dhe në veçanti të tolerancës, të cilat janë të vetmet shtigje drejt majës që shumë njerëz të shquar kanë synuar ta shpien shoqërinë njerëzore të cilësdo epokë: paqes.

*Përkthyesi i librit në shqip

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button