Libri

Librat e rinj për datën 6 prill 2015

Eugene Ionesco

“Vetmitari”

Përktheu: Nasi Lera

Botimet: “Dituria”

vetmiÇfarë ndodh kur befas një pasuri e madhe të bie nga qielli? Xhaxhai nga Amerika, që ti s’e ke llogaritur kurrë në jetë, të lë një thes me para? Personazhi i Ionescos beson se tani mund ta ndërrojë rrotën e fatit. Kritiku François Nourissier shkroi për këtë libër në Le Point: “Vetmitari është një nga veprat thelbësore të kohës sonë, që na lejon të vëzhgojmë në detaje sëmundjen e shekullit tonë. Ky libër rekomandohet në 100 librat që duhen lexuar në jetë.

Arthur Schnitzler

“Ëndërr”
Shqipëroi: Afrim Koçi

Botimet: “Pegi”

Ëndrra dhe realiteti pështjellohen në këtë novelë enigmatike, e përqendruar në misteret e erosit dhe të kërkimit të kënaqësisë së kulluar. Pasi e shoqja i rrëfen fantazitë e saj seksuale me një tjetër burrë, doktor Fridolini, personazhi kryesor, endet nëpër rrugët e Vjenës e bëhet pre ngjarjesh gati të pabesueshme që ndodhin jashtë vullnetit të tij, thuajse si në zhgjëndërr. Historia kulminon në një ballo me maska, një situatë e mistershme ku përzihen individualizmi i fshehur, seksi dhe rreziku. Schnitzler-i, i përcaktuar edhe si “Frojdi i letërsisë” rrëmon në psikologjinë e personazheve të veta duke u prirë atyre udhën drejt një hapësire ku mendimet më të fshehta, dëshirat dhe ankthet gjejnë shtegun për t’u shpalosur tërësisht e paturpshmërisht.

James Joyce

Shkrime kritike

Përktheu: Davjola Ndoja
Botimet: “Pika pa sipërfaqe”

Shkrimet kritike të James Joyce-it prekin çështje nga më të ndryshmet: estetika, roli i shtypit, censura, historia e kulturës irlandeze, letërsia dhe perandoria e Anglisë. Këto shkrime përfshijnë artikuj gazetash, recensione, leksione, si dhe ese propagandistike. Ato mbulojnë një hark kohor prej më shumë se dyzet vitesh në jetën e autorit dhe shënojnë ndryshime me rëndësi në mendimin e tij mbi politikën, mbi marrëdhënien mes letërsisë dhe historisë, si dhe mbi shkrimtarë që ndikuan thellësisht tek ai, si: Mangan, Blake, Defoe, Ibsen, Wilde dhe Shaw. Ky është botimi i parë në shqip i shkrimeve kritike të James Joyce-it, një prej autorëve më të rëndësishëm të shekullit XX.

Chimamanda Ngozi Adichie

“Gjysma e diellit të verdhë”
Përktheu: Merita Meçe
Botimet: “Skanderbeg Books”

Në Nigerinë e viteve 1960, në vendin e dëmtuar nga lufta civile, ndërthuren tri jetë, që në rrëfimin e shkrimtares së re dhe të talentuar, Chimamanda Ngozi Adichie, jepen përmes tre personazheve të rëndësishëm të këtij romani. Ugu, një djalë i varfër fshati, i cili punon si shërbyes i një pedagogu universiteti; Olana, një grua e re, e cila ka braktisur jetën e saj me privilegje në Lagos për të jetuar me profesorin, të dashurin e saj të ri e tërheqës. I treti është Riçardi, një anglez i ndrojtur dhe i turpshëm, skllav i motrës binjake të Olanës. Kur tmerri tronditës i luftës i përfshin edhe ata, besnikëria e tyre vihet para provave të vështira, ndërsa ata tërhiqen dhe afrohen me njëri–tjetrin në mënyra të çuditshme, të atillë që asnjeri prej tyre nuk i kishte imagjinuar më parë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button