Opinion

Dekriminalizimi i partive, jo i Parlamentit

SKËNDER MINXHOZI 

Skender MinxhoziNë bazë të një marrëveshjeje të dhjetorit të kaluar, në Parlament vijon të debatohet për fillimin e një procesi pastrimi të institucionit, nga deputetë me rekorde kriminale. E lindur si një nismë, e cila në fakt, shërbeu për t’i dhënë fund bojkotit të opozitës, gjatë gjysmës së dytë të vitit të shkuar, dekriminalizimi i Kuvendit është shndërruar në kalin kryesor të betejës për opozitën.

Procesi mori hov muajin e fundit, nga shpërthimi i një krize të rëndë brenda shumicës, kur Tom Doshi akuzoi Kreun e Kuvendit, Ilir Meta, se kishte porositur vrasjen e tij. Siç dihet, në këtë histori u përfshi edhe deputeti tjetër i Qarkut Shkodër, Mark Frroku, i cili në orët e fundit është kthyer (bashkë me vëllain e tij, Arben Frroku), në epiqendrën e debateve politike. Përjashtimi i dy deputetëve shkodranë nga grupi i mazhorancës dhe hapja rrugë e hetimit të tyre nga ana e prokurorisë, shënoi dy “viktimat” e para të procesit të pastrimit parlamentar. Tani që duket se largimi i tyre nga Parlamenti është diçka e pakthyeshme, pyetja kryesore që kërkon përgjigje, është ajo e emrave të rinj që do t’i shtohen listës fillestare Doshi-Frroku.

Komisioni parlamentar që duhet t’i japë udhë procesit, i kryesuar nga Bylykbashi, duket se po debaton këto ditë më shumë në një frymë partizane dhe propagandistike, sesa në prizmin e gjetjes së mënyrave dhe vendosjes së rregullave e procedurave, që Parlamenti shqiptar të mos ketë më në gjirin e tij, deputetë që figurojnë të dënuar, ose që janë pjesë e listave të Interpolit apo e  raporteve të specializuara të luftës kundër krimit.

Në zhurmnajën që natyrshëm krijojnë historitë me killera me pagesë, apo akuzat reciproke të krerëve të politikës, po devijohet me shumë gjasë, thelbi i luftës për të pastruar politikën nga “barërat e këqij”. Në mënyrë të gabuar, hileqare dhe sipërfaqësore, po kërkohet që të përpilohen disa lista deputetësh, për të nxjerrë jashtë Kuvendit një numër emrash (të cilët fare mirë mund ta meritojnë diçka të tillë), duke bërë sikur harrohet t’i shkohet në origjinë problemit. Që do të thotë, të kurohet sëmundja aty ku lind, jo aty ku shfaqet.

Me Kodin aktual Zgjedhor, është shmangur thuajse tërësisht pesha dhe vlera e emrave të atyre që konkurrojnë në një qark të caktuar. Partitë i janë dhënë tundimit për komoditet dhe për sa më pak përplasje elektorale, duke hartuar lista proporcionale, e jo beteja të bazuara mbi sistemin mazhoritar. Kësisoj, garat kanë humbur elementin identifikues–emrin, fytyrën e atij që garon. Kjo i ka dhënë dorë krerëve të partive, që të përpilojnë në qetësinë e tyre të shenjtë lista kandidatësh, pa pyetur askënd, pa u konsultuar me asnjë strukturë dhe vetëm duke i kaluar formalisht emrat në forumet partiake, mundësisht pak orë para dërgimit të listave në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Pra, fushata kthehet në një përplasje listash, e jo në një garë emrash konkretë.

Pikërisht këtu, në këtë moment, duket se lind dhe problemi i cilësisë, integritetit dhe pastërtisë të atyre që do të futen në Kuvend pas zgjedhjeve. Listat janë si përrenjtë në kohë shirash. Ato sjellin me vete ujë, baltë e gjithfarë mbetjesh. Dhe partitë politike, më saktë kryetarët e tyre, i kanë gjetur listat elektorale si rrugën më komode për të vendosur të pashqetësuar se cilët do t’i përfaqësojnë në Parlament pas zgjedhjeve. Për këtë arsye, partitë politike janë origjina e problemit, jo institucionet ku ato delegojnë të preferuarit e tyre.

Ndryshimi i sistemit në dy zgjedhjet e fundit të përgjithshme, është një ndër arsyet themelore, që solli me vete filtrimin në parlament të anonimëve, të fortëve dhe të inkriminuarve. Sepse partitë e afruan këtë kontingjent personash, për të luftuar lagje më lagje e shteg më shteg, luftën e pisët të ruajtjes, vjedhjes apo edhe blerjes së votave. Ishin këto personazhe që, në mungesë të gradave shkencore apo emrit të mirë e ndershmërisë personale e profesionale, ofruan aftësinë për të mbuluar pjesën e pisët të fushatës. Atë pjesë që nuk del në kamera, por që është aty, e gjithëpranishme dhe përcaktuese në rezultatet finale. “Nuk para flet në Kuvend, por është njeri që ka influencë në bazë”, dëgjon rëndom të thuhet për këtë kontingjent njerëzish, të cilët në fakt, nuk i duhen forcës së tyre politike në katër vitet e jetës parlamentare, por i janë dashur ditën e zgjedhjeve. 24 orë shërbim, në këmbim të katër vjet jete të qetë prej deputeti. Ky është kodi i deformuar që e ka katandisur Kuvendin e sotëm në nivelin e ulët që ka.

Për këtë arsye, zhurma e sotme për pastrimin e Kuvendit është thjesht demagogji, për sa kohë që partitë do të vijojnë të përdorin sistemin elektoral në fuqi, për të filtruar nëpër lista njerëzit që më pas do t’ua lexojmë emrat nëpër raporte policie, dënime gjyqësore apo afera të tjera të papastra.

Një gjë e ngjashme, por në kushte të tjera, po luhet edhe këto orë, në fushatën e zgjedhjeve vendore. Këtu gara është vërtet nominale, mes personash konkretë, që garojnë mes tyre. Porse sërish loja e emrave, listat e kandidatëve që bien e ngrihen brenda pak orëve, ka bërë që të mos ketë garë të ndershme brenda partisë, por thjesht luftë bërrylash. Çka bën që në fund të mos fitojë ai që ka një projekt më të mirë për qytetin a bashkinë, por ai që ka miq më të fortë pranë kryetarit të partisë. Edhe këtu roli i partive politike rezulton sërish i devijuar dhe pse jo, i korruptuar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button