Home / Ekonomia / Tatimet, kontroll transferimit të fitimeve jashtë

Tatimet, kontroll transferimit të fitimeve jashtë

samu-320x186Ministri Cani firmos procedurat për kontrollin e transaksioneve

Fillon kontrolli i transferimit të fitimeve jashtë nga kompanitë e huaja në Shqipëri. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ka firmosur udhëzimin “Për transferimin e çmimit”. Deri tani, procedura e transferimit të çmimit ka rezultuar e pazbatueshme nga organet tatimore, por bëhet i mundur me ndryshimin në ligjin për tatimin mbi të ardhurat. Transferimi i çmimit është tërësia e transaksioneve që realizojnë personat e lidhur e që kryhet përgjithësisht nga shoqëritë shumëkombëshe me vendndodhje të veprimtarive të biznesit të tyre në shtete të ndryshme, në formën e një filiali, dege, apo selie të përhershme. Transferimet e çmimit, që ndërmerren nga shoqëritë shumëkombëshe, kanë si qëllim transferimin e fitimeve nga një vend në një vend tjetër. Sipas udhëzimit, përfshihen të gjithë llojet e transaksioneve që mund të ndikojnë fitimin e tatueshëm të një tatimpaguesi, duke përfshirë: transaksionet që përfshijnë mallrat, si lënda e parë, produkte përfundimtare, etj.; transaksionet e shërbimeve; transaksionet që përfshijnë pasuritë jomateriale, si të drejtat e autorit, licenca, pagesat për përdorimin e patentave, markat tregtare, njohuritë, etj., dhe çdo pronësi tjetër intelektuale; transaksionet financiare, që përfshijnë qiratë, interesat, pagesat e garancive, etj.; transaksionet kapitale, që përfshijnë blerjen ose shitjen e aksioneve apo investimeve të tjera, blerjen ose shitjen e aktiveve afatgjata materiale dhe jomateriale. Transferimi i çmimit, ndër të tjera, ka të bëjë me zbatimin e marrëveshjeve të shmangies së taksimit të dyfishtë sipas modelit të OKB-së, ku bazohen të gjitha marrëveshjet e lidhura nga vendi ynë dhe të gjitha vendet e tjera me të cilat ndërmerren transaksione të ndryshme. Sipas udhëzimit të ministrit Cani, tatimpaguesit e përfshirë në transaksione të kontrolluara (duke përfshirë tepricat e huave), të cilat në total, brenda periudhës raportuese kalojnë 50 milionë lekë, sipas udhëzimit, duhet të plotësojnë dhe dorëzojnë në drejtorinë rajonale tatimore në të cilën janë të regjistruar, një “Njoftim vjetor për transaksionet e kontrolluara”. Afati për dorëzimin e “Njoftimit vjetor për transaksionet e kontrolluara” është data e përcaktuar për dorëzimin e “Formularit të deklarimit dhe pagesës së tatimfitimit”.

Abuzimi

Kompanitë e huaja rrisin shpenzimet për të ulur tatimfitimin

Transferimi i fitimeve jashtë Shqipërisë nga kompanitë e huaja arriti në 53 milionë euro në tremujorin e parë të vitit 2014, 20% më e lartë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. I pyetur nga deputetët e Komisionit të Ekonomisë, zëvendësministri i Financave, Ervin Mete, duke prezantuar paketën për ndryshimin e ligjit për tatimin mbi të ardhurat, para pak kohësh deklaroi se, “praktikisht, transferimi i çmimit ka qenë i parregulluar ose ka pasur një nen specifik në ligjin për tatimin mbi të ardhurat, por detajimi i tij mungonte plotësisht dhe e bënte të vështirë ose thuajse të pazbatueshëm”. Problemet kryesore që lidhen me transferimin e çmimit në vendin tonë janë rritja e shpenzimeve, duke i transferuar nga shoqëria e lidhur në shoqëri që operon në Shqipëri, duke sjellë rënie të tatimfitimit dhe mosdeklarim korrekt të çmimit të shitjes, të cilat i transferohen nëpërmjet eksportit shoqërisë së lidhur jashtë Shqipërisë, duke ulur në këtë mënyrë tatimin mbi fitimin dhe tatimet e tjera mbi të ardhurat. Me ndryshimet e bëra, për çdo transaksion midis dy kompanive, që do të konsiderohen subjekte të lidhura me njëra-tjetrën qofshin këto “nënë”, “bijë”, degë apo “motra”, do të ushtrohet kontroll tatimor.

Kualifikimi

Nis testimi i tatimorëve dhe doganierëve, dje provimi për 200 tatimorë

Pas tre muajsh trajnim të rreth 550 punonjësve të administratës doganore dhe tatimore, dje nisi testimi për rreth 200 inspektorë tatimorë. Javën tjetër do të jetë testimi për punonjësit e doganave, njoftoi Ministria e Financave. Në testim nuk do të ketë vetëm inspektorë, por edhe nivel menaxherial, pra drejtues që janë rreth 85. Testimi është kryer në ambientet e Fakultetit Ekonomik, në Tiranë dhe procesi është ndjekur nga afër nga zëvendësministri i Financave, Ervin Mete. Ky testim, sipas rregullores së Akademisë Fiskale, është pjesë e vlerësimit vjetor për të punësuarit, ndërsa për të punësuarit e rinj është mundësia e konfirmimit ose e kalimit me sukses të periudhës së provës ose e thënë ndryshe përcakton mundësinë profesionale të secilit për të përmbushur standardet e kërkuara nga organet fiskale. Totali i pikëve është 100. Provimet që vlerësohen me 70 ose më shumë pikë do të pajisen me certifikatë. Komisionet e testimit përbëhen nga pesë persona, të cilët janë përcaktuar nga Bordi i Qendrës së Trajnimeve. Vlerësimi i dijeve është bërë sipas një testi të përbërë nga pyetje me versione, të cilat janë përgatitur nga komisioni i testimit, për secilën nga administratat. Për të përcaktuar cilësinë e përgjigjeve të të testuarve do të vendoset një prag pikësh, i cili do të përbëjë edhe kufirin e ndarjes së përvetësimit të temave të realizuara gjatë tre muajve.

Leave a Reply

%d bloggers like this: