Home / Arte / Libri / Jerome David Salinger / Gratë

Jerome David Salinger / Gratë

Jun09_HP_JoyceMaynard-240x320“Çdo tregim i shkurtër është një grua”. Jerome David Salinger, një prej shkrimtarëve më të njohur amerikanë të shekullit XX, besonte se pas çdo historie të shkruar shpejt, teksa mbrëmja binte në New Hampshire, ai kishte hedhur në letër kujtimin për një grua. Joyce Maynard, vajza bionde me sytë kafe të mëdhenj nuk donte të kthehej në një tregim. Ajo e dinte se kur të mbërrinte aty, çdo qelizë e saj do të kishte vdekur në trupin e këtij burri. Ishte dimër kur ajo, rrëmbeu nga karrigia shallin e madh dhe u nis për në New Hampshire për të takuar atë. 25 vite më pas, burri që dikur e kishte rrëmbyer me vështrimin, kostumin apo duart që mbanin aq me stil cigaren po e vështronte përtej xhamit të sallonit, teksa ajo kaloi përmes kopshtit për të hyrë në shtëpinë ku dikur kishte kaluar 8 muaj dashurie. Selinger nuk ishte plakur. Ca rrudha i dukeshin në portretin që nuk donte ta fshihte habinë që ajo ndodhej aty. Joyce iu mbështet në krahë dhe i tha se i kishte munguar. Njohëse e mirë e mendjes së një burri ajo ishte aty, për të ndezur dritën e fundit brenda mendjes së tij para se të ikte përgjithmonë. Kështu ai nuk do mund të shkruante asnjë rresht për të dhe ajo s’mund të ishte si femrat e tjera që kishin dalë nga ai kopsht.

Historia e dashurisë mes Jerome David Salinger dhe Joyce Maynard vijon të jetë dhe sot një histori ku kritika amerikane kthehet shpesh për të kuptuar influencën që këta dy dashnorë patën në letërsinë e njëri-tjetrit.

Ishte viti 1972, kur ata u takuan për herë të parë. Salinger ishte 53 vjeç, ndërsa Maynard, 18 vjeç. “New York Times” i kishte kërkuar asaj të shkruante një artikull, mbi përvojat dhe dëshirat e një vajze të moshës së saj. Por, Maynard, e cila kishte lexuar disa libra të Salinger, mendoi të shkruante një artikull mbi jetën e një shkrimtari që i pëlqen t’i fshihet famës. Salinger ka qenë gjithnjë një shkrimtar i tërhequr nga jeta publike, duke parapëlqyer të jetojë diku i veçuar jetën e tij private. Ajo i shkroi atij një letër, e cila do të pasohej më pas me një tjetër e kështu me radhë…25 letra ata i shkruan njëri-tjetrit deri sa u takuan. Gjatë pushimeve të verës të Yale Yniversity ku studionte, Maynard udhëtoi drejt shtëpisë ku jetonte Salinger ku kaloi tetë muaj. “Mosha nuk ishte asnjëherë problem për ne. Ai kishte aftësinë të më zotëronte, dhe ndihesha e lumtur”, kujton Maynard. Në shtëpinë e mbushur plot libra të një shkrimtari që pëlqen ta ketë botën brenda hapësirës së një apartamenti, kjo vajzë do të jetonte jo vetëm dashurinë, por dhe një shkollë të vërtetë letrare. “Të jetoje me të ishte si të ndiqje leksione të gjata në Yale”, shprehej ajo. Tetë muajt e kësaj historie do të ishin muaj që do të ndryshonin përgjithmonë të ardhmen e gazetares së re. Nëse letërsia deri në atë moment kishte qenë një pasion leximi, tashmë ajo kishte zbuluar talentin për t’iu përkushtuar të shkruarit dhe kjo, falë tij. Lidhja e tyre mori fund shpejt, pasi Maynard shprehu dëshirën për të pasur fëmijë. Pas martesës së dështuar me Claire Douglas, vajzën e kritikut të njohur letrar Robert Langton Douglas, Salinger nuk mendonte të lidhte më martesë. Me Claire ai pati dy fëmijë, Margaritën dhe Matheun. Vite më vonë, e bija Margarita, do të shkruante në librin e saj me kujtime, se nëse ajo nuk do të ishte ngjizur në barkun e së ëmës, prindërit e saj nuk do të ishin martuar. Martesa e tyre përfundoi për shkak të tërheqjes që kishte Salinger nga bota e jashtme, përkushtimit ndaj sekteve të çuditshme fetare. Maynard e shpjegon ndryshe ndarjen e tyre në librin me kujtime që shkroi mbi marrëdhënien me shkrimtarin më vitin 1973 “Kthim në kujtime”. Ajo tregon se Salinger u largua ashtu papritur, dhe ndoshta shkak mund të kenë qenë letërkëmbimet që ai kishte me vajza të tjera të reja. Pas ndarjes me shkrimtarin ajo nuk u kthye më në kolegj. Nga të ardhurat për librin ajo bleu një shtëpi në Hillsboroug, ku jetoi e vetme për dy vite. J.D. Salinger është një nga emrat më të mëdhenj të letërsisë amerikane, me një vepër që solli në jetë personazhin e famshëm të adoleshentit Holden, që në kërkim të dashurisë, vëmendjes dhe arritjes së burrërisë përjetoi gjithë andrallat e një brezi të sapodalë nga lufta. Salinger shkroi një libër që u bë më i famshëm se vetë ai, pozicionin e të cilit deri më sot nuk e ka sfiduar askush në letërsinë amerikane. Salinger preferoi të jetonte në heshtje, duke mos dhënë intervista e duke u shfaqur rrallë në ekrane, madje arriti deri aty sa kur ishte gjallë deklaroi se nuk po shkruante më. Por sa më shumë ai tërhiqej nga skena, aq më e madhe bëhej fama e tij.
Kur ishte i ri, ai ishte si gjithë shkrimtarët e rinj në kërkim të famës. U dërgonte letra drejtorëve të revistave, në të cilat bashkëngjiste tregimet që shkruante dhe priste famën. Po më pas çfarë ndodhi? Dëshira e tij u plotësua e pikërisht në atë moment, nisi për të ndryshimi i madh. Ndërsa u bë i famshëm e kuptoi se ky ishte mallkimi më i madh që mund t’i binte një njeriu. Ndërsa mbante për herë të parë në duar librin e tij, me kapak të trashë, brenda të cilit ndodheshin fjalët e krijuara prej tij me një foto po të tijën në faqen e fundit, nisi të përjetonte shumë gjëra njëherazi, veçanërisht kur nisi të lexonte edhe vlerësimet e kritikës që e ngrinin në qiell. Në këtë moment ndjeu se të qenët i kuptuar nga të tjerët është ndonjëherë më e tmerrshme se të mos kuptohesh, apo të keqkuptohesh, që të qenët i admiruar është shumë më e lodhshme dhe rraskapitëse se të qenët i injoruar, që të shkruash e të publikosh janë dy gjëra krejt të ndryshme. Njerëzit e kësaj bote shkruajnë me qëllim që të lexohen, shkruajnë për ta publikuar dhe përhapur veprën e tyre, për t’u recensuar. Por Salinger që nuk ishte i kësaj bote, edhe pse përkohësisht u bë pjesë e saj. Kur pa materializimin e suksesit dhe famës, vendosi që të zhdukej e të ikte njëherë e mirë nga sipërfaqja e gjërave. Iku nga rruga 57 e Manhatanit, ku jetoi për një kohë të gjatë. Ishte një ikje nga sytë këmbët dhe mbi të gjitha iku nga vetvetja, sepse e dinte që kishte dobësitë e tij. Ishin dobësitë e tij për femrat e reja dhe dobësi të tjera, të cilat u përpoq që t’i nxirrte nga vetja përmes aktit për t’u zhdukur. Si e la qendrën e botës u zhvendos larg në New Hampshire, në mesin e hiçit. Gjëja e parë që bëri zhduki adresën, pastaj shkëputi linjën telefonike, i dogji të gjitha letrat e lexuesve dhe admiruesve të tij. Ajo që donte të bënte dhe të arrinte ishte të qenët vetëm me demonët e tij, demonë që mund t’i qetësonte vetëm përmes të shkruarit. Ishte e pamundur për të që të ishte i lumtur me veten. E dinte se kishte brenda vetes një talent të jashtëzakonshëm dhe shumë gjëra për të thënë. Por ai që ka një talent është i pari dhe i vetmi që ia njeh kufijtë. Sa më shumë e pëlqen bota, aq më shumë ai bindet se kjo botë është e paaftë që të bëjë një gjykim për të. Në këto rrethana mbeten dy mundësi: ose falimentimi si çlirim, ose ikja, arratisja. Salinger zgjodhi ikjen. Përgjatë viteve të kësaj ikjeje Salinger kërkoi që të përcillte të njëjtin mesazh që përcolli para se të vetëvritej në moshën 31-vjeçare edhe shkrimtari suedez Stig: “Harromëni”.
Viti 1948 do ta shihte në majën më të lartë të suksesit me publikimin e librit të tij “The Catcher in the Rye” dhe antiheroin e tij adoleshent në luftë të vazhdueshme me prindërit. Sigurisht që ishte një roman me shumë linja autobiografike, por që përcillte karakteristikat e një brezi të tërë dhe ndoshta u bë edhe një busull për një brez më vonë. Jerome David Salinger lindi në Nju Jork në vitin 1919 dhe ishte biri i një hebreu dhe një irlandezeje. Pasi shkoi në një numër shkollash shtetërore, ai vendosi që të provonte aktrimin dhe të shkollohej në një shkollë profesionale në Manhatan. Por i ati ishte tërësisht kundër dëshirës së tij për t’u bërë aktor dhe për të ndryshuar Salinger vendosi që të hynte në Akademinë Ushtarake, ku edhe u diplomua. Pikërisht kjo ishte periudha kur nisi të shkruante tregimet e para të shkurtra. Më pas kaloi një vit bredhjesh nëpër Europë, në vende të ndryshme të kontinentit dhe me t’u kthyer tentoi që të ndiqte studimet në disa universitete, por të gjitha i la përgjysmë. Në pranverën e vitit 1942, kur kishin kaluar disa muaj që Amerika ishte futur në luftë, pas sulmit në Pearl Harbor, Salinger u fut në ushtri dhe shërbeu deri në vitin 1946. Eksperienca e tij e luftës ishte e jashtëzakonshme. Ai pati shumë detyra në ushtri, ndër të cilat edhe atë të hetuesit të ushtarëve robër gjermanë. Më vonë për këtë përvojë do t’i thoshte së bijës: Nëse ndonjëherë të qëllon që të nuhasësh tymin e mishit të djegur të njeriut, kjo erë nuk do të të shqitet kurrë deri në fund të jetës”. Një nga të mirat e kësaj periudhe është se Salinger u takua me Heminguejin, që në atë kohë punonte si korrespondent lufte. Për të, Heminguej nuk ishte njeriu i ashpër, brutal dhe arrogant që priste, por një njeri gati i ndrojtur. Pavarësisht prodhimtarisë së paktë, Salinger ka qenë subjekt i shumë librave biografikë dhe i studimeve letrare e kjo ndërkohë që ai ishte i tërhequr plotësisht nga jeta publike dhe media.

Leave a Reply

%d bloggers like this: