Home / Ekonomia / Pogradec-Lin, rruga që po varfëron qytetin, kilometra të tëra me gropa

Pogradec-Lin, rruga që po varfëron qytetin, kilometra të tëra me gropa

Rruga e re Lin-Pogradec është problemi më i madh që çdokush që udhëton drejt Korçës, apo pikës doganore të Kapshticës, has në rrugëtimin e tij.

pg-linKjo rrugë është i vetmi kalim për të gjithë tregtinë që bëhet me Greqinë nga pika e kalimit kufitar. Por, në vend që të ndihmojë ekonominë e zonës, gjendja e kësaj rruge është në listën e arsyeve se përse ekonomia e zonës së juglindjes nuk funksionon.

Rruga nisi ndërtimin disa vite më parë dhe duhet të përfundojë sipas kontratës më 29 shtator. Qeveria vitin e kaluar e kaloi në rrugët prioritare dhe shleu çdo detyrim të prapambetur. Afrimi i afatit të përfundimit dhe i sezonit turistik për të cilin u premtua nga ministri Haxhinasto se rruga do të ishte efektive në qershor, të bën të mendosh se në rrugë duhej të punohej me vrull.

Por, nga një vëzhgim në gjithë gjatësinë e rrugës që duhet të ishte në ndërtim, i vetmi mjet që lëvizte ishte një karrocë dore.

Pranë veprave të mëdha si urat e mbikalimet, askush nuk punon. Mjetet e rënda janë të parkuara në anë të rrugës dhe nuk lëvizin. Sipas të dhënave zyrtare nga drejtuesit e projektit, punimet duhet të jenë rreth 80%, por në terren janë kilometra të tëra rruge që as nuk janë prekur.

Në janar dhe shkurt në rrugë nuk punohej për shkak të ngricave, por në këto ditë ngrica nuk ka. Nga Autoriteti Rrugor Shtetëror mësohet se komuna Udenisht i hoqi të drejtën firmës ndërtuese për venddepozitimin e inerteve, por edhe kjo çështje është e zgjidhur tashmë.

Por, kjo rrugë nuk është i vetmi problem. Edhe unaza e qytetit, e ndërtuar në prag të zgjedhjeve të vitit 2005, aktualisht është e pakalueshme për çdo lloj mjeti. Në këtë unazë supozohet të kalojnë mjetet e rënda që vijnë nga Kapshtica apo ikin në Greqi.

Leave a Reply

%d bloggers like this: