Opinion

Nga “guru” në gur nën rrota

Arben Manaj

Arben ManajDo duhet të jesh ende në Lazaratin e atyre ditëve kur digjej kanabasi gjatë operacionit policor dhe efektet të bënin të ndiheshe “high”, duke marrë thjesht frymë, që të mbrosh idenë e dekriminalizimit të kësaj lënde narkotike, e cila pranohet gjerësisht si hapi i parë drejt marrjes së drogave më të forta.

Sinqerisht, nuk arrij ta kuptoj deputetin e shumicës Kokëdhima që kërkon të bëjë të shëmtuar Arqile Botin e ndjerë, duke predikuar se kanabisi kurativ do të duhej ligjëruar për përfitime ekonomike, për të shkuar akoma më tutje, me idenë e amnistisë për ata që janë marrë me kultivimin e përdorimin e tij.

Ka shumë bimë që mund të përdoren si bimë medicinale që rriten në Shqipëri, dhe jo vetëm, por nuk kanë këtë stigmë që shoqëron kanabisin.

Të dalësh me një ide të tillë aq më tepër nga një ligjvënës i një shteti që konsiderohet si Kolumbia e Europës, është luks i madh, dhe përbën një dëm të paimagjinueshëm.

Nga Parlamenti shqiptar po dalin shumë njerëz me lidhje kriminale e të akuzuar për veprat më të rënda penale si vrasje dhe dekriminalizimi i kanabisit, jo vetëm në këtë moment kohor, por edhe nga kjo hapësirë gjeografike është i pavend.

Madje, ai as nuk mund të konsiderohet një debat demokratik shkëmbimi idesh në publik.

Përgjigjja e dhënë nga ministri Tahiri, i cili do duhet përgëzuar si një zë vetanak, tregon se ka një mosrakordim të çuditshëm për iniciativat ligjvënëse ose për idetë për politika të tilla.

Më në fund, prononcimi i Tahirit duket se davarit disi mjegullnajën, nëse kjo është thjesht lajthitje e Kokëdhimës apo kthjellim i qeverisë në një pikë të ndjeshme dhe kontroverse.

Nuk arrij ta kuptoj përse kryeministri ende hesht personalisht, siç nuk bën për asgjë tjetër në mediat sociale apo në median tradicionale, i cili siç përflitet e konsideron Kokëdhimën “guru” të tij politike.

Dilema mbetet a është ai dakord me “gurunë” që po i vë gurë nën rrota, apo është në sintoni me Tahirin që po ia heq ca gurë.

Një çështje kaq e ndjeshme si legalizimi i kanabisit, e aq më tepër amnistia për kultivuesit, do të duhet të shkaktonte reagimin urgjent, që në gjenezë të prononcimit nga Kokëdhima, nga kreu i qeverisë. Ai mund të heshtë vetëm në rast se teston ujërat dhe opinionin e publikut të trazuar nga kozmopolitanizma alla perëndimore në aparencë të një deputeti të anatemuar edhe për transgresione të tjera.

Amnistimi i atyre që kanë kultivuar kanabisin do të bënte nul gjithë atë operacion masiv të bujshëm ndërkombëtarisht antikanabis në Lazarat e Veri, apo atë të paralajmëruar nga ministri Tahiri.

Amnistia do të shpërblente dhe ata që nuk u arritën të kapen gjatë operacionit të Lazaratit e do dekoronte ata që godisnin dhe vunë në rrezik jetën e atyre që ishin në atë helikopter të shtetit në Veri e do të nxirrte si shofer furgoni deputetin Frroku, që akuzohet se ka transportuar një të kërkuar për trafik kanabisi.

Të pretendosh se kanabisi i prodhuar në Shqipëri me demek është më i miri dhe përfitimet do të jenë më të mëdha për ekonominë, sesa ai prodhuar po them në vendet fqinje apo në mënyrë sintetike apo artificialisht nëpër ndërtesa me ndriçim artificial në Londër e gjetkë, duke na bërë lokomotivë në Perëndim për një aplikim të tillë pseudoshëndetësor, indirekt të bën të mendosh se segmente të elitës politike shqiptare nuk gjykojnë dot jashtë linjave dhe mendësive të nëntokës, e denjë vetëm për kalibrin e Gate Mahmutajt & co.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button