Opinion

Mbi erën e naftës dhe do erëra të tjera…

FATOS BAXHAKU

Fatos Baxhaku
Fatos Baxhaku

Më në fund, më në fund zëri i përhershëm i protestës edhe vetë brenda PS-së u dëgjua disi më fort. Erion Braçe, një nga deputetët historikë të socialistëve, nuk ka mundur ta mbajë më zemëratën e tij. Në një reagim të tijin në Facebook, Braçe i ka bërë thirrje shtetit, të drejtuar prej kolegëve të tij, të vjetër a të rinj qofshin, që të marrin mbi supe përgjegjësinë e tyre jo vetëm ndaj njerëzve që po vuajnë nën fontanat gjigante të baltës së përzier me gaz e squfur, por edhe mbi vetë pasurinë kombëtare.

Në këto kohë, kur dominojnë çështja “Frroku”, apo “Kokëdhima”, thirrja e ardhur nga brenda pushtetit u la disi si në harresë, njësoj sikur Braçja, në këto ditë Pashke, të kishte pasur një inat të vetin të momentit, që do të kalonte brenda pak ditësh. Vetëm disa orë më pas drejtori i agjencisë që nuk njihet edhe aq fort, doli në një prononcim gjysmë të mekur duke thënë se agjencia që ai drejton, ajo që ka për detyrë të kontrollojë shfrytëzimin e pasurive tona kombëtare, është krejt në rregull, porse kompetencat e saj janë vetëm deri këtu. “Të huajt që shfrytëzojnë naftën tonë – tha pak a shumë ai në një ekran prestigjioz – janë konsultuar hera-herës me ne, por tekefundit, kanë bërë me kokën e tyre, kështu e parashikon ligji. Kaq kompetenca kemi”. I bukuri ligj! Jashtë prononcimit të tij reporterja theksoi se Ministria e Energjetikës dhe Industrisë po shikon të rishikojë të gjitha kontratat e ngjashme. Askush nuk e di se kur, si dhe çfarë do ndryshojë. Dukej më shumë një dëshirë se një realitet. Me aq sa u tha të paktën. Pastaj vijoi heshtja ndaj ankesave të Patos-Marinzës së çarë, të përbaltur dhe të helmuar.

Mbase ka një fill që e lidh historinë tonë të naftës mes kohëve të vjetra dhe këtyre që po jetojmë sot. Mbase pikërisht ky fill i shton erës së rëndë të squfurit edhe erëra të tjera, po aq të rënda. Thuhet se Shqipëria është një ndër vendet më të pasura me naftë në rajon, në tokë a në det qoftë. Kjo gjë, historikisht, na ka bërë objekt lakmie për të huaj, por edhe objekt shitjeje për ne të brendshmit. Nuk ka nevojë këtu t’u hyjmë historive të vjetra që nga rivaliteti i Anglo-Persian Oil me rivalët italianë, as të kujtojmë se përse ura e dikurshme që mbante emrin e një beu vendas sot e gjithë ditën quhet Ura Vajgurore. Më pas mbase nuk duhen kujtuar edhe historitë që çuan në dënime të tmerrshme sikurse ishte ai i inxh.Plakut nga Hoçishti dhe shokëve të tij po aq legjendarë sa edhe fatkëqij. Diktatura, Enver Hoxha posaçërisht, duket se ia njohu vlerat e mëdha kësaj pasurie gati të pafund kombëtare. E përdori, e keqpërdori për qëllimet e tij vetjake apo propagandistike, kjo është një tjetër punë.

Ajo që duhet të pranojmë sot e pas 25 vjetësh të asaj periudhe, që ndokush e quan demokraci, të tjerë gjysmëdemokraci dhe të tjerë akoma tranzicion, është fakti, bindja e thellë, prova që pasuria kombëtare nuk u takon njerëzve, popullit, truallit nën të cilën fshihet, njerëzve që e nxjerrin, atyre që japin jetën për një kothere bukë, madje as që nuk dihet ku shkon.

Partitë janë ndërruar, liderët kanë shkuar e kanë ardhur, por sërish, prapëseprapë, me gjithë demagogjitë, me gjithë premtimet e bukura elektorale, gjendja është po ajo, madje sa vjen edhe rëndohet.

Ka ndodhur kështu që të kemi një lloj “El Dorado” shqiptare. Pra të kemi varfëri, zhgënjim, mungesë shprese dhe shpërfillje totale mbi vende nën të cilat fshihen pasuri kolosale, që janë të popullit në letër, vetëm të atij dhe të askujt tjetër, madje nuk kanë nevojë as që të hyjnë në sherr pronësie… Ka ndodhur kështu në Rubik, ka ndodhur e ndodh kështu në Bulqizë, po ndodh me sa kemi parë e dëgjuar edhe në fushat tona naftëmbajtëse.

Problemi nuk është vetëm ekonomik, apo ligjor. Shumë herë ai del në pah më së shumti si problem i rëndë ekologjik. Më kot janë munduar shoqatat ambientaliste duke deklaruar sa herë kanë mundësi, apo më saktë sa herë ua venë veshin, të thonë se Gjanica, lumi i vetëm që përshkon zonën tonë naftëmbajtëse nga Ballshi në Fier e deri në Vjosë, është më i ndoturi në Europë. Askush nuk i ka dëgjuar, madje nuk ua ka vënë veshin edhe kur, si në këto dy ditët e fundit, ai del nga shtrati dhe përmbyt lagjet e Fierit. Nëse keni mundësi të udhëtoni në rrugën e vjetër që lidh Ballshin me Tepelenën do të shihni skena të vërteta të “arkeologjisë industriale”. Janë ende në punë puse të ngritura nga italianët, apo nga sovjetikët qoftë, këtu e në moshën e gjyshërve tanë! Rrokama e tyre që derdh gaz, naftë e squfur anekënd nuk mund të jetë gjë tjetër veçse monumenti i paaftësisë tonë si vend, si shtet, si komb, për t’u marrë me pasurinë tonë, me atë që na e ka dhuruar Zoti dhe na e kanë ruajtur të parët. E gjitha kjo neglizhencë, endje drejt “marrëzive të madhështisë” dhe jo drejt gjërave konkrete, të atyre të ashtuquajtura të vogla, që e përbëjnë në thelb jetën e përditshme, na kanë mësuar pa dashje të gjithëve, si viktima edhe vëzhgues, që t’i marrim këto gjëra si të zakonshme. Ndërkohë që pasuritë tona tkurren, njerëzit tanë vuajnë dhe shpresa jonë mpaket.

Përmbytje? Po pastaj, kanë ndodhur dhe do ndodhin. Shembje në minierë? Po jeta i paska edhe këto. Rrëshqitje masive dheu? Vetë e keni fajin, përse i pretë pemët? Mbase kjo gjuhë mund të gjejë edhe ndonjë element logjik që të jetë bindës, porse ama në radhë të parë duhet t’u mbushë mendjen atyre të Patos-Marinzës që ende latyrisen rëndë me llumin erëkeq në shtëpitë e tyre të çara.

Mjekët specialistë të sëmundjeve profesionale e dinë, e kanë thënë, e kanë botuar, se një ndër efektet që jep squfuri i lartë në ajër, në ushqim, apo në ujë, janë sëmundjet mendore. Këto janë të shumëllojshme, shkojnë që nga dhimbjet e forta të kokës deri te humbja e kujtesës, apo agresiviteti akut. Ka ardhur koha që njerëzit që drejtojnë këto punët e pasurive kombëtare të nisen e të provojnë se çdo të thotë dhimbje koke nga squfuri i naftës, çdo të thotë të jetosh mes baltës së përvëluar me squfur. Ama vetëm për pak minuta, se pastaj do të na duhen të na zgjidhin gjithë këtë zinxhir punësh, që u vumë përpara, ose më saktë, që ata vetë i kanë marrë mbi supe.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button