Opinion

Polemika Rama-Vuçiç dhe cektësia e Brukselit

Andrea Stefani

Andrea Stefani
Andrea Stefani

Është skolastike, e cekët, madje disi e stisur kritika e butë nga Brukseli për deklaratën e Kryeministrit Edi Rama lidhur me bashkimin kombëtar të shqiptarëve. Një deklaratë e Maja Koçijançiç, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të Komisionit Europian, është perceptuar si një lloj kritike ndaj konotacioneve etnonacionaliste të pretenduara si prezente në një intervistë të Ramës dhënë pak ditë më parë. Po a ka pasur vërtet të tilla ngjyrime në thëniet e kryeministrit shqiptar?

***

Në fakt jo. Në thelb, Rama ka folur për dy mënyrat e bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Njëra, ajo ndaj së cilës të dy qeveritë në Tiranë dhe Prishtinë deklarohen të dedikuara, është rruga e integrimit të përbashkët në Bashkimin Europian. Por në rast se kjo rrugë nuk realizohet, atëherë rruga e mbetur e bashkimit kombëtar për shqiptarët është ajo klasikja, e bashkimit jashtë integrimit europian. Në këtë deklarim nuk ka fare etnonacionalizëm por ka shumë realizëm. Nacionalistët nuk flasin për integrim me kombe të tjerë, por vetëm për një bashkim të pastër etnonacionalist. Në thëniet e Ramës nuk qëmton asgjëkund një gjakim të tillë etnonacionalist. Përkundrazi nënvizohet qartë përparësia, devocioni i politikës shqiptare ndaj integrimit me BE. Por, ndërkaq, bëhet edhe një paralajmërim se nëse BE nuk tregohet e vëmendshme dhe aktive ndaj Ballkanit Perëndimor (dhe nuk është se BE nuk është kritikuar për pasivitet në këtë rrafsh) etnonacionalizmi mund të shndërrohet në fatalitet jo vetëm për shqiptarët, por edhe për rajonin e Ballkanit.

***

Ndjenjat etnonacionaliste (quajini në daç nacionaliste) mbeten shumë të forta në Ballkan. Aq më tepër në shtete që jo vetëm sapo kanë fituar mëvetësinë, por edhe sapo kanë dalë nga konflikte të tmerrshme etnike. Aq e fortë shfaqet fara e keqe e etnonacionalizmit sa, mjerisht, barërat e tij të këqija, po i shohim të rriten vitet e fundit edhe në oborret e disa shteteve të vetë BE-së. Prandaj ndaj ndjenjave etnonacionaliste mund të mbash çdo lloj qëndrimi, por do të qe miopi politike t’i injorosh. Dhe pikërisht ky është qëndrimi i Kryeministrit Rama. Mos bën gabim që paralajmëron një rrezik? Është kollaj të thuash bashkë me Koçijançiç se Ballkani Perëndimor ka “një perspektivë të qartë europiane”. Por sapo e dëgjon një deklaratë të tillë të vjen të pyesësh: Sa të qartë? Sa të qartë e ka këtë perspektivë Maqedonia ku prirjet e pazbutshme etnonacionaliste e paaftësojnë të respektojë Marrëveshjen e Ohrit për bashkëjetesë mes etnive? Sa të qartë e ka këtë perspektivë Serbia që refuzon të njohë shtetin e Kosovës pikërisht e penguar nga një traditë e fuqishme etnonacionaliste?

***

Dhe meqenëse ra fjala për Serbinë, na duket se deklarata Koçijançiç është e inspiruar më tepër nga një reagim i Kryeministrit serb Vuçiç lidhur me deklaratën e Ramës, sesa nga ndonjë ngjyrim etnonacionalist i vetë kësaj deklarate. Është prej kohësh në strategjinë e Serbisë që ta njollosë diplomacinë e Tiranës me etnonacionalizëm. Të njëjtën gjë bëri edhe këtë radhë me gojën e Vuçiç i cili, qe i pari që e stigmatizoi si provokuese dhe destabilizuese për rajonin deklaratën e Ramës. Madje i bëri thirrje BE që të reagojë. Dhe reagimi erdhi me anë të Koçijançiç. Por nuk ka diplomaci më të gabuar dhe më kundërproduktive se ta marrësh të pavërtetën dhe ta mbrosh si të vërtetë. Gjithsesi, pati diçka thelbësisht realiste edhe në deklaratën e Kryeministrit serb që i premtoi Ramës se Kosova dhe Shqipëria nuk do të bashkohen kurrë në mënyrën klasike. Serbia kundërshton bashkimin entnonacionalist të shqiptarëve por nuk e përjashton këtë bashkim?! Ky është vërtet një lajm i mirë! Dhe e vetmja rrugë e mbetur pas eliminimit të klasikes, është ajo që përmendi Rama, bashkimi me anë të integrimit në BE. Në thelb edhe Vuçiç ka thënë të njëjtën gjë si Rama të cilin, si për ironi, nxitoi ta kritikojë. Kjo është ana qesharake e gjithë kësaj polemike deklaratash thelbësisht të njëjta, të marrë aq seriozisht në mënyrë po aq qesharake nga Brukseli.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button