IntervistaMuzike

Të kthesh në muzikë vdekjen

Il Naufragio/ Opera kushtuar anijes shqiptare “Kater i Radës” që u mbyt në Otranto do të ketë premierën shqiptare në festivalin “Tirana open” në fillim të majit. Vepra e kompozuar nga artisti shqiptar, Admir Shkurtaj, është pritur me tone pozitive nga kritika italiane pas shfaqjes në Edicionin e 58-të të Bienales së Venecias

Admir-Shkurtaj
Admir Shkurtaj
Admir Shkurtaj ktheu në muzikë vdekjen, duke u dhënë zë valëve të detit ku lundronin trupat e pajetë. Në vitin 1997, ai ndodhej në një tjetër anije për të mbërritur në brigjet italiane, teksa “Kater i Radës” me 120 shqiptarë në bord u fundos në kanalin e Otrantos. Ky udhëtim mund të kishte qenë dhe fati i tij, atëherë student në Konservatorin e Tiranës që la gjithçka për një të ardhme më të mirë. Janë shkruar libra, janë hapur ekspozita fotografike me copëzat e mbetura nga anija, por ta ngjizje në një opera ngjarjen ishte diçka jo e zakonshme. Në edicionin e 58-të të Bienales së Venecias “Kater i Radës – Il Naufragio” do të kishte një premierë emocionuese. Me libret të Alessandro Leogrande opera ishte një bashkëpunim mes Bienales së Venecias dhe Teatrit Koreja, drejtori i të cilit Salvatore Tramacere ishte dhe regjisori i veprës. “Kompozimi i Shkurtajt godit në shenjë për “zhveshjen lakuriq të ngjarjes”, për fat të keq shumë aktuale në ditët tona, në një mozaik gjuhësh vokale; polifoni-jazz-puntilizëm-madrigali- goditje fyti-bërtitje-recitativ-melodi të thjeshta, pastaj në një shumëllojshmëri të tillë gjuhësh dhe pa asnjë retorikë. Emocionet vijnë nga një rigorozitet të konceptimit, nga goditje skenike të brendshme; shpresojmë që një opera e tillë me këtë tension të vazhdojë të ketë të njëjtin fat me të cilin përshëndeti Venecian”, shkruante gazeta italiane “La Stampa”. “Il Naufragio” nuk ishte një dramë, por një tragjedi, që u tregoi italianëve “fundin e një ëndrre”. Duket sikur goditja fatale ndodh në skenë dhe zërat dëshpërues në kërkim të shpëtimit, i bëjnë spektatorët të reagojnë si para një ngjarjeje të vërtetë. Ajo që e bën drithëruese është futja në skenë e polifonisë së Jugut të Shqipërisë koordinuar me zërat elektronikë të konceptuar si një “zgjatje” e zhurmës së ujit dhe të llamarinave të anijes. Violinat e Lapardhasë e kanë bërë publikun italian të përlotet. Në vepër interpretojnë sopranot Simona Gubella, Maria Luiza Casali, Alessia Tondo dhe tenori Stefano Luigi Mangia. Ato shndërrohen në zërat e të gjallëve e të vdekurve. Simona Gubello interpreton rolin e një nëne, ndërsa Alessia Toondo është Blerina, një vajzë e vogël që shtrëngohet pas së ëmës për të shpëtuar. Stefano Luigi Mangia interpreton rolin e Ermalit, të vetmit të mbijetuar nga kjo tragjedi…Gjuha italiane e njohur si gjuha e operës bashkohet në këtë vepër me shqipen, duke krijuar një muzikalitet prekës. Këta zëra të përzier me veglat muzikore materializojnë nganjëherë ato të luftës, herë ngjasojnë me ato të komandës militare italiane apo me fjalët e nënave që luten duke shtrënguar në gjoks bijtë e tyre. Instrumentistët në vepër janë Vanessa Sotgiu, Giorgio Distante, Marco Ignoti, Iacopo Conoci dhe Admir Shkurtaj. Opera do të ketë premierën shqiptare në ditët e festivalit “Tirana open” që do të mbahet në Tiranë nga data 6-12 maj. Më poshtë, kompozitori Shkurtaj vjen në një rrëfim për veprën.

Si lindi muzika e Kater e Radës? Si kanë qenë kohët kur e kompozoje këtë muzikë?

Kërkova të imagjinoj gjithçka që ishte zanore në këtë histori; krismat e plumbave në luftën civile në Vlorë 1997 – hapat e këmbëve të njerëzve që shkonin drejt portit-bërtitjet-bashkësia e zërave të turmës para anijes të realizuara si formë kontrapunti (pafundësia e dialogëve midis familjarëve) -anija vetë si objekt zanor(motori,llamarinat, ndryshku, pluhuri,litarët,sirena…),deti si objekt zanor(uji,kripa,shkuma…),këngët polifonike labe(të përdorura si komentet e koreve në tragjedinë greke. Thuhet që kënga polifonike labe të jetë po aq e vjetër…)! Ky ishte materiali zanor që zgjodha dhe që ka karakterizuar shumë punën, i dha një realizëm të fortë të bazuar te  materia(lënda); m’u desh vetëm t’i jap formë. Në opera ka një shumëllojshmëri gjuhësh që paraqiten shumë të filtruara(në shoshë do e

thosha në shqip…) për të larguar rrezikun e retorikës apo të banales; nga momente të muzikës minimale-ninullat-jazzit-elektronike dhe sidomos bashkëkohore në pjesën më të madhe. Bashkësimi i të gjithave në një unitet gjuhe ishte qëllimi.

Të kompozosh për humbjen, vdekjen… duke pasur parasysh fatin e anijes Kater i Radës, si e bën procesin e punës…? Çfarë ndien?

Është e pamundur të imagjinohet diçka që nuk është jetuar, si vdekja; edhe ata që e kanë jetuar kanë vdekur kështu që… Procedura ime është ajo e ndërtimit arkitektonik. Mund t’ju sjell një shembull për të

gjitha;…imagjinoj(nga ana vizive) diçka të lidhur me ngjarjen, siç mund të jetë skena e fundit kur trupat e vdekur “lundrojnë” të përcjellë nga valët e detit dhe i jap formë muzikore duke imituar procesin e formën e valës së zërit, që pastaj është e ngjashme me atë të ujit. Natyrisht, ky është “spekulim muzikor” dhe ç’ka të bëjë me tragjedinë, lind pyetja? Unë si Admir, në formën time ndërgjegjësore(apo koshiente) nuk merrem drejtpërdrejt me tragjedinë, është e pamundur; krijoj një rezultat të fortë, sa më të fortë të mundur që mund të shkaktojë te dëgjuesi një emocion të fortë gati në qarje(kjo ka ndodhur në çdo shfaqje që kemi dhënë te publiku italian) por nuk pretendoj të sjellë emocionet e vërteta të një tragjedie që janë në zemrat e atyre që e kanë jetuar. Besoj se kjo konsideratë vlen për tragjedinë në përgjithësi.

Sa është historia jote brenda kësaj muzike?

Është e gjitha! Është në udhëtimin tim në një anije të ngjashme me atë të “Kater i Radës” për të arritur në të tjera brigje në atë dimër të 1991 që populli Shqiptar e njeh shumë mirë, është në shumëllojshmërinë e gjinive muzikore që kam ushtruar në këta 20 vjet(jazz, wordmusik,ritmin blues, piano bar, muzikë dhome,filmash, për teatër..) qoftë për të përballuar nevojat jetike, si dhe për bukurinë e këtyre zhanreve.

Vepra është prezantuar në edicionin e 58-të të Bienales së Venecias…Si ka qenë rrugëtimi i saj, si është pritur?

Erdhi si komision nga ana e Bienales së Venecias për të prezantuar një opera në këtë edicion. M’u besua mua si kompozitor edhe teatrit “Koreja” për mbështetjen fisnike të të gjithë operacionit, është një koproducion midis Bienales së Venecias e Teatrit Koreja. Subjektin e zgjodha unë duke lexuar “Il naufragio” – edizione Feltrinelli – të Alessandro

Leograndes që u shndërrua edhe në libretist të të njëjtës punë. Regjia u bë nga Salvatore Tramacere, regjisor i të njëjtit teatër. Skenografia është e Micheangelo Campanale. Opera është pritur shumë mirë dhe ka qenë një sukses (s’duhet të jem unë që e them, por…ju po ma kërkoni). Është cilësuar si projekti më i mirë i këtij edicioni. Ajo që më ka befasuar në këtë punë është fakti që ka prekur tela të brendshëm dhe ka

goditur brenda në zemër të dëgjuesit të çdo kategorie, nga ata të kultivuar si edhe ata që nuk kanë një “edukatë muzike”. Kjo ndodhi si këtu në Salento si edhe në Venecia. Këtë rezultat nuk e kisha kërkuar as edhe parashikuar. Duhet të them që është diçka shumë e rrallë për një opera të muzikës bashkëkohore – këtu futem edhe vetë në punë të mëparshme. Shpesh mendoj se nuk mund të riprodhoj të njëjtin rezultat.

Ju jetoni në Itali, nëse hedh vështrimin në të shkuarën cila është koha kur muzika erdhi te ju? Si ka qenë ky rrugëtim?

Isha student i kompozicionit(viti II) në Konservatorin e Tiranës kur lashë Shqipërinë në vitin 1991. Menjëherë vazhdova studimet këtu në Leçe dhe iu futa një aktiviteti muzikor shumë dinamik; njoha muzikën Jazz, krijova grupet e para, njoha muzikën popullore të jugut të

Italisë, solla muzikën tonë popullore këtu edhe gërshetime të këtyre gjinive në forma të ndryshme etno-jazz. Të gjitha këto ndërkohë që ndiqja studimet e kompozicionit bashkëkohor në Milano – San Marino – Pescara… Jeta ime është jeta e kryqëzimeve të gjuhëve, njerëzve dhe gjeografisë; në këtë jam me se në sintoni me kohën!

Vepra do të prezantohet në Tiranë në “Tirana open” në muajin maj. Si ndiheni që do të ketë një përballje me publikun shqiptar?

Jam shumë kurioz edhe i emocionuar në të vërtetë, sepse nga një anë nuk njoh zhvillimet apo transformimet estetike të publikut shqiptar. Historia e këtyre viteve ka shndërruar faqen e Shqipërisë dhe jam shumë kureshtar për të njohur brendësinë e këtyre transformimeve. Nga ana tjetër është vendi ku kam lindur dhe ku kam projektuar një të

ardhme perspektivash. Si me thikë këto u transferuan në një tjetër dimension Spazio-tempo, por diku vazhdojnë të jetojnë në zemrën time.

Kritika: Mario Messinis

U mbyll edicioni i 58 i Bienales së Muzikës së Venecias. I gjallë është kujtimi i kompozicionit në mbrëmjen finale të shfaqjes së parë absolute të “Kater i Radës”. Suksesi i kësaj opere të Shkurtajt shpjegohet me efikasitetin e evokacionit- pa retorikën e zakontë që karakterizon punë të kësaj natyre.

Ivan Federe

(Drejtor i sesionit të muzikës në Bienalen e Venecias)

Admir Shkurtaj karakterizon partiturën me sugjestionet muzikore që e kanë intriguar që në moshë të re. Dashuria për tokën  tij dhe për Bartok duket në pasionin për elemente muzikore të traditës ashtu si dhe interesi për muzikën e improvizuar që bashkohet në mënyrë shumë origjinale me muzikën e shkruar, të pasur nga ana tingullore dhe me leksikun e avangardës dhe pastaj bukuria arkaike e korit polifonik të Lapardhasë…..Ky është një bashkëpunim për të cilin jemi krenar!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button