Te ndryshme

Evoluimi i femrave në veprat e Shekspirit

‘Ishte Shekspiri një feminist?’- pyet një regjisore teatri që vendosi të studiojë se si evoluoi perceptimi i dramaturgut dhe poetit mbi femrat gjatë etapave të jetës së tij

Tina Packer ia ka dedikuar shumicën e jetës së saj Shekspirit. Aktorja angleze ka qenë regjisore e shumicës së shfaqjeve të tij teatrore, ka aktruar në shumë prej tyre dhe i ka mësuar të gjitha. Rreth 50 vjet më parë, ajo themeloi Shakespeare & Company, një teatër me bazë në Masaçusets të dedikuar plotësisht performimit dhe promovimit të punëve të tij. Dhe këtë javë, veterania e teatrit publikoi librin e saj të parë, Gratë e Uillit: Duke ndjekur femëroren te veprat e Shekspirit.

Duke njehsuar studimet, si dhe të dhënat e fituara prej eksperiencës së saj mbi Shekspirin, Packer ndjek evolucionin në shkrimin për gratë që nga personazhet e femrave që ai i shpiku si një poet i ri deri te femrat komplekse dhe me skema që ai filloi t’i portretizojë me kalimin e kohës. Autorja i lidh këto zhvillime me ngjarje të jetës së Shekspirit. Libri i ri doli nga një shfaqje me të njëjtin emër, që Packer dhe aktori Nigel Gore e kanë paraqitur me tur nëpër botë që nga 2010.

“Ky ishte një udhëtim i brendshëm, si dhe një udhëtim i jashtëm”, tha Packer. “Unë identifikohem me shumë prej karaktereve femërore, nga gjërat e reja të pafajshme që luaja dikur, te femrat që bëjnë gjithnjë plane dhe kërkojnë pushtet deri tek ato që duan të rregullojnë çdo gjë.

Një organizatë, Femrat në Botë folën me Packer se si ndryshuan pikëpamjet e Shekspirit për femrat, çfarë i nxiti këto zhvillime dhe pse ka rëndësi.

Intervista

Si ju erdhi ideja e projektit?

Tina Packer: Kisha bërë rreth 20-25 shfaqje kur fillova të shoh një formë në zhvillimin e shkrimit të Shekspirit për femrat.

Cila ishte forma?

Unë perceptova pesë ndryshime madhore. Kur ai ishte një dramaturg i ri, ai nuk i kuptonte femrat. Ai thjesht projektonte mbi to, si shumica e adoleshentëve. Ata janë të magjepsur nga femrat, i vënë ato në një piedestal dhe i nderojnë nga larg ose i shohin ato si grindavece. Ka të bëjë me projektimin.

Kur papritur, pati një kapërcim të madh. Ai fillon të thellohet te femrat dhe t’i kuptojë ato. Dija seksuale shkrihet me dijen e re shpirtërore. Kjo fillon me Romeon dhe Zhulietën. Asaj i jepet i njëjti vend në titull dhe ai shkruan nga brenda saj, jo nga jashtë. Pavarësisht se ata nuk janë kurrë të barabartë në botën e jashtme, sepse atëherë femrat nuk e kishin këtë mundësi – ata janë të barabartë në imagjinatën e Shekspirit. Shumë Zhurmë për Asgjë është një tjetër shembull.

Në atë periudhë dhe ai vetë ra në dashuri fuqishëm. Ai u martua në moshën 18-vjeçare Anne Hathaway që ishte tetë vjet më e madhe se ai. Ata patën dy fëmijë dhe ai u largua shumë shpejt pasi lindën binjakët.

Pastaj në një nivel të tretë zhvillimi, femrat përpiqen të thonë të vërtetën gjithnjë e më shumë rreth situatave sociale dhe politike rreth tyre. Nëse e maskonin veten si burra, ato ishin në rregull dhe kushdo i dëgjonte. Ato mund të nxisin gjëra dhe të shkaktojnë pasoja. Por nëse ato qëndronin në lëkurën e vet dhe thoshin të vërtetën, do të vriteshin, do të çmendeshin ose do vrisnin veten si Ofelia te Hamleti.

Pastaj në seksionin e katërt, femrat kërkojnë po aq sa burrat. Ato janë ambicioze. Ato duan influencë. Dominojnë shfaqjet – vajza më e madhe e Mbretit Lir, por përfundon shkatërrimtare, sepse ato nuk janë më në lidhje me ndjeshmërinë femërore të marrëdhënieve, duke ndjerë për njerëz të tjerë gjëra këto që femrat i bëjnë mirë.

Ndryshimi i fundit ishte kur Shekspiri vetë largohet nga Londra dhe shkon në Stratford. Ai fillon të shkruajë si një lloj përralle ose miti. Disa gjëra të tmerrshme ndodhin në fillim të dramës dhe nuk  mjafton një brez, por dy. Vajzat gjejnë një rrugë për të shlyer mëkatet e baballarëve. Ato përdorin energjinë e tyre krijuese për t’i ndrequr gjërat. Ideja e krijimtarisë lidhet me cilësitë femërore.

Çfarë thonë personazhet femra të Shekspirit për botëkuptimin e tij dhe punën e autorit si një e tërë?

Ai është një burrë që është performuar në të gjithë botën. Për disa arsye, ai prek një nerv në çdo shtet. Nëse shohim se çfarë shkroi ai për femrat, në fund ai thotë: Në një mënyrë ose në një tjetër duhet ta ndalojnë dhunën pafund. Ai u përpoq t’i bënte vetes pyetjen “Si dilet nga dhuna?” dhe përgjigjja është përmes femrave dhe krijimtarisë. Burrat duhet të lejohen të kenë atributet e tyre shumë femërore gjithashtu, dhe ato atribute thellësisht femërore duhet të dalin në pah.

Ishte procesi i shkrimit të librit, ndryshe nga skenari i një shfaqjeje?

Isha në gjendje të eksploroj gjëra dhe të bëj kërkime për ato që i kisha krijuar si pjesë teatrale. Mund ta kaloj orë të tëra në librari, duke lexuar libra nga studiues për të parë nëse një mendim i imi përputhej me të tyrin apo ishte një mendim krejt i ri.

*Burimi: Alice Robb / New York Times

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button