Home / Arte / Film / Kinemaja, duhet të shmangë stereotipat

Kinemaja, duhet të shmangë stereotipat

Milço Mançevksi / Regjisori i njohur maqedonas, fitues i “Luanit të Artë” në Festivalin e Filmit në Venecia, vjen në një rrëfim për kinemanë dhe vendin e tij të lindjes

Milcho-Manchevski

Milço Mançevksi

Nga Aida Tuci

Këto ditë ishte në Tiranë, Milço Mançevksi (Milcho Manchevksi). Kush …!? Në fakt në Shqipëri shumë pak e njohin atë dhe punën e tij. Mançevski vlerësohet sot si një nga regjisorët më të mirë të Ballkanit. Në vitin 1994, kur debutoi si regjisor në Festivalin e Venecias, askush nuk kishte dëgjuar për të. Por shumë shpejt të gjithë do të flisnin për filmin e tij “Before the Rain” (Përpara shiut), që atë vit u shpall fitues i “Luanit të Artë”. “Before the Rain” i dha publikut ndërkombëtar vizionin më të qartë të konfliktit në Ballkan. I lindur në Shkup të Maqedonisë, Mançevksi u largua nga vendlindja herët për t’u shkolluar në Amerikë. Prej 30 vjetësh ai jeton në Nju Jork, por Maqedonia mbetet vendi që frymëzon krijimtarinë e tij kinematografike. “Before the Rain” do të pasonte me tre filma të tjerë: “Dust”, “Shadows” dhe “Mothers”. Për herë të parë, Milço Mançevski ishte në Shqipëri i ftuar nga prezenca e OSBE-së në Tiranë.

Cilat janë arsyet e kësaj vizite?

OSBE-ja në Tiranë u tregua shumë e sjellshme që organizoi shfaqjen e filmit tim, për kënaqësinë e tyre. Dhe më ftuan dhe mua, të isha i pranishëm gjatë shfaqjes, por edhe të flisnim rreth filmit, të takoja disa kolegë shqiptarë, për regjisurën në përgjithësi, të takoja njerëz nga Ministria e Kulturës.

Kjo është hera e parë që vini në Shqipëri?

Teknikisht është hera e dytë, por është hera e parë që e shoh Shqipërinë vërtet, sepse herën e parë kam qenë shumë afër kufirit në Prespë, vetëm për një ditë. Pra, në të vërtetë, kjo është hera e parë që e shoh Shqipërinë dhe takoj kolegë shqiptarë. Këto takime me kolegët e mi shqiptarë dhe diskutimet që bëmë, ishin vërtet takimi im i parë me artin dhe artistët bashkëkohorë shqiptarë. Për fat të keq nuk i njihja më parë. Një nga shkaqet është fakti se unë prej 30 vjetësh jetoj në Nju Jork. Edhe në Maqedoni shkoj rrallë, prandaj nuk jam shumë i miqësuar me artin e rajonit në përgjithësi. Pra mosnjohja ime nuk ka të bëjë vetëm me artin shqiptar, por dhe me atë të Ballkanit. Nuk e njoh artin në Bullgari, Greqi, madje dhe atë serb.

Kur diskutohet për kinemanë ballkanike flitet shpesh se ajo ka ngecur dhe luan me stereotipa të gatshëm … P.sh., kur flitet për kinemanë shqiptare, ajo që shihet si ekzotike është fenomeni i burrneshave dhe gjakmarrjes, në Maqedoni p.sh. konfliktet etnike etj., etj. Ju si mendoni?

Stereotipat nuk janë gjë e mirë. Nuk janë në jetë dhe nuk janë të mira as në kinema. Mendoj se ata filma që i nxisin stereotipat pa vënë një pikëpyetje mbi to, pa vënë një faktor tjetër mbi to, nuk u bëjnë shërbim të mirë as regjisorëve dhe as shoqërisë. Por unë mendoj se vetëm arti i keq krijon stereotipa, ndërsa arti i mirë, i vë në dyshim ato që në bërthamë. Arti i mirë e surprizon shikuesin. Kështu që kur flasim për stereotipat, duhet ta shikojmë nga të dyja anët ekuacionin. Nga njëra anë janë regjisorët që i nxisin stereotipat dhe ne duhet të pyesim veten: Cilat janë arsyet që këta regjisorë e bëjnë këtë?

Por këtë pyetje duhet t’ia bëjmë vetes, pasi të kemi sqaruar se çfarë presim ne nga regjisorët. Cilat janë financat e tyre, çfarë presin festivalet e filmave nga regjisorët dhe në fund distributorët dhe audienca çfarë pret. Sigurisht që dhe në fushën tonë ka njerëz që kanë krijuar art dhe kanë bërë karrierë duke nxitur stereotipa. Për sa i përket filmit “Before the Rain”, ky film ka të bëje me arketipa dhe jo me stereotipa. Arketipat janë diçka që përdoren shumë në artet dramatike, përdoren shumë në filma dhe në drama. Kemi një situatë si Romeo dhe Zhuljeta në historinë e parë, që është një arketip. Kemi një situatë si kthimi i Uliksit në shtëpi në historinë e fundit që gjithashtu është një arketip. Pastaj pyetja është se çfarë bën artisti me këto arketipa, si janë zhvilluar ato, cilat janë emocionet që krijohen dhe cili është mesazhi që transmetohet. Mesazhi te “Before the Rain” është humanitar: ka të bëjë me solidaritetin, me vetësakrifikimin, ka të bëjë me kotësinë e luftës, me kotësinë e urrejtjes në përgjithësi, ku të gjithë vrasin të vetët. Shqiptari Alija vret motrën e tij, Zamira dhe maqedonasi Zdrave vret kushëririn e tij, Aleksandrin. Qëllimi është të tregojmë se çdo lloj vrasje jo vetëm në luftë, por në përgjithësi, është e panevojshme. Pra ky ishte qëllimi prapa filmit.

Gjithashtu është përshtypja se në Ballkan nuk mund të prodhohen filma pa dramë, pa lot, pa konflikt … pa varre?

Nuk mund ta gjykoj kinemanë ballkanike në përgjithësi meqë nuk e njoh mirë. Por mund të flas për filmat e mi. Mua më pëlqen një tragjedi e bukur, nuk më intereson se kujt zhanri i përket. Mjafton që filmi të jetë i lidhur mirë dhe t’i përcjellë një emocion shikuesit, emocion i cili i adresohet një tematike dhe koncepti ndryshe. Kjo është ajo që ka vërtet rëndësi për regjisorin. E bën këtë me një dramë, një melodramë, një tragjedi apo me një komedi, nuk ka shumë rëndësi, kjo është tjetër gjë. Unë gjithmonë kam qenë shumë i tërhequr nga tragjeditë e mira. “Before the Rain” është një tragjedi në disa pikëpamje, por për mua, mbaron me një shenjë optimizmi. Heroi është i përgatitur të sakrifikojë veten, me kusht që të ndihmojë tjetrin që nuk e njeh fare, dhe kjo është një shenjë solidariteti dhe vetësakrifikimi. Ky është fundi me gjurmë optimiste.

Personazhi kryesor te filmi juaj i parë “Before the Rain”, Aleksandër Kirkov, ka shumë të përbashkëta me ju. Sa personal ka qenë ky film për ju?

Nëse kjo ka ndodhur, nuk ka ndodhur me qëllim. Kur realizon një film, vështrimi mbi atë çka bën është eksperiencë personale dhe e gjitha kjo është në punën time, por nëse bën një film komercial, një film Hollivudi, e përfshin më pak eksperiencën tënde. Kaq për sa u përket ndjenjave dhe eksperiencave. Për sa i përket historisë aktuale, ngjashmëritë që unë dhe Aleksandri ndajmë janë që të dy u larguam herët nga shtëpitë tona për të jetuar në Perëndim, të dy kthehemi në shtëpi ku gjejmë një vend ndryshe. Kthimet ishin shumë emocionuese, ku si unë dhe Aleksandri në film jemi shumë të lumtur për kthimin në shtëpi, por që gjithashtu kalojmë një eksperiencë ndryshe, pasi vendi kishte ndryshuar shumë. Nuk ishte një zgjedhje e kujdesshme, por ishte interesante të kishe atë lloj personazhi. Aleksandri, meqë ra fjala, si personazh dhe nga mënyra që sillet me njerëzit e tjerë, madje dhe emri i tij janë bazuar tek im atë.

Si i shihni shqiptarët e Maqedonisë dhe kulturën e tyre?

Si i shoh ata?

Po. Cili është mendimi që ju keni për ta?

Shqiptarët e Maqedonisë nga këndvështrimi im janë pjesë e Maqedonisë. Shqiptarët e Maqedonisë i shoh si patriotët e mi, si njerëz që jetojmë në të njëjtin shtet dhe janë qytetarë të këtij vendi po aq sa jam dhe unë ose po aq sa ka qenë dhe im atë. I shoh si komshinj, i shoh si miq. Ndihmësi im është shqiptar i Maqedonisë. Pra nuk shoh asnjë ndryshim të rëndësishëm, nuk shoh as ndonjë problem që duhet të diskutohet ose sulmohet për aq kohë sa ne e respektojmë njëri-tjetrin, punojmë bashkë dhe jetojmë bashkë. Nuk shoh të ketë diçka të rëndësishme që ka nevojë t’i adresohemi.

Konsideroheni si regjisori më i mirë i Ballkanit, por fatkeqësisht në Shqipëri shumë pak ju njohin …

Unë mundohem të fokusohem tek arti im dhe çdo gjë tjetër thjesht vjen me punën. Pra mundohem të mos mendoj shumë për këtë gjë, por mundohem të përqendrohem te vetë arti. “Before the Rain” është shfaqur me sa di unë dhe me sa kujtoj në vitin 1995 në Festivalin e Filmit në Tiranë. Do të isha shumë i lumtur nëse të gjithë filmat e mi do të shiheshin në mënyrë të rregullt, ose në televizor ose në festivale, por kjo nuk është pjesë e punës sime. Mundohem të fokusohem te vetë filmat dhe pastaj janë producentët dhe shpërndarësit që vendosin se ku e si do të udhëtojë filmi.

Më tregoni pak për pasionin tuaj për fotografinë. Keni hapur disa ekspozita në Amerikë dhe Europë …

Më pëlqen fotografia ngaqë është diçka e vogël, nuk të nevojiten shumë njerëz, nuk të nevojitet shumë teknologji, nuk të nevojiten shumë para për të bërë art. Nuk ke nevojë ta planifikosh, mund ta bësh shumë shpejt, mund të jetë vetëm një moment, një sekondë dhe mund të kesh një punë të bukur arti. Për një film mund të duhen një, dy, pesë shtatë vite për ta bërë dhe nuk e di se çfarë mund të ndodhë në të vërtetë derisa fillon xhirimet, madje dhe pas kësaj. Për shembull, m’u deshën shtatë vite për të filmuar filmin tim të dytë “Dust”. Me fotografinë nuk je i detyruar të tregosh një histori, mund ta bësh nëse do, por nuk je i detyruar, mund të jetë vetëm një moment i bukur ose një imazh i bukur poetik që nuk është narrativ, por ka diçka rreth së cilës të tërheq. Unë kap foto kudo që shkoj. Nuk janë fotografi studiosh, por janë momente të kapura. Pjesa më e madhe e fotografisë sime është në rrugë. Kam dhe dy albume të botuara: “On Street” dhe “Five drops of dream”. Unë ndjek traditën e Cartier-Bresson, Garry Winogrand dhe Robert Frank. Ekspozitat e mia kanë udhëtuar gjerësisht dhe unë do të isha shumë i lumtur nëse një prej tyre do të hapej edhe në Shqipëri.

Ju gjithashtu shkruani tregime, keni realizuar videoklipe për MTV, së fundmi po lëvroni dhe artet pamore. Pse ju nevojiten kaq shumë mediume për t’u shprehur?

Lidhja është ndjeshmëria artistike. Mendoj se lloji i emocionit që arti im krijon në fusha të ndryshme është i ngjashëm dhe gjithashtu dhe interesi në artin konceptual, i cili e reflekton veten dhe në punë më të vogla që janë më emocionale. Për mua qasja ndaj artit është në dy ekstreme: në njërën anë është arti konceptual, ndërsa në anën tjetër arti i cili është emocionues si për artistin dhe për publikun. Pra, puna me këto dy ekstreme, me këto dy funde të një spektriumi ndikon në artin që unë krijoj. Unë mendoj absolutisht se çfarë ecën me artistin është kriteri i vetëm, thjesht artisti ndien nevojë të dalë dhe të komunikojë me një qenie tjetër njerëzore. Ndonjëherë arti është ai që zgjedh dhe ti nuk mund të thuash tani do të shkruaj një poemë ose tani do të kompozoj një pjesë muzikore.

Nga këto fusha të artit dhe kulturës, cila është ajo e preferuara për ju për t’u shprehur?

Kam shkruar tregime të shkurtra dhe një libër të vogël me proza / poezi poststrukturaliste, nuk e di si doni ta quani ju. Shumicën e shkrimeve të mia nuk i kam publikuar, pasi janë gjëra që unë i shkruaj dhe i lë në sirtar, edhe pse është rruga ime e preferuar e të shprehurit; ndoshta më pëlqejnë aq shumë sa nuk dua t’i ndaj. Unë nuk shoh shumë filma, nuk njoh shumë regjisorë, aktorë apo producentë. Në 10-15 vitet e fundit kam parë gjithnjë e më pak filma dhe kjo është një nga arsyet pse nuk e njoh kinemanë rajonale. Do të preferoja të shkoja më shumë të vizitoja një galeri, të lexoja një libër, të shihja ndeshjet e NBA-së dhe ndoshta në fund fare të shikoja ndonjë një film. Më duket sikur ka diçka interesante në shikimin e një arti të ndryshëm nga ai që artisti krijon. Gjithashtu për mua si regjisor shumë filma, sidomos ata të Hollivudit, janë të parashikueshëm.

Çfarë imazhi kishit krijuar për Shqipërinë para kësaj vizite?

Nuk e dija se çfarë më priste. Kam miq nga Shkupi që udhëtojnë në Tiranë shpesh për biznes dhe ata e pëlqejnë me të vërtetë shumë dhe po ma rekomandonin që unë të vija këtu. Çfarë unë mbaj nga fëmijëria ime, ishte ai misteri i madh që fshihej prapa malit, sepse kur unë isha fëmijë, Shqipërinë e kam pasur shumë afër, por ishte një vend i mbyllur që askush nuk mund të shkonte atje dhe askush nuk mund të ikte prej aty. Tani që jam e ndiej shumë më afër sesa ishin pritshmëritë e mia si fizikisht ashtu dhe mendërisht. Një gjë që bie shumë dhe menjëherë në sy është sesa miqësorë dhe të sjellshëm janë njerëzit këtu. Por më duhet ta them se unë po e shpresoja këtë gjë dhe si të thuash e prisja.

Në këtë vizitë të parë, a keni diskutuar për të bashkëpunuar me ndonjë projekt shqiptar?

Nuk kam asgjë specifike për momentin në Shqipëri, por do të isha i lumtur të bashkëpunoja me ndonjë projekt ose dhe thjesht të isha pjesëmarrës në ndonjë projekt artistik shqiptar.

Si p.sh., të hapni një ekspozitë?

Do të më pëlqente ta bëja këtë gjë. Do më pëlqente që të vija me ndonjë nga ekspozitat e mia fotografike ose të performoja.

Po për sa i përket krijimtarisë suaj në artet pamore, cilat mediume preferoni: fotografinë, filmin, performancën, instalacionin …?

Varet nga puna në vetvete, nga lloji i performancës. Pjesa më e madhe e krijimtarisë bazohet në art konceptual dhe strukturalist, ndërsa një pjesë përfshin dhe filmin, fotografinë, instalacionin, por dhe kjo është shumë konceptuale, shumë e thjeshtë.

Aktualisht çfarë projekti keni në dorë?

Tani po merrem me ekspozitën time të radhës që do të çelet në Nju Jork. Gjithashtu po punoj mbi disa tregime që do të doja t’i përshtatja në skenar filmash. Në një prej tyre ngjarjet zhvillohen në një qytet të madh në Europën Perëndimore, me shumë mundësi në Berlin, akoma nuk e kam vendosur, ndërsa tjetra është një histori që zhvillohet në një vend të vogël diku në Mesdhe. Nuk e kam vendosur akoma nëse do të jetë Maqedonia, por është një histori e ndarë në dy pjesë: njëra pjesë është vendosur në kohë në mesjete, ndërsa tjetra në ditët e sotme.

I jeni dedikuar vitet e fundit artit bashkëkohorë aq sa duket sikur keni hequr dorë nga kinemaja!?

Ka diçka që më pëlqen vërtet në artin bashkëkohorë, pasi është më esencial. Fokusohet në estetikë dhe nuk ka asgjë komerciale në të. Për të realizuar një film, duhet të angazhosh shumë njerëz e për rrjedhojë një film është shumë i shtrenjtë, shumë i ngadaltë pasi duhet shumë kohë për ta realizuar dhe kjo gjë i bëhet barrë artit, të bën të shpenzosh kohë dhe energji në gjëra që nuk janë kreative. E urrej kur çoj dëm kohë dhe energji.

Leave a Reply

Your email address will not be published.