Opinion

Grida si fenomen diskriminues

Nga Gresa Hasa

Grida_Duma29dhjetor-171x200Në numrin e datës 15 prill 2015 të gazetës “Panorama” më qëlloi të lexoja një ribotim të shkëputur nga revista “Psikologjia” (tetor 2013) i cili me ç’duket tenton të vlerësojë kandidaten aktuale për Bashkinë e Durrësit, Grida Dumën, figurë tashmë e njohur ndër radhët e Partisë Demokratike. Megjithatë, mënyra e zgjedhur për t’ju drejtuar zonjës Duma reflekton tërësisht të kundërtën e asaj që konsiderohet ‘respekt’ apo ‘vlerësim’. Bëhet fjalë për shkrimin që mban titullin “Grida, studentja që u dashurua me profesorin e saj”, afërmendsh një titull po gjithaq shqetësues, duke qenë se reflekton një marrëdhënie hierarkie ku zonja në fjalë paraqitet në pozitën më të pafavorshme (duke u kufizuar në marrëdhënien (e shkelur) student/pedagog dhe në brendësi të këtij roli nëpërmjet një qasjeje seksiste prezantohet si një grua e paaftë për t’u dashuruar me një burrë që rastësisht qëllon të jetë edhe profesori i saj; pra si një studente e fantaksur pas profesorit të lëndës përkatëse).

(http://www.panorama.com.al/profil-grida-duma-studentja-qe-u-dashurua-me-profesorin-e-saj/)

Nuk e di nëse zonja Duma është në dijeni të këtij shkrimi; uroj që po, sikundër uroj që ajo të reagojë në mënyrën më të përshtatshme në raport me të (nëse më parë nuk e ka bërë një gjë të tillë), fillimisht për personin e saj si grua e masandaj për rolin publik që i ka mundësuar vetes.

Mjafton paragrafi i parë i këtij shkrimi paçavure për të zhvlerësuar krejtësisht figurën e zonjës Duma si grua dhe më pas atë si përfaqësuese të një elektorati të caktuar. Nuk jam në dijeni të autorit pas këtyre rreshtave, por kjo lloj qasje ndaj këtij individi dhe personazhi është krejtësisht diskriminuese, duke qenë se jo vetëm e objektifikon seksualisht në çdo rresht duke e trajtuar si plaçkë epshi por edhe e glorifikon po kësisoji. Ky është diskriminim dhe ofezë që prek jo vetëm Grida Dumën, por edhe mua si grua dhe gjithë pjesën tjetër të ndërgjegjësuar të kësaj shoqërie.

Në mënyrë të frikshme, ky artikull përshkon të gjithë fizikun e zonjës Duma duke nisur nga sytë, lëkura dhe çdo milimetër tjetër të sipërfaqes së trupit të saj, duke e trajtuar në të njëjtën formë si do të trajtohej një statujë e zhveshur në muze, ku guida referuese do të fliste në mënyrë banale për format trupore të objektit.

Zonja Duma nuk portretizohet si një grua e bukur dhe inteligjente nëpërmjet këtij artikulli. Ç’domethënë e bukur pikë së pari? Bukuria nuk është predispozitë vetëm fizike për aq kohë sa fizikun nuk e zgjedhim, por ai është rastësi e natyrës prej trashëgimisë gjenetike nga dy prindër që na sjellin në jetë. Bukuria nuk është status fizik por mënyrë të menduari dhe të vepruari. Bukuria është sjellje. Bukuria është fjalë. Bukuria është emancipim dhe emancipimi nuk buron së jashtmi, ai vjen së brendshmi, nga puna e vazhdueshme dhe e palodhur e njeriut me veten. Ky artikull e dëshmon në mënyrë të pakundërshtueshme zonjën Duma si një kuotë më shumë kukull të gjinisë femër në radhët e angazhimit publik dhe pjesëmarrjes politike dhe jo si një individ të aftë për të menduar, për të vepruar dhe për të përfaqësuar një pjesë të popullsisë.

Mund të përpiqem ta kuptoj ribotimin e këtij artikulli në gazetën “Panorama” pak kohë përpara zgjedhjeve, si një mënyrë për të reklamuar një kandidate dhe për t’i dhënë asaj një vëmendje maksimale, fundja, si në botimin fillestar ku ekspozeja shërbente për t’i rritur popullaritetin personazhit, por kjo kurrsesi nuk e justifikon gjuhën degraduese të përdorur ndaj Gridës si grua dhe jo Gridës veçse si personazh.

Paçka se personalisht mund të mos bie dakord me pjesën më madhore të qëndrimeve publike të zonjës Duma, më duhet të pohoj që këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me Grida Dumën si figurë publike dhe si grua në politikë, por me mënyrën se si realiteti shqiptar i trajton gratë qofshin këto në poste drejtuese/publike dhe jo vetëm.

Media është një instrument tejet i fuqishëm i përçimit të informacionit, për të mos thënë instrumenti më i rëndësishëm demokratik, njëkohësisht edhe edukues i masave.
Diskriminimi gjinor nuk është fenomen shqiptar, por mbarëbotëror dhe ekzistent po ashtu në shoqëri të zhvilluara ku revolucioni seksual ka ndodhur tash sa kohë. Diferenca me Shqipërinë qëndron në faktin se këtupari, ky lloj diskriminimi e diskriminimi në përgjithësi është shndërruar në një normalitet të heshtur, të pranuar dhe të nxitur, ku gratë nuk janë individë socialë por objekte shfryrjeje (epshi, mllefi, çfarëdo qoftë) dhe ku ndaj fenomenit nuk ka pothuajse asnjë lloj reagimi dhe kritikë.

Nuk duhet të harrojmë që bëjmë pjesë në një shoqëri ku roli i individit si i këtillë paracaktohet që prej çastit kur mjeku informon për gjininë e fëmijës (vajzë/djalë). Është pikërisht kjo gjeneza e pabarazisë në sisteme patriarkale dhe shtypëse ku vajzat dhe djemtë trajtohen ndryshe nga sho-shoqi pse të parave u nxitet mendësia e nënshtrimit, ndërsa të dytëve ajo e pushtetit. Në vitin 2015 ende në Shqipëri gratë vriten dhe dhunohen në emër të një morali të gënjeshtërt (hipokrit). Heshtja e vazhdueshme jona vetëm sa e përligj më tej dhunën e me dhunë nuk nënkuptohet vetëm përplasja fizike – përkundrazi, problematika kryesore në këtë shoqëri është presioni i vazhdueshëm ndaj gjinisë femër, ku për këtë të fundit jeta programohet në bazë kushtesh krejtësisht antihumane. (Shoqëria patriarkale (edhe) jona gëzon një standard të paracaktuar të të jetuarit të gruas, ku kësaj të fundit i tregohet sa të peshojë, si të vishet, si të sillet, si të gatuajë, lajë, pastrojë, si të frymojë…gjë që nuk ndodh në raport me burrat pse apriori ata konsiderohen individë – çka në të vërtetë janë; ndryshe nga gratë të cilat apriori trajtohen si jo-individë.)

Në lidhje me humbjen e virgjërisë, për shembull, apo qoftë seksin në përgjithësi (tema ende tabu!) edhe nëse nuk do t’u merret jeta ndaj këtij akti krejtësisht të natyrshëm (me justifikimin e moralit absurd) vajzat dhe gratë do të trajtohen në mënyrë diskriminuese dhe fyese pse imagjinarja patriarkale i sheh ato si objekte seksuale në funksion të djemve/burrave. Kësisoji, kjo deficencë të menduari e trajton aktin e zhvirgjërimit te vajza/gruaja si një proces në funksion të përmbushjes së epshit te djemtë/burrat (pra si diçka që ato ‘e humbasin’, ‘ju vidhet’ apo ‘ju bëhet’ – brenda rolit pasiv nëpërmjet të cilit trajtohen). Njëkohësisht, vetë ‘zhvirgjërimi’ është term i lidhur ngushtë me kryerjen për herë të parë të interkursit nga/tek vajzat/gratë. Rrjedhimisht, prej momentit të lindjes e në hapa të mëvonshëm e të njëpasnjëshëm si marrëdhënia e parë seksuale e deri te posti i të ligjëruarit përpara një elektorati në Shqipëri, gruaja do të trajtohet në mënyrë pasive dhe inferiore.

Ne duhet t’i edukojmë gratë dhe burrat e kësaj shoqërie si individë të aftë për të zotëruar veten, mendjen dhe trupin; ku vajzat/gratë dhe djemtë/burrat janë të aftë jo vetëm të vendosin për veten, por njëkohësisht të kryejnë funksione sociale të njëllojta dhe të barabarta si dhe të respektojnë njëri-tjetrin si qenie humane dhe ku qasja ndaj sho-shoqit të lindë nga respekti dhe vlerësimi i tjetrit si qenie humane, jo vetëm qenie riprodhuese apo e aftë për të përmbushur funksionet seksuale. Ne jemi individë, jo kafshë riprodhuese! Gratë nuk janë copa mishi, as masha. Ato janë individë me mendime, ide, besime, liri dhe forcë të njëllojtë me gjysmën tjetër të popullsisë.

Është tejet e rëndësishme sidomos për persona publikë si Grida Duma në këtë rast dhe të tjera gra në postin e saj për të kuptuar se si kjo lloj mendësie nuk është respektuese, por FYESE dhe DISKRIMINUESE dhe se si qëndresa ndaj injorancës me bazë patriarkatin duhet luftuar me çdo kusht, pse ajo nuk i vjen në ndihmë vetëm grave, por zhvillimit të shoqërisë në tërësi.

Kam besimin që zonja Duma do të përpiqet të reagojë në mënyrë dinjitoze jo vetëm pse përdhoset figura e saj, por pse një reagim i këtillë prej një figure publike, e cila ndiqet prej një numri jo të pakët njerëzish, do të mund t’i ndërgjegjësojë edhe ata për sa u përket pozitave sociale që si individë shoqërorë dhe njerëz, gëzojnë. Në të kundërt, një individ që dëshmon të mos jetë i vetëdijshëm për të drejtat dhe përgjegjësitë bazike vetjake, NUK MUNDET asesi ta përfaqësojë popullin dhe të marrë vendime në kurriz të tij.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button