Te ndryshme

Charlie Hebdo: Kryeredaktori nuk mund t’ju përgjigjet dot!

Më pak se tre muaj pas sulmit terrorist mbi redaksinë e satirikes franceze “Charlie Hebdo”, ndërsa jehona e tij akoma nuk është shuar, ka mbërritur menjëherë në treg libri i ish-kryeredaktorit të vrarë të saj, Stéphane Charbonnier.

Charlie-Hebdo-2Revista franceze “L’Observateur” ka botuar ndërkaq në prag të daljes së tij në treg, disa pasazhe të zgjedhura nga libri.

Libri që mban titullin, “Një letër për islamofobët që e bëjnë lojën raciste”, pranon e boton edhe kritikat ndaj revistës satirike.

Në të njëjtën kohë, Charbonnier – i ashtuquajtur edhe Charb – shprehet i irrituar në gjyq ndaj raporteve në media mbi revistën e tij dhe karikaturat e Profetit Muhamed të botuara në të.

Ai thekson se këto karikatura e grafika nuk lidhen me të gjithë myslimanët. Si shembull ai rendit një karikaturë të famshme, në të cilën Profeti Mohamed mban një bombë në kokë – çka kritikët e patën perceptuar  – siç dihet – si një ofendim ndaj të gjithë myslimanëve.

“Një interpretim tjetër ka qenë gjithashtu i mundur, por ai u ka interesuar më pak mediave. (…) Mohamedi me një bombë mund të interpretohej edhe si instrumentalizim i të gjitha religjioneve në botë nga terroristët”.

“Mediat patën vendosur që karikaturat të thithnin të gjithë inatin dhe indinjatën e myslimanëve në mbarë botën, në mënyrë që kjo indinjatë e ky duf i krijuar, të kujtohej e të sillej shpesh në debat nga disa shoqata myslimane”, shkruan Charb.

Charb i akuzon kritikët se ndjekin një “paternalizëm të neveritshëm të intelektualëve të bardhë borgjezë të majtë”. Ai mbron pikëpamjen se Islami në raportimet mediatike nuk duhet trajtuar ndryshe nga religjionet e tjera: “Nëse ngacmohesh e sinjalizohesh se mund të qeshësh me gjithçka, veç disa aspekteve të caktuara të Islamit, pasi myslimanët janë shumë më të ndjeshëm sesa pjesa tjetër e popullsisë, çfarë është pastaj ky përveçse një diskriminim?”

Karikaturisti dhe kryeredaktori vijon më tej duke shtjelluar pikëpamjen e tij ndërsa shkruan se: “Ata të cilët i akuzojnë çdo herë karikaturistët e “Charlie Hebdo” për islamofobi, në çdo rast kur një figurë mban një mjekër, nuk janë vetëm të pandershëm apo dashakeqë, por ata tregojnë edhe mbështetjen e tyre për të ashtuquajturin Islami radikal”.

Përveç kësaj, ai kritikon termin “Islamofobi”: “Ai jo vetëm që është zgjedhur në mënyrë jo fatlume, por ai është edhe i rrezikshëm”.

“Militantët komunitaristë po përpiqen t’i qasen me terminologji politike e juridike nocionit “islamofobi”, për të detyruar viktimat e racizmit të identifikohen si myslimanë (…) e në këto raste myslimanët francezë, edhe kur ata të bëheshin të gjithë katolikë, do të ishin gjithnjë viktima të një diskursi racist dhe gjithnjë e më shumë të shpalleshin përgjegjës për të gjitha të këqijat që bëhen”.

Kur’ani dhe Bibla po lexohen si të ishin fletëpalosje të IKEA-s

Edhe kur ai kritikon termin “islamofobi”, Charb pohon se ekziston një frikë nga Islami. Kjo frikë sipas tij është “absurde”, por “jo kriminale”.

“Problemi nuk është Kur’ani ose Bibla, leksionet e mërzitshme, të shkruara keq apo plot inkoherencë. Problemi është te besimtarët, që lexojnë Kur’anin apo Biblën, sikur të ishin fletëpalosje të marra në dollapët e IKEA-s”. (Shënim: IKEA është një firmë suedeze e prodhimit të mobilieve, e njohur për çmimet e ulëta me të cilat operon në vendet e Europës Perëndimore)

Përtej kësaj, Charb beson se diskursi racist u ndez para së gjithash i konsumuar nën mandatin e ish-presidentit konservator francez, Nicolas Sarkozy, sidomos në kuadër të debateve mbi identitetin kombëtar francez: “Nëse zyra më e lartë shtetërore në vend u drejtohet idiotëve dhe u thotë: “hajde tani, shkoni djema”, çfarë besoni ju se këta idiotë do të bënin? Ata do ta thoshin këtë gjithnjë e më hapur, derisa të ishin të kënaqur dhe derisa të ishin ata që në fund të vaktit të ngrënies në familje, do të rrëzonin të gjitha kupat duke bërë sherr e shamatë”.

Sidoqoftë, pas asaj që ndodhi, megjithëse duket sikur autori kërkon të vazhdojë debatin me përkrahës e kritikë, është vetëm një përgjigje që do të vijë gjithnjë nga redaksia që ai drejtoi: Charlie Hebdo: Kryeredaktori nuk mund t’ju përgjigjet dot!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button