Arte

Ora e aritmetikës

Reagim i detyruar

ora-e-aritmetikes-31. Prej se ka filluar zhurma mediatike rreth kostove të ekzagjeruara  të produksionit të fundit të TK “Vrasja e Maratit”, regjisori Arben Kumbaro dhe drejtori i TK-së, Ervin Çuli, kanë përmendur si precedent  kostot e mëdha financiare të shfaqjes “Amadeus”, me regji të Altin Bashës.

Këtë gjë e kanë bërë në mënyrë të përsëritur në disa ekrane TV si “Top Channel”, “Tv Klan”, RTSH, “Agon Channel”.

Unë e mirëkuptoj fiksimin e kolegëve për shfaqjen “Amadeus”, sepse në fakt, dhe vetë thelbi i veprës lidhet me një fiksim. Më vjen mirë gjithashtu, që e kanë referuar me elegancë duke përmendur vlerat e saj dhe të miat. Gjithsesi, qëllimi parësor i këtij argumenti mbetet relativizimi i akuzave për kostot e mëdha financiare të shfaqjes së Kumbaros “Vrasja e Maratit”. Përdorimi i një precedenti si taktikë mbrojtjeje nuk është ide e keqe. Në këtë mënyrë dy kolegët Kumbaro dhe Çuli kanë qëllim të neutralizojnë zërat kritikë ndaj tyre. Megjithëse në këtë aspekt nuk kam qenë një nga këta zëra.

Dita-ditës Çuli u bë më i guximshëm edhe për shkak se unë nuk reagova në kohë. Madje së fundmi, duke menduar se argumenti tashmë ka lëshuar rrënjë, ka konkretizuar dhe shifrat për “Amadeus” (75 milionë lekë). Natyrisht që në këto deklarata ka shumë të pavërteta dhe më poshtë po rendis disa të dhëna mbi kostot e tre produksioneve që janë realizuar përafërsisht në të njëjtën kohë që është realizuar dhe “Amadeus”. Bëhet fjalë për “Shtrigat e Salemit”, me regji nga Spiro Duni, “Franku  V”, me regji nga Arben Kumbaro dhe “Amadeus”, me regji nga Altin Basha. Shifrat janë marrë nga zyra e financës në TK.

Shtrigat e Salemit——–Kosto totale 5 480 000 lekë

Franku  V——————Kosto totale 6 321 000 lekë

Amadeus —————–Kosto totale 4 295 000 lekë

Siç shihet në këto tri produksione koston më të lartë e ka përsëri një shfaqje e Arben Kumbaros.

Kolegët Kumbaro dhe Çuli i dinë këto shifra. Nuk e kuptoj përse nuk i referohen shfaqjes “Franku V” të Kumbaros apo shfaqjes “Shtrigat e Salemit” të kolegut Spiro Duni për shpenzimet por, përmendin vetëm shfaqjen “Amadeus”. A thua është thjesht një fiksim?

Për sa u përket kostumeve të “Amadeus” që Çuli i ka gjithashtu shumë merak, ato padyshim nuk mund të kushtojnë njësoj me “rreckat” e “Vrasja e Maratit”. Kush i ka parë shfaqjet besoj e ka të qartë diferencën. Drejtori Çuli, i mbërthyer tek fiksimi i tij dhe duke shfrytëzuar postin, i mori kostumet e “Amadeus” dhe me emrin e një tjetër kostumografi, paturpësisht i përdori në shfaqjen e tij “Loja e dashurisë dhe rastësisë”. E pranoj që kostumet e “Amadeus” kanë kushtuar, por për to ka pasur sponsorë legalë të cilët kanë paguar kostot duke ia ulur TK në minimum shpenzimet. Këta sponsorë i kam siguruar unë privatisht pa ndihmën e TK. Në fund të fundit, ato kostume janë në gardërobën e TK, pronë dhe vlerë e shtuar, e përjetshme e atij institucioni.

Personalisht nuk mund ta shpjegoj insistimin e kolegëve veçse me panikun që kap njerëzit e vënë në siklet të madh ose që kanë një fiksim të madh.

Kur mendoj se me këto argumente merren dy artistë, dy kolegë, aq më tepër kur njëri (drejtori Çuli) është fytyra e zyrtarit të lartë të shtetit.

Dëshiroj të vë në dukje edhe një argument tjetër të rëndë rreth shfaqjes “Amadeus”.

Prej se është dhënë premiera në vitin 2011, trupës së aktorëve nuk i është paguar akoma shuma 231 000 lekë nga administrata e Teatrit Kombëtar. Besoj se drejtori Çuli (si administrator i TK) përpara se të vërdalloset nëpër media duke folur të pavërteta, duhet të bëjë punën e tij dhe të paguajë djersën e artistëve. Kaq për “llallallallallalla”-të mediatike dhe fiksimin e Kumbaros dhe Çulit mbi shfaqjen “Amadeus”.

2. Si pjesë  e strategjisë mbrojtëse Kumbaro dhe Çuli përdorin edhe argumentin se “Vrasja e Maratit” nuk është një projekt i shtrenjtë. Krahasuar me shifrat e mësipërme vërtet është një projekt më i lirë, por edhe këtu ka një të pavërtetë. Mënyra e pagesës në TK ka ndryshuar. Drejtori Çuli me një “Revolucion Kinez” me financat e TK ka hequr zërin: Shpërblim i cilësisë artistike. Ky zë në buxhetin e TK i jepte të drejtën të gjithë stafit krijues të përfitonin shpërblim financiar për punën e kryer. Ishte një mekanizëm plotësues për rrogat qesharake të stafit artistik të TK. Drejtorit Çuli kjo gjë i është dukur një lloj “Borgjezimi” dhe e zhbëri këtë mekanizëm sapo u bë drejtor, duke i kthyer aktorët e TK në një gjendje “skllavërie” moderne për bukën e gojës. Pra, me pak fjalë, heqja e këtyre shpenzimeve i ul kostot e shfaqjeve në kurriz të punës së aktorëve. Ky është abuzim i bazuar në mosinformimin e publikut. Për të vërtetuar nëse shfaqja ka kushtuar më pak, Çuli dhe Kumbaro duhet të krahasojnë shpenzimet për prodhimin e shfaqjes me zërat e njëjtë të shfaqjeve “Shtrigat e Salemit, “Amadeus”apo “Franku i V”. Po drejtori Çuli këtë nuk e bën dot ose nuk do ta bëjë.

3. Një fakt komik. Teatri Kombëtar i shet biletat me logon MTRKS (Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve) ndërkohë që kjo ministri nuk ekziston më. Ja një punë që duhet ta bëjë drejtori Çuli. Një zyrtar serioz nuk lejon që imazhi i institucionit më të rëndësishëm të kulturës teatrore në Shqipëri të bëhet qesharak. Po drejtori Çuli e bën, ose e lejon të bëhet. Meqë jemi te biletat: Çuli përmend me mburrje faktin që gjatë administrimit të tij (rreth një vit e gjysmë) ka shitur 32 000 bileta dhe ky na qenka një sukses i madh. Madje e thotë duke e zgjatur “i”-në e fundit. Tridhjetedymiiiiiiiiiiiiijë bileta. A thua se zgjatja e “I”së do na bëjë të mendojmë se ka shitur më shumë. Në fakt: mjafton ta pjesëtosh këtë shifër me numrin e ndenjëseve që ka salla e madhe e TK (540 karrige) dhe del se Çuli ka shitur vetëm 60 net sallën plot me spektatorë. Nga minimumi 240 ditë në vit, Çuli e ka mbushur sallën 60 ditë me spektatorë. Sikur të mos mjaftojë kjo, duke mos qenë i aftë të bindë publikun për të paguar biletën  500 lekë, ashtu siç e do nderi i institucionit që drejton Çuli, i bie shkurt dhe e ul çmimin në 150 lekë duke shkelur me këmbë mbi dinjitetin e artistëve, të cilët ka për detyrë t’i mbrojë. Po drejtori Çuli e bën ose e lejon të bëhet. Në përfundim kam dy pyetje për drejtorin Çuli, meqë i pëlqejnë shifrat e biletave: A e bindi drejtori Çuli Ministrinë e Kulturës dhe atë të Financave që t’i kthejë Teatrit Kombëtar biletat që shet? Ky do ishte një angazhim shumë serioz për një administrator. Në fakt, kjo gjë rezulton një dështim total. Drejtori Çuli nuk e bën dot. A mund ta bëjë publike drejtori Çuli shifrën e biletave që shiti shfaqja “Vrasja e Maratit” në Prishtinë? Drejtori Çuli nuk e bën dot.

Mos vallë gjithë ngulmimi nervoz i Çulit dhe Kumbaros lidhet me kritikat e mia për Teatrin Kombëtar të drejtuar si amator nga Çuli dhe Ministrinë e Kulturës të kthyer në bunker si fondacion privat nga Kumbaro? Ky ndoshta është fiksimi im. Drejtori Çuli po e drejton Teatrin Kombëtar në konflikt të plot interesi. Ai e pranon këtë gjë publikisht. Kjo gjë është e ndaluar me ligj. Dhe pyetja: Ku është Ministria e Kulturës? Ndoshta edhe ky është fiksimi im.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button