Home / Kryeartikull / Statusi kandidat dhe një mirënjohje për autokratin

Statusi kandidat dhe një mirënjohje për autokratin

ANDREA STEFANI

andrea_stefaniLulzim Basha, kreu fals i PD-së, mendoi se i bëri një kompliment Berishës në ceremoninë festive të organizuar për marrjen e statusit. Është një rast shumë i mirë për të kujtuar e nderuar ata që dhanë kontribut të çmuar për ardhjen deri këtu, tha Basha, dhe shtoi se: “Kemi njerëz që meritojnë falënderime të veçanta dhe që kanë një domethënie të pashlyeshme në kujtesën dhe historinë e një shoqërie të tërë, siç është ish-kryeministri Sali Berisha”. Servilizmi i Bashës u mbyt nga duartrokitjet e fanatikëve, ndërkohë që në mimikën e Berishës nuk lëvizi asnjë muskul. Vështirë se i vinte mirë që Basha, pupaci që ai vetë e kish emëruar sa për sy e faqe si kryetar të PD-së, nxitonte të bënte pjesë të historisë. Është herët për të folur për historinë – ka thënë, me siguri, me vete Berisha.

***

Ndërkaq duhet pranuar. Po, Berisha ka një domethënie të pashlyeshme në historinë e shoqërisë sonë. Sepse është një domethënie e vulosur, jo pak herë, me gjak. Dhe na kujtohen sot tragjeditë që ka hequr Shqipëria në sajë të politikës së këtij burri që hyri në skenën politike si “demokrat”, por mbeti një kriptokomunist që nuk u bë kurrë dot antikomunist. Nëse ky kardiolog, që maste dikur pulsin e udhëheqjes së Bllokut do të kish qenë i dedikuar për Europën, sot Shqipëria, 23 vjet pas rënies së komunizmit, duhet të kishte nja 10 vjet që të kish hapur negociatat për anëtarësim, pra duhet të qe ne prag të anëtarësimit në BE. Por Shqipëria nuk pati fat. Në krye të proceseve doli një lider si Berisha, që nuk përpiqet për liri, por për sundim. Pushteti dhe jo liria ka qenë motoja, gjakimi konstant i politikanit Berisha. Dhe jo çdo lloj pushteti, por pushteti absolut është fiksimi i tij. Pushtet pa kufij si në kohë ashtu edhe në hapësirë. Në funksion të këtij pushteti aziatik dhe jo europian (se ky i fundit realizohet me rotacion liderësh nëpër parti politike), Berisha shkatërroi që në shpërgaj demokracinë në PD, duke bërë që partia e parë opozitare e komunizmit, të imitojë shumë shpejt kultin e liderit të përjetshëm në PPSH, kultin e Enver Hoxhës, kultin e “Mesias”. Berisha nuk e ka dashur kurrë Europën. Kush gjakon për pushtet absolut nuk mund ta dojë Europën, sepse Europa është bërë e mundur vetëm duke kufizuar pushtetet e mbretërve dhe tiranëve. Ndërsa Berisha e do demokracinë vetëm nëse ajo riciklon pafundësisht në pushtet Berishën, ashtu si riciklohet një para e pisët. Por kjo nuk është demokracia europiane, por “demokracia enveriane. Prandaj, sa herë nga Europa kanë mbërritur kritika për autokratizmin e tij, ai ka dashur t’i kthejë krahët Europës, ta bëjë shtetin e Shqipërisë deri pjesë të botës islamike. Kaq pak është lidhur me Europën ky politikan. Ai e shikon Europën në funksion të pushtetit të tij dhe jo pushtetin në funksion të Europës dhe europianzimit të shqiptarëve. Fatmirësisht për Shqipërinë nuk ia ka dalë!

***

Rekordet antieuropiane të Berishës janë pa fund. Gjakimi për pushtet pa fund e kufij e shtyri Berishën të bëhet pionieri i manipulimit të zgjedhjeve në maj ’96, një kancer që demokracia shqiptare e vuan edhe sot e kësaj dite. Në funksion të pushtetit, Berisha toleroi piramidat financiare, sepse i voliste entuziazmi naiv i turmave i sintetizuar në parullën berishiane “me ne fitojnë të gjithë!”. Në funksion të pushtetit dhe jo europianizmit, Berisha zhyti vendin në pragluftën civile dhe kaos me një bilanc të përgjakur prej rreth tre mijë të vrarësh dhe që do kish vajtur edhe më keq, po të mos kish ndërhyrë Europa me ushtri. Në funksion të pushtetit, Berisha bëri krimin më të rëndë që mund t’i bëhet një demokracie, bëri grushtin e armatosur të shtetit të 14 shtatorit, si dhe pak më vonë, atë në Komisariatin e Tropojës. Në funksion të pushtetit, Berisha rrënoi sistemin e ndarjes së pushteteve në shtet, duke kapur kryet e institucioneve të pavarura, manipuloi dhe vuri në shërbim të tij gazetarë, media, gjykatës dhe kryeprokurorë. Korruptoi sa mundi në funksion të pushtetit dhe pasurimit. Qindra milionë euro të zhdukura në rrugën Durrës-Kukës dhe shpërthimi tragjik në Gërdec, janë fakte të këtij bilanci të errët. Por këto janë ende pak krahasuar me malin e akteve e krimeve që ka frymëzuar ky autokrat dhe që kulmojnë me vrasjen e katër protestuesve më 21 janar. Krimi më i rëndë që mund të bëjë një qeveri dhe që është i papranueshëm për Europën.

***

Marrja e statusit është edhe një moment për reflektim, për bilanc. Dhe bilanci i Berishës është, e si mund të jetë ndryshe bilanci i një autokrati, një bilanc i zi antieuropian. Prandaj, sot, mirënjohja për statusin nuk mund të shkojë drejt Berishës. Natyrisht, vendi i tij në kujtesën historike do të jetë i spikatur. Por do të jetë vendi i autokratit që u përpoq për ta mbajtur Shqipërinë sa më larg Europës. Dhe kjo përpjekje sesi ta aziatizojë Shqipërinë në epokën e demokracisë, si ta bëjë Shqipërinë autokratike nën flamuj demokratikë nuk ka shterur! Prandaj Berisha, as qeveria e tij që vrau, nuk mund të ketë asnjë meritë për marrjen e statusit. Të shprehësh mirënjohje ndaj Berishës është një mashtrim, është një gënjeshtër me rreziqe për të ardhmen. Është një e vërtetë e pathënë, pra një helm që mund të toksikojë të ardhmen. Prandaj, është e gabuar të shprehësh, qoftë edhe për etikë, mirënjohje apo falënderim ndaj autokratit për marrjen e statusit. Ndaj atij që ka bërë çka pasur në dorë që statusi të mos merret. Madje edhe ka vrarë. Sepse po falënderove Berishën për statusin, nuk mund t’i falesh gjakut të Faikut, Ziverit, Hekuranit, Aleksit. Të dyja nuk mund t’i bësh. Do bësh o njërën o tjetrën.

***

Shoh që e miklojnë Berishën. Sillen me të si me një bishë që ia kanë frikën se mos egërsohet. Por e keqja nuk zbutet me ledhe e gënjeshtra. Ashtu ajo mbahet gjallë. E keqja mposhtet. Dhe vetëm e vërteta dhe drejtësia që themelohet mbi të vërtetën e mposht atë. Dhe e keqja berishiste nuk është mposhtur. Ajo po përpiqet të ringrihet. Dhe ka një avantazh. Ashtu si plaga mbetet një avantazh i sëmundjes mbi shërimin. Berisha ka arritur ta përçajë vendin. Shikoni, edhe për statusin pati dy festa! Sepse njëra ishte “festa” e Berishës. Edhe marrjen e statusit e shfrytëzon ky autokrat për të thelluar përçarjen mes shqiptarëve, për divide et impera-n e tij. Misioni i tij për ta mbajtur Shqipërinë larg Europës vazhdon. Statusin e zvarriti për 23 vjet. Tani duhet zvarritur sa të jetë e mundur hapja e negociatave. Dhe ka mjet më efektiv për këtë sesa konflikti politik prushanën e të cilit ai ka treguar se di ta trazojë aq mjeshtërisht me lloj-lloj mashash duke fshehur duart?

***

Po kujt i shkon mirënjohja për statusin? Të gjithë atyre që, në një formë a në një tjetër, në një masë a në një tjetër, nuk u bënë pjesë e të keqes banale, antieuropiane dhe autokratike në Shqipëri. Por mbi të gjitha, atyre që sakrifikuan edhe jetën në protestë kundër autokratizmit dhe korrupsionit që ai pjell. Duket sikur entuziazmi i statusit fton për harresë. Për harresë duket se ftojnë edhe shirat e dimrave që e lanë gjakun në bulevard, edhe ngjyrat e stinës, edhe hallet e ditës. Një harresë vrasëse deri edhe e meritës më sublime nga e cila na shpëton vetëm mirënjohja ndaj martirëve si Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika. Po, mirënjohje atyre për statusin. Dhe me gjithë shpirt!

Leave a Reply

Your email address will not be published.