Kryeartikull

Ndalimi i shqiptarëve në kufi është një gabim i rëndë, që nuk duhet të ndodhë

Gjergj Erebara
Gjergj Erebara

Për çdo ditë, në pikat kufitare të Shqipërisë kalojnë 3,5 apo 10 mijë udhëtarë. Pjesa dërrmuese e tyre janë thjeshtë udhëtarë. Ata ikin dhe kthehen. Një pjesë e vogël janë shqiptarë që po shkojnë në vendet e Europës me shpresë se do të krijojnë një jetë më të mirë. Një minorancë janë ata që besojnë në mënyrë të gabuar se do të aplikojnë për azil në Gjermani dhe do ta fitojnë atë. Përkundrejt këtij realiteti, të shqetësuar për grupin e fundit dhe më të vogël, atë të azilkërkuesve, të cilët janë në rendin e pak dhjetërave apo qindrave në ditë, policia e shtetit ka vendosur t’i kthejë mbrapsht, për arsye tërësisht subjektive që krijojnë rrezikun e diskriminimit të shqiptarëve në bazë të theksit/krahinës, pamjes së jashtme apo ngjyrës së lëkurës. Sipas lajmeve të publikuara së fundmi, policia raportohet se ka ndaluar disa qindra vetë gjatë ditëve të fundit për të kaluar kufirin, veçanërisht nëpër porte. Disa media raportojnë se mes të tjerash, policia ka marrë vendime të ndalimit të kalimit të kufirit për arsye të tilla si pasja e bagazheve, pasja e parave në xhep, pasja e ftesave të dërguara me postë dhe jo me email, etj. Kjo praktikë dukshëm është tërësisht e gabuar, aspak efektive për të ndaluar azilkërkuesit dhe që rrezikon t’i ndajë shqiptarët në “njerëz me fytyrë të dyshimtë” dhe njerëz me pamje të pasurish. Duket se baza e vetme e vendimeve të refuzimit të kalimit të kufirit është që disa njerëz “duken të dyshimtë” në krahasim me të tjerët. Shqiptarët që kanë ndër mend të ikin në Gjermani për të kërkuar azil kanë në dispozicion një numër të lartë mjetesh e pikash kalimi. Ata mund të përdorin rrugë tokësore, detare ose ajrore. Mund të ikin në Greqi dhe prej aty të kalojnë me tragete në Itali. Mund të kalojnë në Kosovë ose Maqedoni, ose Mal të Zi dhe të nisen me avion nga Prishtina, nga Shkupi apo nga Podgorica.

Në fund, ata mund të korruptojnë ndonjë polic kufiri dhe të kalojnë, pavarësisht urdhërave të policisë së shtetit për ndalimin e “të dyshimtëve”. Natyrisht, informimi i njerëzve që besojnë se mund të marrin azil, duke i thënë se një tentativë e tillë është e gabuar, është pjesë normale e policisë së shtetit. Por diskriminimi i njerëzve për arsye të tilla subjektive si kanë apo jo para në xhep, kanë apo jo veshje të shtrenjta apo vijnë nga një zonë e varfër a një zonë e pasur e Shqipërisë, kjo duhet të ndalojë menjëherë. Shqiptarët janë diskriminuar gjatë nëpër dyert e ambasadave apo të pikave të kalimit kufitar nëpër Europë. Nuk mundemi që ne, përfshirë zyrtarët tanë vendimmarrës në Ministrinë e Brendshme, të kemi harruar kaq shpejt kohën kur një polic italian, grek apo gjerman apo edhe maqedonas, na pyeste se sa lekë kishim në xhep, se ku do të flinim, e ku do të hanim. E kemi gjithashtu të qartë se arsyeja se pse policët kufitarë na mbanin në pyetje të gjata lidhej thjeshtë me nënshtetësinë shqiptare dhe me asgjë tjetër. Nuk është mirë që, tani që vizat janë hequr, shteti ynë të fillojë të përdorë metoda të tilla për të diskriminuar qytetarët e vet. Ndalimi i udhëtarëve në kufi nga Policia Shqiptare duhet të ndërpritet menjëherë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button