MaqedoniaRajoni

Shpërthyen pakënaqësitë në radhët e BDI-së, kulminuan me dorëheqjet e para

Mosrespektimi i procedurave brenda partiake dhe dështimet në politikat qeverisëse rezultuan me dorëheqje brenda Bashkimit Demokratik për Integrim. Pas Zëvendës ministrit të mbrojtjes Arben Llabenishti dorëheqje ka paraqitur edhe sekretari organizativ i partisë, Hazbi Lika dhe nënkryetari i degës partiake në Haraçinë. Shefik Duraki. Zëvendës ministri i mbrojtjes, Arben Llabenishti, i cili deri dje ishte edhe kandidat për kryetar dege në Strugë në arsyetimin e dorëheqjen ka drejtuar akuza të shumta ndaj strukturave të caktuara duke i etiketuar demagogë, arrivistë, gllabërues, servilë dhe tradhtar

“Ne të gjithë periudhën e përpjekjeve tona brenda BDI-së për drejtësi, dinjitet dhe ndërtimin e një kursi politik progresist për realizimin e interesave të shqiptarëve, u përballëm me demagogë, arrivistë, gllabërues, servilë, tradhtar… Të gjithë këta së bashku, ashtu si kishin vepruar edhe më parë, u përpoqën të shkatërrojnë substancën e shëndoshë të BDI-së në Strugë dhe në vende të tjera. Qëllimi i tyre është vazhdimi i makuterisë, përbuzja dhe poshtërimi i vlerave tona kombëtare, veprime të cilat krijojnë teren për mos-implementimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit…Është e papranueshme dhe e dëmshme ta marrësh dhe të përpiqesh ta ruajsh pushtetin pa i realizuar përcaktimet programore, premtimet në fushatat zgjedhore, pa e implementuar Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, e cila përbën dokumentin bazë për ndërtimin e shtetit multietnik”, shkruan Arben Llabenishti, zv. ministër i mbrojtjes.

Menjëherë pas tij, dorëheqje ka paraqitur njëri nga ish komandantët dhe themeluesit e UÇK-së, Hazbi Lika. Ai ka thënë se mospërfillja e tij si sekretar organizativ në punët organizative partiake, e ka shtyrë që të heq dorë nga ky post.

“Kam pas besim se si drejtues i këtij sekretariati do e kem më të lehtë për të ndihmuar që anëtarëve të partisë t’iu ofrohet mundësi për të realizuar të drejtat e veta mirëpo ky funksion u shndërrua në dekor dhe si i tillë edhe më tutje do keqpërdorej. Tani e tutje kontributin tim do e jap në Kryesinë Qendrore si anëtar pa funksion duke qenë një zë i fortë i anëtarëve, aktivistëve dhe simpatizantëve të Bashkimit Demokratik për Integrim. Përveç se një akt dorëheqjeje nga funksioni i Sekretarit Organizativ, këtë do e vlerësoja edhe si një veprim protestues timin kundrejt drejtuesve të partisë si dhe një akt solidarizimi me anëtarët e Bashkimit Demokratik për Integrim.”

Lika ishte një nga zyrtarët më të zëshëm edhe në Kongresin tematik të BDI-së ku njëjtë si ai edhe deputet deputeti Zulfi Adili, I njohur si komandanti Qufa, pati kritikuar ashpër politikat kadrovike dhe partiake, si dhe nënkryetari i Kuvendit, Rafiz Aliti, i cili u ndal te statusi i pazgjidhur i veteranëve dhe invalidëve të vitit 2001 dhe zyrtarizmi i gjuhës shqipe. Zulfi Adili-Qyfa, Xhevat Ademi dhe Hazbi Lika kishin kundërshtuar edhe propozimin për stemën e re duke paralajmëruar votimin kundër saj në rast se do të vihej për votim në Kuvend.  Dorëheqjet e zyrtarëve të lartë të BDI-së janë mbështetur edhe nga bashkëpartiakët e tyre. Postimin e Hazbi Likës në Facebook ku ai njofton dorëheqjen e tij, sot e kishte shpërndarë dhe ish kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari që në opinion është kuptuar si mbështetje për vendimin e Likës. Pas Llabënishtit dhe Likës, jozyrtarisht bëhet e ditur edhe për dorëheqje tjera që vijnë për shkak të pakënaqësisë në rritje ndaj strukturave të caktuara të partisë dhe pozitës inferiore në qeveri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button