Bota

Luftërat që po sjellin “eksodin biblik”

Afrika Veriore është kthyer në tokën që çdo ditë përcjell mijëra njerëz, në kërkim të një fati më të mirë.

“Nuk më intereson nëse vdes për të arritur në Europë, unë do të bëj të pamundurën për të mbërritur atje”, këto janë fjalët e një 23-vjeçari libian, por si ai, ka shumë të tjerë.

Situata e përgjithshme në Libi justifikon deri diku këto vendime drastike. Që në vitin 2011 kur u rrëzuar Mohammed Gaddafi, në vend nuk ka funksionuar një qeveri e konsoliduar, por vetëm grupe militantësh të armatosur që luftojnë me njeri-tjetrin për territor dhe influencë.

Ideologjitë e tyre janë të ndryshme, disa janë ekstremiste e të tjerët liberal, por palët së bashku po krijojnë atë që quhet luftë civile.

Në këtë klimë është favorizuar trafikimi njerëzor, kontrabandistë të cilët me shumë gjasë janë të lidhur me terroristë, kanë krijuar tregjet e tyre me një fitim marramendës. Detyra e tyre e vetme është paketimi i njerëzve në anijet gjysmake që nisen drejt Europës. Megjithatë ka edhe faktorë të tjerë, si pozicioni gjeografik.

Libia ka një vijë shumë të gjatë bregdetare, ku deti është ai që e ndan nga pjesa tjetër e botës, Perëndimin, për të cilin ata kanë dëgjuar të flitet aq shumë dhe Europa është ëndrra e tyre që i tundon. Po ashtu ekonomia luan rol kryesor, me një varfëri ekstreme, libianët janë në kërkim të një mundësie të re për të mbijetuar.

Në kohën e qeverisjes së Gadaffit, vala e emigrantëve ishte nën kontroll. Megjithatë nëpër varka ka edhe njerëz të tjerë nga Iraku apo Afganistani, ku atje i duhet të përballen me luftën çdo ditë.

Përpos masave që do të merren nga Bashkimi Europian, sipas analistëve, e rëndësishme është edhe vetë menaxhimi që rajoni i trazuar duhet të bëjë, duke ulur armët dhe duke ngritur sisteme të konsoliduara qeverisjeje. Mirëpo ekspertët druhen se ky proces do të marrë kohë të gjatë. / Top Channel

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button