Europa

Deputetja italiane tërhiqet nga deklaratat për “mbytjen e anijeve të emigrantëve”

Daniela Santanche, deputetja italiane e “Forca Italia”, e cila me deklaratat e saj pas tragjedisë së fundit në brigjet italiane, ngriti një re polemikash të forta në vendin e saj dhe një valë zemërimi në Shqipëri, duket se është tërhequr nga deklaratat e një dite më parë.

Në rastin më të mirë ajo thotë se deklaratat e saj janë keqpërdorur. Pasi deklaroi se duhet të fundosen varkat me emigrantë, Santanche e ka modifikuar deklaratën e saj. Në një intervistë telefonike për “Top Channel” Santanche shprehet se deklarata e saj ka pasur për qëllim ndalimin e anijeve që në nisje.

“Unë kam deklaruar se duhet të fundosim të gjitha varkat përpara se ato të nisen, duke mos i lejuar këto udhëtime të vdekjes. Unë jam për të mbrojtur, për të gjetur mënyrë për të shpëtuar jetët njerëzore, sepse është detyrë e çdo shteti të luftojë për të mbrojtur njerëzit në vështirësi, sepse kush shpëton një jetë njerëzore, shpëton botën. Por për të bërë këtë gjë, duhet të fundosim të gjitha varkat për të mos i lejuar që të ndërmarrin këto udhëtime të vdekjes. Unë jam për t’i ndihmuar njerëzit dhe jo për t’i lënë të vdesin. Janë ata që i nisin të cilët kanë përgjegjësinë, sepse duhet t’i ndalojmë që të nisen, që të mos ndërmarrin udhëtimin e vdekjes. Ky është problemi. Duhet gjithmonë t’i ndihmojmë. Nuk mund t’i lëmë të vdesin njerëzit në mes të detit. Por beteja ime është që të mos i lejojmë të nisen. Të ngremë qendrat e pritjes në brigjet afrikane, jo në shtetet tona. Të mos i lejojmë të vijnë këtu ku nuk mund t’i ofrojmë një vend pune, ku nuk mund t’i japim një shtëpi”, thotë deputetja e “Forca Italia”, transmeton Tch.

E pyetur mbi paralelizmin që ajo ngriti me Shqipërinë dhe shqiptarët, Santanche deklaron se i është referuar operacionit “Ylberi” të vitit 1999 ku qeveria italiane dërgoi forcat e saj në Shqipëri për të ndihmuar emigrantët e ardhur nga Kosova dhe për të ndaluar nisjen e gomoneve nga brigjet shqiptare në drejtim të Italisë.

LEXOJENI EDHE KËTË

Deputetja italiane: T’i mbysim anijet me emigrantë ashtu si dikur me shqiptarët

Por deklaratat e Danila Santanche nuk janë mirëpritur nga shumica e intelektualëve në shtetin përtej Adriatikut. Një prej tyre, Alessandro Leogrande, gazetar dhe shkrimtar i njohur, autor i një libri lidhur me tragjedinë e Otrantos me anijen “Kateri i Radës”, në një intervistë për “Top Channel”, i cilëson të papranueshme këto pohime.

“Mendoj se janë deklarata shumë të rënda. Në Itali dhe jo vetëm, prej 20 vitesh, në situata përballë ardhjes së emigrantëve, ndonjëherë edhe përballë tragjedive të emigrantëve, përpara të vdekurve thuhet; “mbyllim kufijtë dhe ngremë një mur dhe bëjmë një bllokadë detare”. Ky diskutim ka një precedent, pikërisht në mesin e viteve ‘90 kundrejt Shqipërisë. Në vitin 1997, pas krizës së firmave piramidale në Shqipëri, pas eksodit të dytë të shqiptarëve drejt Italisë, Italia nuk tregohet një vend mikpritës, por harton për herë të parë politikat për largimin. Kur dikush thotë “bllokim detar” duhet të jetë gjithmonë i kujdesshëm kur luan me fjalë që kanë pasoja. Atëherë ishte qeveria Prodi, por kishte zëra dhe atëherë që thonin saktësisht të njëjtat fjalë. Dhe me “bllokim detar” nënkuptohet nxjerrja në det e anijeve ushtarake për të larguar varkat e shqiptarëve. E në një nga këto operacione anija shqiptare “Kateri i Radës” goditet dhe fundoset duke humbur jetën 81 persona. Pra, sot 20 vite më pas, kur diskutohet “bllokimi detar” në prani të një situate, sigurisht shumë më kaotike se ajo e ‘97, duhet të kujtojmë atë precedent. “Kateri i Radës” u fundos sepse u godit nga një anije ushtarake italiane, “Sibila”, e cila në atë kohë ishte e angazhuar në operacion. Nëse ne përballë kaosit të Libisë, luftës civile të Libisë, mendojmë që zgjidhja duhet të jetë e njëjtë, duke mos kuptuar arsyet e njerëzve që largohen, por duke thënë që e gjitha kjo duhet të bllokohet sepse është një pushtim, unë besoj që tashmë janë mijëra të vdekur në ditët e fundit dhe ne rrezikojmë të bëhemi bashkëpunëtorë në të tjera tragjedi”, thotë gazetari Leogrande.

Sipas Leograndes edhe ndryshimi i deklaratave fillestare, sërish është i rëndë.

“Deklaratat e para flisnin për “bllokim detar” dhe kur flitet për “bllokim detar” nënkuptohet një angazhim ushtarak. Më pas u saktësuan këto deklarata, madje edhe nga vetë kryeministri Renzi, i cili tha të bombardojmë anijet në portet detare të Libisë. Pra, t’i fundosim ato anije, kështu që njerëzit nuk mund të nisen. Natyrisht kjo është një mase e ndryshme nga goditja apo kthimi pas i anijeve në det, por edhe në këtë rast, njerëzit që duan të marrin ato varka dhe që në shumë raste i paguajnë trafikantët 1000-2000 euro për t’u nisur, janë njerëz që po largohen nga Ferri. Nëse ne mendojmë që për të zgjidhur këto probleme, mjafton që të bllokojmë anijet, këta njerëz do mbeten sërish në brigjet e Libisë në duart e trafikantëve. Unë nuk besoj se zgjidhet problemi”- shprehet ai.

Sipas gazetarit të njohur, deklarata të tilla janë tërësisht raciste. Madje ai shkon më tej kur deklaron se e gjithë politika e javëve të fundit në Itali është ksenofobe. Leogrande thekson dhe njëherë se Italia dhe të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, nuk duhet të bëjnë gabimin që bëri Italia me Shqipërinë në vitin 1997, ku jo vetëm fundosi një anije me emigrantë, por mbi të gjitha nuk arriti të kuptonte motivet që i shtyjnë këta njerëz drejt largimit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button