Home / Zgjedhjet lokale 2015 / Zgjedhjet lokale, sot afati i fundit për regjistrimin e koalicioneve
Nga mbledhja e Komisionit Qendror te Zgjedhjeve

Zgjedhjet lokale, sot afati i fundit për regjistrimin e koalicioneve

Ora 18:00 e ditës së mërkurë shënon dhe skadimin e afatit ligjor për regjistrimin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të koalicioneve zgjedhore, në kuadër të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit.

Burime zyrtare nga KQZ thanë sot për ATSH-në se deri më tani, pranë këtij institucioni nuk është paraqitur për regjistrim asnjë nga dy koalicionet kryesore që pritet të garojnë në këto zgjedhje. Një ditë më parë, KQZ iu rikujtoi partive politike se afati i fundit për regjistrimin e koalicioneve është data 22 prill 2015, ora 18:00.

Neni 65, pika 1 e kodit zgjedhor parashikon që dy ose më shumë parti politike të regjistruara si subjekte zgjedhore në KQZ, mund të regjistrohen si koalicion në shkallë vendi jo më vonë se 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve.

Nisur nga numri i partive politike të regjistruara në KQZ si subjekte zgjedhore, koalicioni i majtë pritet të jetë në numër gati dy herë më i madh se ai i djathtë. Deri më tani figurojnë të regjistruara në KQZ rreth 57 parti, ndërkohë që lista e partive që do të jenë në aleancë me PS-në shkon në rreth 42 parti.

Dje, PS nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me partinë Demokracia Sociale, me të cilën është rënë dakord që të zbatohet fillimisht marrëveshja paraelektorale e 2013-s dhe më pas edhe bashkëpunimi për zgjedhjet e reja.

Po ashtu, një tjetër forcë opozitare, Partia Demokristiane, u rreshtua me koalicionin e majtë qeverisës, ndërsa aleati i tjetër i së majtës Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut shpalli daljen vetëm në zgjedhje. Nga ana tjetër, për PS-në duket se është mbyllur mundësia për të pasur sërish në koalicion aleatët e saj të mëparshëm, si Partia Socialdemokrate dhe Partia Kristian Demokrate.

Leave a Reply

Your email address will not be published.