Ekonomia

Harta ku shiten mallrat “Made in Albania”

Importet-Eksportet-320x320Spanja dhe Kosova zënë hapësirë kryesore, pas Italisë, në hartën e eksporteve të mallrave shqiptare, ndërkohë që në muajin maj 2014, ky zë arriti vlerën 25 miliardë lekë. E krahasuar me maj 2013, rritja është 8,7%.

Eksportet

Rritje më të madhe vjetore ka pasur në eksportet e grupeve: “Materiale ndërtimi dhe metale” me 58,7%, “Tekstile dhe këpucë” me 24% dhe “Produkte kimike dhe plastike” me 19,6%. Ulje më të madhe vjetore e pati eksporti i grupit “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 12,6%. Në raport me vitin e kaluar, ka rënë ritmi i rritjes së eksporteve, pikërisht për shkak të uljes së çmimeve të mineraleve në tregjet botërore dhe të uljes së sasive të eksportuara të lëndëve djegëse dhe energjisë. Sipas statistikave, eksportet e grupit “minerale, lëndë djegëse dhe energji” arritën në 38.7 miliardë lekë për periudhën janar-maj, duke rënë me 3.5% në krahasim me pesëmujorin e vitit të kaluar. Mineralet, që kanë përbërë 41% të totalit të eksporteve, nuk po shfaqin rezultate pozitive, duke rënë në 36% të shumës së eksporteve në maj 2014. Pas industrisë minerare vjen industria e tekstileve dhe këpucëve, e cila ka vijuar rritjen e lartë edhe për pesë muajt e parë të vitit, me 36 miliardë lekë, duke qenë grupmalli i dytë më i eksportuar në vend, me 33% të totalit. Kjo i dedikohet frymëmarrjes që përfitoi industria e fasonëve nga paketa e masave nxitëse që aplikoi qeveria. Ndërsa, eksportet e materialeve të ndërtimit arritën në 15.2 miliardë lekë, duke u rigjallëruar me rreth 6% ngritje për pesëmujorin e parë të vitit. Ndonëse me një peshë të vogël në totalin e eksporteve, kanë shfaqur ecuri pozitive eksportet e ushqimeve, pijeve dhe duhanit, shitjet e të cilave jashtë vendit u rritën me 24% dhe ato të grupit “prodhime druri dhe letre”, që u rritën me 47%.

Importet

Në maj 2014, importi i mallrave arriti vlerën 48 miliardë lekëve, duke u rritur me 6,7% në krahasim me maj 2013 dhe 8,7% në krahasim me prill 2014. Importet e makinerive, pajisjeve e pjesëve të këmbimit, një tregues direkt i shtimit të investimeve në ekonomi, u shtuan me rreth 6.4% në rreth 37 miliardë lekë. Importet e materialeve të ndërtimit e metaleve u rritën me rreth 18% në 26.6 miliardë lekë. Ky është një tregues se kanë rifilluar investimet në ndërtim. Në rënie gjatë pesëmujorit ka qenë grupmalli ushqim, pije dhe duhan, që u tkurr me 3.8% në 35 miliardë lekë, e cila mund të shpjegojë uljen e konsumit në vend.

Partnerët

Eksportet, nga Spanja në Kinë

Sipas tabelës së INSTAT për eksportin sipas grup-mallrave dhe partnerëve nga BE-ja, për janar – maj 2014, Italia mbetet në krye. Ka një shtim simbolik të shitjes së mallrave në drejtim të Austrisë, ndërsa bie në sy ulja e volumit të eksporteve me Spanjën, partneri i dytë për eksportet shqiptare, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Greqinë, Kroacinë. Gjithsesi shënohet një dyfishim i eksporteve në vendet e tjera të BE-së. Nga vendet e tjera të botës, Kina dhe Turqia mbajnë peshën kryesore, ndërsa ka një rënie të eksporteve për në Rusi dhe Zvicër.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button