Ekonomia

FMN jep OK, disbursohen 26.7 mln euro

Ministri-i-Financave-me-perfaqesuesit-e-FMN-320x168Bordi ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar përfundoi dje rishikimin e parë të ecurisë ekonomike të Shqipërisë, nën një program afatgjatë të mbështetur nga ky organizëm. Aprovimi i këtij dokumenti i mundëson qeverisë shqiptare të tërheqë shumën prej 26.7 milionë eurosh, pjesë e parë e marrëveshjes 36-mujore të fondit 330,9 milionë euro. Bordi ekzekutiv i FMN-së vlerësoi dje se kriteret e lëna në fund të marsit janë plotësuar, ndërsa është shënuar progres në lidhje me standardet strukturore në fuqi. Sipas FMN-së, ekonomia po tregon shenja paraprake të rimëkëmbjes në vitin 2014, nxitur nga përmirësimi i eksporteve. Gjithsesi, Fondi Monetar Ndërkombëtar vë në dukje se prodhimi vendas mbetet ende nën potencialin e vet.

Marrëveshja e huamarrjes

Më 28 shkurt, Bordi i Ekzekutiv i FMN-së aprovoi huan për Shqipërinë prej 295 420 000 SDR-sh (330.9 milionë euro) shoqëruar me programin 36-mujor të ndihmës. Programi me FMN-në parashikon që rritja ekonomike të fillojë përshpejtimin e saj që prej këtij viti në rreth 2% dhe për të arritur nivelin prej 4.2% në vitin 2016 e 4.5% në vitin 2017. Borxhi publik parashikohet të hyjë në trajektoren e tij rënëse në vitin 2015, për të vijuar reduktimin në vitet e tjera. Instrumenti kyç i këtij programi, i cili mundëson efektivisht këtë balancim optimal midis reduktimit të borxhit publik, nga njëra anë dhe përshpejtimit që prej këtij viti të rritjes ekonomike, nga ana tjetër, është pagesa e borxheve të prapambetura të qeverisë ndaj biznesit nëpërmjet injektimit të flukseve të huaja të kapitalit prej institucioneve ndërkombëtare. Pagesa e detyrimeve të prapambetura drejt sektorit privat ka filluar tremujorin e parë të vitit dhe u konstatua nga delegacioni i FMN-së që ishte në Shqipëri për vlerësimin e performacës së ekonomisë tonë dhe zbatimin e kushteve. Gjatë vitit 2014 parashikohet të paguhet gati gjysma e totalit të vlerësuar të këtyre detyrimeve, konkretisht 2.5% e PBB nga rreth 5.3% të PBB, të vlerësuara në total. Kjo pritet të përmirësojë ndjeshëm pozicionet financiare si të bizneseve, ashtu edhe ato të bankave.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button