Kronika

Pesë ministra të kabinetit “Berisha”, në dorën e Llallës

Korrupsioni

Arben Imami, Ridvan Bode, Lulzim Basha, Myqerem Tafaj dhe së fundmi Spiro Ksera kanë ende llogari të hapura me drejtësinë. U denoncuan për shpërdorim detyre

Ministri i Mirëqenies, Erion Veliaj, firmos së fundmi kallëzim për paraardhësin, abuzoi me fondet publike. Por, disa episode janë hetuar

Nga Sokol Çobo

Pesë ministra në kabinetin “Berisha” kanë ende llogari të hapura me drejtësinë, në këtë prag zgjedhjesh lokale. Arben Imami i Mbrojtjes, Rodvan Bode i Financave, Lulzim Basha i Rendit, Myqerem Tafaj i Arsimit dhe Spiro Ksera i Punës akuzohen për shpërdorim detyre, apo edhe falsifikime dokumentesh, duke i shkaktuar shtetit miliona euro dëme. Megjithatë, disa prej këtyre dosjeve vijojnë të zvarriten nga organi i prokurorisë, pavarësisht se denoncimet janë kryer para 18 muajsh. Kryeprokurori Llalla ka tagrin e vendimmarrjes për disa dosje, pasi Imami, Bode dhe Tafaj janë deputetë. Ndërkohë, më e lehtë vendimmarrja për Kserën dhe Bashën, pasi aktualisht nuk gëzojnë ndonjë imunitet.

Kallëzimi i fundit

Ditët e fundit, në Prokurorinë e Tiranës është regjistruar një tjetër procedim penal për anëtarët e kabinetit “Berisha”. Pas Bashës dhe Tafajt, në këtë prag zgjedhjesh, mazhoranca ka denoncuar edhe ish-ministrin e Punës, Spiro Ksera, për abuzime me detyrën. Ministri aktual i Mirëqenies, Erjon Veliaj, disa ditë para se të lërë detyrën, për të garuar për postin e kreut të Bashkisë së Tiranës, ka firmosur një kallëzim penal, për paraardhësin e tij.

“Kallëzimi është regjistruar disa ditë më parë në Prokurorinë e Tiranës. I kallëzuar është shtetasi Spira Ksera, ish-ministër i Punës. Bashkëlidhur kallëzimit ishte edhe një material për abuzimet e kryera në këtë institucion, kryesisht për disa tenderë të kryer. Emri i parë i përgjegjësve për abuzimet ishte Ksera, dhe me radhë ish-drejtuesit e kësaj ministrie, si shefi i kabinetit, sekretari i përgjithshëm apo edhe drejtorët juridikë dhe ekonomikë”, – thanë burimet nga akuza qendrore. Sipas tyre, dëmi ka dalë nga një audit i brendshëm i kryer nga Ministria e Ekonomisë, pasi ndryshoi pushteti.

Të njëjtat burime thanë për “Shqip” se dokumentet e Ministrisë së Punës janë verifikuar, ndërsa sipas tyre ato ngjasonin edhe me një tjetër kallëzim që ka bërë Kontrolli i Lartë i Shtetit disa muaj më parë, një çështje e hetuar dhe gjykuar. Akuza thotë se kallëzimi i Veliajt përqendrohej në pesë pika, por katër prej tyre ishin hetuar, ku në atë rast, ndaj Kserës nuk është ngritur ndonjë akuzë konkrete. Disa vartës të tij janë dënuar nga Gjykata e Tiranës.

Dosjet e tjera

Prokuroria e Përgjithshme nis hetimet për ish-ministrin e Arsimit Myqerem Tafaj, për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Zyra e shtypit pranë Kryeprokurorit Adriatik Llalla njoftoi se është regjistruar procedimi penal ndaj ish-ministrit Tafaj pas materialeve kallëzuese të dorëzuara nga sekretari i përgjithshëm i ministres Lindita Nikolla. Sipas akuzës, prokuroria e vlerëson të nevojshme të kryejë veprime hetimore për të konkluduar nëse ekzistojnë ose jo elemente të veprës penale në veprimet e ish-ministri Tafaj në lidhje akreditimet e Universiteteve private dhe dhënien në shfrytëzim të një ambienti të ministrisë. Pas këtij informacioni ka reaguar edhe Tafaj. “Kallëzimi i bërë nga qeveria ndaj meje është një sulm politik, pjesë e strategjisë së kësaj qeverie për të baltosur çdo politikan të opozitës. Unë e kam ndërtuar karrierën time akademike dhe politike vetëm mbi bazën e punës së palodhur, ndershmërisë, përgjegjshmërisë dhe përkushtimit maksimal. Në ushtrimin e detyrës si ministër kam zbatuar me përpikëri Kushtetutën e vendit dhe ligjin. Jam i hapur për hetim dhe kam besim se Prokuroria do ta bëjë atë pa u ndikuar nga presioni i qeverisë”, – tha ai.

Ndërkohë, prokuroria ka disa çështje ndaj ish-ministrave në kabinetin “Berisha”. Një dosje ka mbijetuar për Arben Imamin, pavarësisht se shumë të tjera janë pushuar. Bëhet fjalë për një kallëzim të Mimi Kodhelit për shitjen për skrap të disa pajisjeve në Uzinën e Mjekësit. Disa ditë më parë, akuza qendrore regjistroi kallëzim penal për ish-ministrin Ridvan Bode, i akuzuar për fshehje pasurie. Bode ka edhe disa çështje të hapura, që kanë të bëjnë me marrjen e një kredie për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Hetime kanë nisur edhe për ish-ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, i akuzuar se ka urdhëruar më 21 janar 2011 ngritjen e një helikopteri për të larguar protestuesit nga sheshi. Tashmë, ish-ministrat e kabinetit “Berisha” presin vendimmarrjen e Kryeprokurorit Llalla, ndërsa fakt është se deri më tani, asnjë ish-ministër nuk është marrë i pandehur, por vetëm disa deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.

Dosjet

1 Spiro Ksera – Ish-ministri i Punës është denoncuar së fundmi për abuzime me detyrën. Edhe më parë Ksera u hetua, por nuk u mor i pandehur

2 Arben Imami – Ish-ministri i Mbrojtjes ka edhe një llogari të hapur me drejtësinë. Prokuroria e Elbasanit po e heton për shitjen e skrapit të Mjekësit

3 Ridvan Bode – Ish-ministri i Financave ka aktualisht dy çështje të hapura, e para për kredinë për Durrës-Kukës dhe e dyta për fshehje pasurie

4 Lulzim Basha – Ish-ministri i Brendshëm, aktualisht lideri i opozitës, u denoncua disa javë më parë për ngjarjet gjatë demonstratës së 21 janarit

5 Myqerem Tafaj – Ish-ministri i Arsimit akuzohet në lidhje akreditimet e Universiteteve private, prokuroria ka regjistruar procedim penal

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button