ParlamentarePolitika

Eksodi, Rama: S’ka lidhje me qeverinë. Është një keqkuptim i përdorur nga kriminelët

Kryeministri i vendit, Edi Rama, pas akuzave të shumta në kuvend nga ana e opozitës lidhur me ikjen masive të shqiptarëve më shpresën e një azili politik në vendet e BE, kryesisht në Gjermani, i ka cilësuar të gënjeshtërta deklaratat e opozitës lidhur me shkaqet e këtij eksodi.

Kreu i ekzekutivit ka mohuar faktin se ikja e shqiptarëve të ketë lidhje me ndonjë krizë ekonomike të krijuar kohët e fundit nga qeveria e majtë, por sipas tij ka lindur për shkak të një keqkuptimi i cili më pas është përdorur si skemë mashtrimi nga elementë kriminalë me qëllime përfitimi, por edhe nga keqqeverisja e trashëguar nga ata që ndjenjën 8 vjet në pushtet.

“Eksodi ka lindur nga një keqkuptim dhe në këtë situatë ka ndërhyrë elementi kriminal. Gjermania ka shprehur nevojën për 45 mijë punëtorë me një profesion të caktuar, dhe kjo u shfrytëzua për të mashtruar njerëzit. Por masat e ndërmarra ndaj kriminalitetit kanë funksionuar në Shqipëri dhe Kosovë, ndërsa në Serbi fluksi i qytetarëve është më i lartë”, ka thënë Rama.

Por sipas Ramës, shkak për ikjen e shqiptarëve është edhe keqqeverisja e trashëguar nga ata që ndjenjën 8 vjet në pushtet dhe lanë pas vetëm rrënim, duke akuzuar për gjendjen PD, që është sot në opozitë.

“Fakti që ka zona të varfra dhe njerëz që e kanë shumë të vështirë të nxjerrin bukën e gojës është i pamohueshëm. Askush nuk e ka mohuar dhe është turp që këtë fakt ta lidhni me këtë qeveri. Ne nuk kemi marrë përsipër të bëjmë parajsën, nuk kemi shkop magjik të bëjmë atë që ju shkatërruat dhe e bëtë copë ta ribëjmë në këto muaj. Por kemi bindje të plotë se shqiptarët nuk janë dele që ju të bëni bariun. Gjykimi negativ i shqiptarëve do bjerë sërish mbi ju pasi jo vetëm e latë këtë vend aty ku e latë po nuk reflektuat asgjë”, tha Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button