Bota

Pakistani i tronditur nga vrasja e aktivistes, kryeministri urdhëron hetime

Kryeministri pakistanez Nawaz Sharif ka dënuar vrasjen e aktivistes së të drejtave të njeriut, Sabeen Mehmud.

Mehmud u qëllua për vdekje në Karaçi, teksa po udhëtonte me makinë për në shtëpi me të ëmën e saj, e cila mbeti e plagosur nga të shtënat.

Përmes një deklarate për shtyp të shpërndarë nga zyra e tij, Sharif ka shprehur ngushëllimet për të afërmit e viktimës, ndërsa ka urdhëruar një hetim të menjëhershëm.

Asnjë grup terrorist apo militant nuk ka marrë përsipër vrasjen deri tani, edhe pse aktivistja kishte qenë objekt kërcënimesh shumë herë më parë.

“Është një ngjarje ku objektivi ishte përcaktuar qartë, por për momentin është ende herët për të përcaktuar motivet”, deklaroi Jamil Ahmed, një zyrtar i lartë i policisë lokale.

Vrasja e Mehmud erdhi disa orë pasi ajo kishte mbajtur një debat mbi dyshimet e ngritura ndaj ushtrisë pakistaneze për përfshirje në tortura dhe vrasje të aktivistëve politikë në provincën e Baloçistanit.

Takimi në fjalë ishte organizuar të mbahej më herët gjatë muajit në Universitetin e Lahores, por autoritetet e anuluan atë.

Mehmud, 38 vjeçe, ishte drejtuese e grupit të bamirësisë Kati i Dytë, i njohur ndryshe edhe si T2F. Grupi në fjalë organizon shpesh herë seminare mbi të drejtat e njeriut.

Në selinë e tij ndodhet edhe një kafene e pajisur me një bibliotekë, ku aktivistët liberalë të Karaçit mund të takohen dhe të shkëmbejnë mendimet.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button