Home / Arte / Muzike / Surpriza e FFK 2015: Qarku i Lezhës, drejt skenës së folkut me një rapsod 105-vjeçar.

Surpriza e FFK 2015: Qarku i Lezhës, drejt skenës së folkut me një rapsod 105-vjeçar.

Lahutari dhe këngëtari Gjok Nonaj shkon në Gjirokastër me një këngë legjendare nga mitologjia e Eposit të Kreshnikëve

Grupi folklorik që do të përfaqësojë Qarkun e Lezhës në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, që pritet të zhvillohet nga data 10 deri më 16 maj në skenën e kështjellës së “qytetit të festivaleve”, ka rezervuar një surprizë të veçantë për publikun, studiuesit dhe dashamirësit e folklorit. Në skenën e madhe të folklorit dhe trashëgimisë kulturore jomateriale, padyshim veprimtaria më e madhe kulturore mbarëkombëtare, do të dalë për të interpretuar një këngë legjendare lahutari dhe këngëtari në moshën 105-vjeçare Gjok Nonaj. Sipas pjesëtarëve të grupit të ekspertëve të Ministrisë së Kulturës dhe Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike që ka ndjekur përgatitjet për FFKGJ 2015, mendohet se këngëtari dhe lahutari Gjok Nonaj do të jetë bartësi me moshën më të vjetër ndër artistët pjesëmarrës në këtë festival. Pak ditë më parë, lahutari që mban mbi shpinë më shumë se një shekull jetë, la të habitur ekspertët e folklorit dhe artistët e tjerë kurbinas, lezhjanë dhe mirditorë me interpretimin e tij virtuoz në koncertin përzgjedhës të zhvilluar në sallën “Dedë Nue Lazri” të Qendrës Kulturore të Lezhës, me interpretimin e një fragmenti nga Eposi i Kreshnikëve.

Gjok Nonaj është banues i Komunës së Shëngjinit, por prejardhja e hershme e familjes së tij është nga fshatrat e Malësisë së Madhe, që mendohet së është vend i origjinës dhe i këndimit të këngëve mitologjike të Eposit të Kreshnikëve. Interpretimi në Festivalin e Gjirokastrës nga goja dhe gishtat të këtij bartësi të moshuar të vargjeve mitologjike të eposit të lashtë shqiptar, vjen si një dëshmi e gjallë e transmetimit gojë më gojë dhe përcjelljes nga një brez te tjetri të këtij eposi të lashtë.

Ndonëse në një moshë të madhe, ndoshta është edhe njeriu me moshën më të madhe në Shqipëri dhe Europë, Gjok Nonaj vazhdon të gëzojë një shëndet të mirë dhe të bëjë një jetë aktive familjare dhe shoqërore, por edhe një jetë kulturore duke kënduar me lahutën e tij në festa familjare, në dasma dhe në festivale lokale dhe kombëtare. Dy këngë të hershme të kënduara prej këngëtarit dhe lahutarit njëqindepesëvjeçar Gjok Gjonaj, me fragmente nga Eposi i Kreshnikëve dhe tjetra një këngë e lashtë 500-vjeçare për Skënderbeun, janë të regjistruara dhe mjaft të klikuara në YouTube.

Rapsodi Gjok Nonaj rrjedh dhe është pjesë e një familjeje të vjetër shqiptare nga Malësia e Madhe, familje në të cilën kënga, lahuta, çiftelia dhe sharkia kanë qenë pjesë e pandarë jetës së përditshme, familje e lidhur me traditën e të kënduarit në veri të Shqipërisë. Nipi i Gjokës, djali i vëllait, artisti i kompletuar i quajtur Gjovalin Nonaj, i cili jeton prej afro 20 vjetësh në Belgjikë, është një muzikant i talentuar, që ka krijuar një ansambël folklorik me artistë të tjerë emigrantë shqiptarë dhe ka marrë pjesë në shumë veprimtari ndërkombëtare, përfshi edhe Festivalin Ndërkombëtar “TRAFIK-Ballkan”. Ashtu si xhaxhai i tij Gjoka, edhe Gjovalini ka dalë në skenë dhe ka kënduar me çifteli qysh në moshën 5-vjeçare, por edhe gjatë viteve të emigracionit, ai ka luajtur me disa vegla muzikore dhe ka interpretuar shumë këngë dhe melodi shqiptare të cilat janë pranuar mirë nga belgët dhe kanë bërë të njohura vlerat e trashëgimisë së lashtë kulturore të kombit shqiptar. Nuk janë vetëm xhaxha e nip, Gjok dhe Gjovalin Nonaj të cilët kanë mbartur traditën në familjen Nonaj, që marrë pjesë dhe kanë fituar çmime në veprimtari të rëndësishme folklorike kombëtare dhe ndërkombëtare, por në këtë familje me tradita folklorike dhe muzikore janë edhe të tjerët, vëllai i Gjokës dhe nipërit e mbesat.

Rapsodi njëqindepesëvjeçar Gjok Nonaj ka interpretuar në koncertin përzgjedhës për në festivalin e madh të Gjirokastrës, ku morën pjesë edhe 270 interpretues nga grupe folklorike dhe artistë popullorë që përfaqësonin Qarkun e Lezhës nga Qendra Kulturore e Lezhës, Komuna e Shëngjinit, Komuna e Kallmetit, Qendra Kulturore Mirditë, Qendra Kulturore Kurbin, Ansambli Folklorik “Çiftelia” në Lezhë, Qendra Kulturore e Fëmijëve në Lezhë, Komuna e Zejmenit, Komuna e Pllanës, Komuna e Zadrimës, Komuna e Shënkollës, Komuna e Kolshit, Komuna e Ungrejit dhe Komuna e Dajçit. Sipas ekspertëve të folklorit që ndoqën këtë garë, që zgjati rreth 6 orë, grupet pjesëmarrëse prezantuan një pasuri me vlera të zonave etnografike të këtyre trevave. Interpretimi i rapsodit të vjetër u vlerësua dhe u pëlqye, jo vetëm për përmbajtjen e lashtë të tekstit, jo vetëm për interpretimin në instrumentin e lashtë të lahutës, por edhe për zërin e pastër të këngëtarit Gjok Nonaj.

Engjëll Serjani

Leave a Reply

Your email address will not be published.